fbpx

Një miliard doza vaksinash për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, do të premtojë Samiti nga G-7

Kryeministri britanik Boris Johnson tha se vendet e G-7-ës që do të takohen të premten, do të njoftojnë për një plan për të dhuruar një miliardë doza vaksinash për COVID-19 në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Njoftimi i zotit Johnson erdhi të enjten pasi Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se administrata e tij po dhuron 500 milionë doza të vaksinës Pfizer, gjysmën e sasisë që do të japin të gjitha vendet e G-7-ës, për 92 vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, raportoi VOA.

Pas takimit të tij të nivelit të lartë me kryeministrin britanik Boris Johnson, mikpritës i samitit të G-7ës këtë vit, erdhi një njoftim i rëndësishëm nga Presidenti amerikan Joe Biden.

“Shtetet e Bashkuara do të blejnë 500 milionë doza vaksinash Pfizer për COVID-19 për t’ua dhuruar gati 100 vendeve që kanë nevojë urgjente për të luftuar kundër kësaj pandemie”, tha presidenti.

200 milionë prej vaksinave Pfizer do të shpërndahen deri në fund të vitit 2021 dhe 300 milionë të tjera deri në qershor të vitit të ardhshëm. Ato u shtohen 80 milionë vaksinave të premtuara tashmë nga SH.B.A. për t’u shpërndarë deri në fund të muajit.

“Dhurimi i vaksinave nga ana jonë nuk përfshin presion për favore ose lëshime të mundshme. Ne po e bëjmë këtë për të shpëtuar jetë, për t’i dhënë fund kësaj pandemie,” tha zoti Biden.

Duke njoftuar planet e tij për donacionin e vaksinave në prag të samitit të G-7ës, presidenti Biden po nxit grupin e vendeve të pasura të ndjekin shembullin e tij. Ai gjithashtu po hedh poshtë akuzat se Shtetet e Bashkuara po mbajnë pa përdorur, shuma të mëdha vaksinash.

“Ai po përpiqet të sinjalizojë se Amerika nuk është e përqendruar vetëm tek vetja, gjë që mendoj se ka qenë një shqetësim i thellë jo vetëm në vitet e Trumpit por edhe gjatë pandemisë kur për një kohë të gjatë Shtetet e Bashkuara nuk po i ndanin vaksinat me vendet e tjera. Mendoj se ai po vihet nën presion për ta bërë këtë dhe për të marrë një rol drejtues”, thotë Leslie Vinjamuri me organizatën Chatham House.

Disa orë pas njoftimit të Bidenit, kryeministri Johnson tha se Britania do të jepte të paktën 100 milionë doza vaksinash. Ai pret që G-7a të premtojë të dhurojë një miliard doza gjatë këtij samiti. Kompania Pfizer bën vaksina të prodhuara jo duke përdorur forma të dobësuara të virusit, por kodet gjenetike të patogjenit.

“Deri më tani, të dhënat tregojnë se vaksina jonë ka qënë e efektshme ndaj të gjitha llojeve ekzistuese të varianteve”, thotë Alber Bourla, drejtor ekzekutiv i kompanisë Pfizer.

Ndërsa aktivistët e përshëndetën planin e Bidenit, ata kërkojnë që vendet e pasura të bëjnë më shumë për të ndihmuar vaksinimin e botës, veçanërisht ato vende që kanë më shumë doza sesa u duhen.

“Ndërsa këto doza nuk ekzistojnë sot, dhe natyrisht, vendet kanë detyrimin që me të vërtetë të përshpejtojnë programet e vaksinimit të popullatave të tyre të brendshme, ata kanë kontrata blerjeje për më shumë doza sesa u nevojiten. Ata duhet të negociojnë tani, për t’i drejtuar këto teprica tek vendet në nevojë. Kjo është çështja urgjente për të cilën G-7a duhet të bjerë dakort”, thotë Tom Hart, drejtor ekzekutiv në detyrë i fushatës One.

Dozat do të shpërndahen përmes programit COVAX, mekanizmi i Kombeve të Bashkuara për ndarjen e vaksinave. Kjo do t’u kushtojë taksapaguesve amerikanë 3.5 miliardë dollarë, 2 miliardë dollarë prej të cilave do të paguhen me fondet e premtuara tashmë për programin COVAX.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button