Tetovë, përderisa autobusët “flejnë” 6 muaj në parking, institucionet nuk merren vesh në qoftë se (nuk) ka kushte për funksionimin e tyre

Përderisa drejtori i Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”, Darko Spirovski, është duke pritur një regjim të ri për komunikacionin në Tetovë në mënyrë që autobusët të fillojnë me qarkullim, pasi sipas tij aktualisht nuk ka kushte për këtë. Nga Sektori i Komunikacionit në Tetovë nuk e kanë ndërmend një gjë të tillë, theksojnë se është i njëjti regjim i përgatitur 2 dekada më herët, pranojnë se do të ketë problem me saktësinë e orës së arritjes së autobusit nga njëri destinacion te tjetri, për këtë fajësojnë ligjin për legalizim. Arif Selami nga Aleanca për Shqiptarët thotë se Tetovës nuk i kanë munguar vetëm autobusët, por edhe plani i funksionimit të tyre, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse kanë kaluar gati 6 muaj nga koha kur pesë autobusë për transport publik arritën në Tetovë, këta mjete transportuese ende nuk janë parë duke qarkulluar në qytet.

Dy muaj më herët, në një intervistë për Portalb.mk, drejtori i Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport” theksoi se ende nuk janë siguruar kushtet infrastrukturore në mënyrë që autobusët të mund të qarkullojnë pa probleme shtesë në Tetovë, ai tha se me kushtet aktuale do të pamundësohej respektimi i orarit të përpiluar paraprakisht.

Sipas këshilltarit nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, Arif Selami, ekzistojnë dyshime në qoftë se ndonjëherë do të piqen kushtet për funksionimin e pesë autobusëve të parkuara në Tetovë nga muaji janar. Ai shtoi se autoritetet komunale janë vonuar në përgatitjen e planifikimit dhe organizimit për këtë.

Arif Selami, këshilltar nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.
Arif Selami, këshilltar nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.

“Tetova mbetet pa transport publik pavarësisht premtimeve të shumta të pushtetit lokal për vite me radhë. Të gjithë ne si qytetarë jemi të zhgënjyer nga vonesat dhe mos përmbushja e premtimeve dhe me të drejtë ndjehemi skeptik se kjo çështje ndonjëherë do të zgjidhet. Duke qene edhe pjesë e Këshillit, mua ky skepticizëm akoma më shumë më shtohet duke u bazuar në informatat që na servohen rreth kësaj çështje. Edhe pse autobusët i kemi të parkuar në objektin e Zjarrfikësve qe nga janari i këtij viti dhe kemi Drejtor të ri të kësaj ndërmarrje, ne nuk mund të shpresojmë në funksionimin e Transportit Publik pa rregullimin e komunikacionit, regjimit të lëvizjes me një kahje nëpër disa rrugë përkatëse, pa bashkëpunimin permanent me Sektorin për PB, pa hapjen e bulevardeve dhe pa rregullimin e parkingut të qytetit. Duke pasur parasysh amortizimin kohor vlera e tyre bie ende pa u përdorur, si dhe koha e kthimit të kredisë për çdo ditë po afrohet! Pra, është e qartë se transportit publik nuk i paskan munguar autobusët, por parashikimi, planifikimi dhe organizimi” tha Arif Selami, këshilltar i Aleancës për Shqiptarët në komunën e Tetovës.

Çfarë thonë nga njësia për komunikacion në komunën e Tetovës?

Sipas kompetentëve për rregullimin e komunikacionit në komunën e Tetovës, regjimi i komunikacionit ngelet i pandryshuar tash 2 dekada ndërkaq potencojnë se ditëve në vijim do të ketë intensifikim të kontrolleve nga ana e SPB-së dhe autoriteteve komunale.

“Regjimi i komunikacionit është përgatitur para 2 dekadave, dhe asgjë nuk ka ndryshuar, sepse në bulevardin e Ilindenit asnjëherë nuk është lejuar parkimi, përveçse 1 pjese të vogël afër sheshit, ku kushtet e rrugës e lejojnë, d.m.th. ku funksionon parkimi zonal. Megjithatë, zakonisht me ardhjen e sezonit verorë (me ardhjen e mërgatës tonë), seksioni për komunikacion bashkë me SPB-në i intensifikojnë dhe bashkërendojnë hapat për të siguruar efikasitet më të madh në komunikacion” thanë nga njësia për komunikacion në komunën e Tetovës.

