BPRMV: Rritja e çmimeve në periudhën prill – maj 2021 është 2.9 përqind

Rritja vjetore e çmimeve në periudhën prill-maj 2021 është 2.9 përqind dhe është në përputhje me pritjet sipas projeksioneve të prillit të Bankës Popullore, thuhet në njoftimin e këtij institucioni, përcjellë Portalb.mk.

“Lidhur me lëvizjet e pritshme në çmimet e importit, shqyrtimet e fundit janë në drejtim të rritjes. Pasiguria në lidhje me lëvizjen e çmimeve botërore të produkteve primare në periudhën tjetër është veçanërisht e theksuar, në përputhje me efektet e pasigurta ekonomike që lidhen me pandeminë dhe trajtimin e saj”, njoftojnë nga Banka Popullore.

Në njoftimin e Bankës Popullore thuhet se në seancën e mbajtur dje, u vendos që të mbahet norma bazë e interesit e pandryshuar, në nivelin 1.25 për qind, me të cilën politika monetare mbetet e relaksuar.

“Ulja e normës bazë të interesit deri më tani, si dhe ulja e konsiderueshme e shumës së ofruar të bonove të thesarit, kontribuan në rritjen e likuiditetit të sistemit bankar dhe mbështetjen e flukseve të kredisë në ekonomi. Në seancë u konfirmua se likuiditeti i përgjithshëm e çliruar përmes instrumentit kryesor të Bankës Popullore që nga fillimi i pandemisë është adekuat dhe u vendos që në ankandin që mbahet sot të ofrohen bono thesari në shumën e pandryshuar prej 10 miliardë denarësh”, thuhet në njoftimin për shtyp të Bankës.

Sipas treguesve më të fundit të disponueshëm makroekonomikë të aktivitetit ekonomik, prodhimi i brendshëm bruto në tremujorin e parë të vitit 2021 regjistroi një rënie reale prej 1.9 për qind në bazë vjetore, në mes të një vale të tretë të Kovid-19 e cila ndikoi negativisht në dinamikën e rimëkëmbjes ekonomike.

“Një dinamikë e tillë e aktivitetit ekonomik në tremujorin e parë, pritej brenda ciklit të parashikimit të prillit. Të dhënat aktualisht të disponueshme me frekuencë të lartë për tremujorin e dytë të vitit 2021 janë të kufizuara në një kuptim më të plotë të situatës, por tregojnë për sinjale pozitive në përputhje me stabilizimin e valës së tretë të pandemisë dhe imunizimin e popullatës të filluar në vend”, thuhet në njoftim.

Nga Banka shtojnë se rreziqet e pandemisë të shkaktuara nga Kovid-19 ende ekzistojnë dhe se Banka Popullore do të monitorojë nga afër trendet në të ardhmen, rreziqet e mundshme, për një përgjigje adekuate, nëse kjo është e nevojshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button