Eko shfaqje e modës për ditëlindjen e Mbretëreshës Elizabeta: Edhe industria e modës ndikon në ndryshimet klimatike

Ambasada Britanike në Shkup e shënoi Dita kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar – ditëlindjen Mbretëreshës Elizabeta II, me një eko- shfaqje r mode të qëndrueshme për mjedisin, duke e theksuar përkushtimin ndaj ndryshimeve klimatike dhe nevojën për të rritur ndërgjegjësimin për problemet në mënyrë që të mobilizohet veprim, transmeton Portalb.mk.

Në shfaqjen e modës në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup, mund të shiheshin tetë krijime nga dizajnues të rinj nga Maqedonia, të cilët ishin pjesë e Konkursit për modë të qëndrueshme që e nisi Ambasada Britanike, e cila kishte për qëllim krijimin e veshjeve të qëndrueshme dhe ekologjike për ambasador dhe zëvendësin e ambasadores, të cilat ata do t’i veshin në kremtimin e 95-vjetorit të Mbretëreshës.

Të gjitha copat e veshjeve ishin të punuara prej materialeve natyrore dhe të ricikluara me teknika prodhimi të pranueshme në aspekt ekologjik.

Ambasadorja Britanike Rejçël Gallouej | Foto: Ambasada Britanike – Shkup

Ambasadorja Britanike Rejçël Gallouej ishte veshur me një fustan të punuar nga sateni, i përpunuar nga një copë e vjetër e rrobave, e qëndisur me gjethe të thata, të cilin e ka punuar studentja Magdalena Dimkovska nga Fakulteti i Teknologjik-metalurgjik në UKIM. Dimkovska, së bashku me Eva Tanevska nga Universiteti FON, e cila e  ka dizajnuar kompletin e zëvendës Ambasadorit Dominik Otvej, janë fituesit e konkursit të shpallur.

Ambasadorja  Rejçël Gallouej theksoi se Mbretëria e Bashkuar dhe Maqedonia e Veriut vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin dypalësh në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe mirëpriti qëllimet ambicioze kombëtare për qëndrueshmëri energjetike.

“Pavarësisht sfidat, e përgëzoj Maqedoninë e Veriut për faktin që ka qëllime aq ambicioze, sepse është me rëndësishme që vendi të shkojë drejt pavarësisë energjetike, duke përdorur burime të ripërtëritshme të energjisë që nuk do të dëmtojnë ekosistemin e saj të brishtë,” tha Gallouej.

“Mbretëria e Bashkuar mbështet fuqimisht Maqedoninë e Veriut në këtë rrugë drejt energjisë së qëndrueshme dhe një të ardhme më të pastër dhe më të gjelbër”, shtoi ambasadorja.

Ajo theksoi se industritë e reja dhe kreative janë ndër faktorët kryesorë për ndryshim të qëndrimeve ndaj mënyrës për jetesë të qëndrueshme dhe e shprehi admirimin e saj për krijimtarinë e dizajnuesve të rinj nga Maqedonia.

Foto: Ambasada Britanike – Shkup

“U impresionova se sa kreativë ishin, duke hulumtuar për materiale dhe procesin e prodhimit, duke marrë parasysh parimet kryesore të modës rrethore, në mënyrë që të mos lënë ndikim negativ në mjedisin jetësor. Qëndrueshmëria është e rëndësishme për modën. Jo vetëm që parandalon që industria e tekstilit dhe modës të ndikojnë negativisht në mjedis, por krijon  edhe vende të reja pune të gjelbra dhe ndihmon në ndryshimin e bisedës për mjedisin jetësor. “Moda ka ndikim”, tha Gallouej.

Shfaqja e qëndrueshme e modës vjen në prag të Konferencës së KB për Ndryshime klimatike që në nëntor duhet të mbahet në Glasgou, Skoci dhe që do të jetë moment vendimtar që bota të bashkohet sërish dhe të angazhohet për qëllimet për të parandaluar ngrohjen katastrofike të planetit.

“Ne presim që bota të bashkohet dhe të tregojë se do të përmbushë qëllimet e vendosura në Paris pesë vjet më parë. “Nëse nuk i përmbushim këto synime, atëherë temperaturat do të rriten me dy gradë dhe dëmi i bërë do të jetë i pariparueshëm,” tha ambasadorja Gallouej.

Ministri i mjedisit jetësor Naser Nuredini Foto: Ambasada Britanike – Shkup

Në këtë ngjarje u drejtua edhe ministri i mjedisit jetësor, Naser Nuredini, i cili edhe një herë e përsëriti planin e vendit për të arritur ulje prej 51 përqind të emetimeve të gazeve serë deri në vitin 2030 krahasuar me nivelet e vitit 1990.

“Kjo nuk është çështje e ambicieve, kjo është çështje e domosdoshmërisë dhe diçka që duhet patjetër të bëhet. Mendoj se në botë dhe në jetën tonë kemi arritur një pikën ku do të duhet të bëjmë ndryshime”, tha Nuredini.

Nuredini gjithashtu kujtoi se pritet miratimi i gjashtë ligjeve të rëndësishme në fushën e menaxhimit të mbeturinave, të cilat duhet të bëjnë ndryshime pozitive edhe në këtë fushë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button