Edhe pse bulevardi “Bllagoja Toska” ende nuk është hapur si dhe punët në terren për këtë nuk kanë filluar, nga njësia për komunikacion në Tetovë përmendin atë si një ndër arteriet që do të ndihmonte funksionimin e transportit publik, si dhe hapjen e bulevardit VS BATO.

“Hapja e Bulevardit VS BATO është një investim kapital i komunës që siguron shkarkim të komunikacionit për 3 vendbanime të komunës së Tetovës (Drenovec, Poroj, Xhepçisht dhe veturat që qarkullojnë në përditshmëri në rutën nga Komuna e Tearcës për Tetovë). Gjithashtu kamionët industrial që frekuentojnë pikën kufitare Jazhizhincë tashmë lëvizin nëpërmjet Bulevardit të ri VS BATO. Hapja e Bulevardit Bllagoja Toska gjithashtu është një arterie e re që do të lehtësojë komunikacionin në Komunën e Tetovës” shtuan nga njësia për komunikacion në komunën e Tetovës.

Autobusët e Tetovës.
Autobusët e Tetovës.

Në pyetjen se pse plani për funksionimin e transportit publik në Tetovë nuk është përgatitur deri tani, nga komuna e Tetovës theksuan se për ata më e rëndësishme ka qenë sigurimi i pesë autobusëve, pjesën e kushteve e konsiderojnë si “çështje kohësh”.

“Me rëndësi është që investimi i premtuar për 5 autobusët tashmë është punë e kryer. Funksionalizimi i ndërmarrjes është çështje kohësh. Ekipimin administrativ të menaxhmentit  dhe funksionalizimi operativ duhet të behet në nivelin e duhur me qëllim që kur të startojnë autobusët mos të paraqiten probleme te natyrave operative, gjë që do të vështirësonte punën e Ndërmarrjes” shtuan nga njësia për komunikacion në komunën e Tetovës.

Nga njësia për komunikacion nuk pajtohen me deklaratën e drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”, Darko Spirovski, se Tetova me kushtet aktuale e ka të pamundur funksionimin e transportit publik, shtojnë se me ndihmën e SPB-së dhe krijimin e korsive për biçikleta, do të mundësohet kjo.

“Drejtori aktual e ka për detyrë të menaxhojë Ndërmarrjen publike “Tetova Transport” në konditat ekzistuese. Ndihma nga SPB-Tetovë dhe vendosja e linjave urbane, përdorimi i biçikletave dhe një përkujdesje e shtuar nga Policia rrugore do të mundësoje lëvizje më të mirë autobusëve” thanë nga njësia për komunikacion.

Në pyetjet se a mund të garantohet funksionimi i rregullt i transportit publik në Tetovë, nga komuna e Tetovës pranuan se është e mundshme të ketë vonesa nga njëri nënstacion te tjetri, por thanë se me projektet e fundit komunale, transporti publik do të mund të zhvillohet.

“Transporti publik mund të zhvillohet, vetëm se udhëtimi me autobus mund të zgjatë më shumë se që është e paraparë. Që të mos ketë vonesa në qarkullim duhet që sa më shumë te punohet në mënjanimin e automjeteve të parkuara në bulevard. Me ligjin e legalizimit të objekteve pa leje,  ku nuk ka kriter që çdo objekt apo banesë të ketë parkingun e vet, u dëmtua shumë qyteti i Tetovës si qytetet tjera në vend, dhe nuk mund tu sigurojë parkingje për banorët, dhe nuk mund të ndjek trendin e dyfishimit të numrit të automjeteve” deklaruan nga njësia për komunikacion, Tetovë.

Ndryshe, premtimin për transportin publik në Tetovë, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi e dha në mandatin e saj të parë në Programin për zgjedhje lokale të vitit 2013 “Ndërtojmë së bashku“,  ndërsa të njëjtën e përsëriti dhe në debatin e organizuar nga “BIRN Kosovë” dhe “Portalb.mk” në tetor të vitit 2017.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button