BE kërkon t’i përmbushim detyrimet tona, Qeveria planifikon që Ligjin për klimën të miratojë deri në fund të vitit

Në vitin 2021, Maqedonia Veriore inkurajohet të forcojë ndjeshëm ambiciet në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes së Parisit për ndryshime klimatike, për të miratuar Ligjin për Klimën dhe Strategjinë Gjithëpërfshirëse të Veprimit për Klimën në përputhje me Kornizën e BE 2030, si dhe për të zhvilluar një Plan Kombëtar për energjetikë dhe klimë, janë përgjegjësitë që autoritetet e Maqedonisë i pranuan nga Komisioni Evropian në raportin e progresit të vitit të kaluar për vendin, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në pyetjen se cilat detyrime që na i vendosi BE-ja për këtë vit janë përmbushur deri më tani, Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor (MMJPH) tha se Strategjia afatgjatë dhe Ligji për veprimin klimatik janë në fazën përfundimtare të përgatitjes dhe pritet që qeveria ta miratojë para fundit të vitit. Ideja është që ligji i propozuar t’i përgjigjet dhe transponojë (bartë) legjislacionin aktual të klimës dhe detyrimet ligjore që janë të obligueshme për vendin.

“Ligji për veprimin klimatik është i menduar si një ligj kornizë, që do të thotë se siguron bazën për aktivitetet klimatike dhe siguron orientimin; nuk i rregullon të gjitha detajet ose aspektet e ndryshimit të klimës. Zbatohet përmes legjislacionit dytësor”, thonë ata për “Meta.mk”nga Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor.

Sidoqoftë, ata shtojnë se ligji nuk synon të parashikojë zhvillimet e debatit për klimën që aktualisht po zhvillohet në BE, e të cilat i adresojnë qëllimet për dekadat e ardhshme. Ministria thotë se ligji do të jetë fleksibil në mënyrë që të jetë në gjendje të përshtatet me kërkesat e reja të ardhshme, gjegjësisht do të shtojë qëllime, qasje dhe instrumente shtesë në përputhje me pranimin e vendit në BE.

Nga Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor thonë se Ligji për veprimin klimatik do të sigurojë një bazë për krijimin e instrumenteve të ndryshme, siç është taksimi i emetimeve të karbonit, i cili do të bazohej në një analizë të hollësishme dhe rregulla specifike.

“Ligji i veprimit për klimën e transponon skemën e tregtimit të emetimeve (Direktiva ETS) aq sa mundet. Siguron rregulla për lejet e emetimit të gazrave serë dhe detyrimet për monitorimin dhe raportimin e gazrave serë nga operatorët (industria dhe aviacioni). Kompetencat e MMJPH dhe rregullat kryesore procedurale janë të qarta në ligjin për veprimet klimatike. Janë parashikuar akte nënligjore shtesë. Të gjitha këto aktivitete janë konsideruar në propozim planin e veprimit për fazën e parë të zbatimit të ligjit,” thonë nga MMJPH.

Si në shumë sfera të tjera shoqërore, me ligjin e ri, Maqedonia nuk do të zgjedhë rregullat për pjesëmarrjen në skemën e tregtimit të emetimeve si vend-anëtar i BE, por është zgjedhur opsioni për të përgatitur vendin për pjesëmarrje në Direktivën e EU ETS. Bëhet fjalë për direktivë e cila është gurthemel në zbatimin e politikës evropiane për zvogëlimin e emetimeve të gazrave serë.

Kjo skemë e tregtimit të emetimeve në vendet anëtare të BE-së, së bashku me Lihtenshtajnin, Islandën dhe Norvegjinë, i kufizon emetimet në rreth 10.000 instalime në sektorët e energjisë, prodhimit dhe aviacionit, duke u përpjekur të rregullojnë sa më shumë që 40 për qind nga emisionet e gazeve serë të BE-së. Objektet e tilla janë të kufizuara me sasinë e emetimeve të gazrave serë, kryesisht dyoksid karboni,që ato mund të lëshojnë, me ç’rast emisionet e përgjithshme duhet të bien me kalimin e viteve. Qasja bazohet në kushtet e tregut për kontrollin e ndotjes, duke siguruar stimuj që çojnë në uljen e emetimeve nga këta ndotës.

Përveç Ligjit për veprim klimatik dhe Strategjisë afatgjatë, po finalizohet plani i integruar për energji dhe klimë, i cili është proces i menaxhuar nga Ministria e ekonomisë. Nga Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor shpjegojnë se Strategjia kombëtare për zhvillim të energjetikës deri në vitin 2040 është plotësisht e harmonizuar me propozim Planin kombëtar për energji dhe klimës (NCEP), i cili përcakton që vendi t’i ulë emetimet për 61.5 përqind deri në vitin 2040. krahasuar me vitin 2005, për të rritur pjesën e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në 45% të konsumit bruto të energjisë përfundimtare dhe të zvogëlohet përqindja e konsumit primar të energjisë me 51.8% dhe në konsumin përfundimtar të energjisë me 27.5 përqind përkundrejt skenarit të referencës.
Siç ka shkruar tashmë “Meta.mk”, vendi e ka ratifikuar Marrëveshjen e Parisit për ndryshime klimatike të nënshkruar pesë vjet më parë, me të cilën vendet nënshkruese të Konventës Kuadër të KB për ndryshime klimatike zotuan të mbajnë temperaturën mesatare globale duke u rritur nën 2 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale, duke kërkuar të kufizojnë rritjen në 1.5 gradë. Përkundër kësaj, Maqedonia e Veriut është përballur pa përjashtim për dekadën e fundit me temperatura të rritura deri në 2 gradë Celsius krahasuar me temperaturën mesatare vjetore të ajrit të matur në vendet e banuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button