fbpx

Rikthimi i luanit

Me 8 Qershor, vetëm dy ditë pas përvjetorit të Ditës D, kur forcat e Antantës të kryesuara nga SHBA zbarkuan në Normandi për të filluar kështu atë që do të jetë më vonë fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe rënia e Rajhut të Tretë, u shpallën dy nga vendimet më të rëndësishme në historinë e re të Ballkanit Perëndimor: Aktgjykimi i Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë dhe Dekreti i Presidentit Bajden lidhur me personat që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

Ratko Mladiq u shpall fajtor për 10 nga 11 akuzat që përfshinë edhe Gjenocidin në Srebrenicë dhe u dënua në shkallë të dytë me aktgjykim të plotfuqishëm dhe të ekzekutueshëm me dënim me burg të përjetshëm. Ditë e madhe për historinë e njerëzimit. Ditë e madhe për drejtësinë ndërkombëtare. Ditë kur duhet reflektuar për gjithë ato humbje të mëdha dhe tmerre të përjetuara të cilat vështirë se mund të shlyhen me një jetë në burg. Ditë e madhe, sepse u vendos përgjegjësi penale për krimet më të rënda që ndodhën në territorin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore, jehona e të cilave dëgjohet edhe sot.

Reagimet e funskionarëve shtetërorë serb në këtë drejtim nuk janë aspak befasuese. Vuçiq u ankua në fjalimin e tij para OKB për atë se krimet ndaj serbëve nuk qenkan dënuar duke u munduar të relativizojë kështu dëmet që ky shtet i bëri gjatë konflikteve të përgjakura të cilat rezultuan pikërisht me krijimin e Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Brnabiq nga ana tjetër e quajti këtë tribunal një gjyq politik. Këto tendenca të vetëviktimizimin edhe përkundër krimeve makabre të kryera nga bashkështetasit e tyre nuk janë as të parat e nuk do të jenë as të fundit.

Kjo gjendje më kujton një detaj historik që lidhet me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore dhe me krijimin e Gjykatës së Nyrembergut. Në atë kohë ka pasur dilema mes aleatëve lidhur me atë se çfarë duhet bërë me kriminelët e luftës, nazistët e kapur në përfundim të saj. Britanezët kanë pasur mendim më radikal në këtë drejtim. Ata kanë thënë që nuk duhet organizuar asnjë gjyq për ta, sepse një gjyq i tillë do t’u shërbente nazistëve si forum për t’i arsyetuar krimet e veta. E në fakt këto krime janë aq të errta, sa që gjyqi për to është i pakuptimtë, dhe kryersit duhet thjesht të ekzekutohen pa asnjë vonesë. Kështu kanë propozuar britanezët. Kanë qenë amekrikanët që kanë insistuar që të ketë një gjykim fer dhe të paanshëm ku e drejta për tu mbrojtur do të respektohet së bashku me parimin e dëgjimit të të dyja palëve. Kështu edhe është bërë. Gjykimet në Nyremberg i kanë dënuar me vdekje dhe me burgim të përjetshëm kryesuesit e Rajhut të Tretë, dhe kanë mbetur në histori si aktgjykimet e para me të cilat është vendosur përgjegjësi penale ndërkombëtare për krime të kësaj natyre. Edhe ndaj këtyre gjykimeve ka pasur kritika se kanë qenë të njëanshme dhe se vetëm nazistët gjermanë janë gjykuar. Por populli gjerman dhe Gjermania në përgjithësi asnjëherë nuk i ka mohuar këto krime dhe nuk është ankuar se u është bërë çfarëdo padrejtësie. Përkundrazi, e kanë bartur përgjegjësinë në mënyrë kolektive si popull dhe si shtet, dhe kanë pastruar me atë pjesë të historisë së vetë. Sot Gjermania është shtysa kryesore e Bashkimit Evropian, me politika liberale dhe inkluzive shumë më të përparuara se shumë shtete tjera të këtij unioni, me lidreship të qartë dhe të pakompromis lidhur me idetë e lirisë dhe barazisë. Serbia me qëndrimin e vet zyrtar lidhur me Tribunalin e Hagës dhe krimet e viteve 1990, dhe me qëndrimin lidhur me Kosovën si shtet i pavarur largohet gjithnjë e më shumë nga çdo mundësi e ripajtimit dhe veprimit të përbashkët me shtetet fqinje.

Edhe pse Lufta e Dytë Botërore ka filluar në vitin 1939, në fakt kthesa vendimtare në këtë luftë është bërë në vitin 1942, kur Japonia sulmon bazën ushtarake amerikane në Pearl Harbor dhe si rezultat, SHBA kyçet në luftë në anën e forcave të Antantës. Thuhet që mëngjesin kur kamikazët japonezë e kanë sulmuar bazën amerikane në Peral Harbor, gjenerali japonez që ka udhëhequr me operacionin ka konstatuar jo pa shqetësim si vijon: “Tani e zgjuam luanin që flinte.”

Dekretet e fundit ekzekutive të Presidentit Bajden që lidhen me Ballkanin Perëndimor janë një shenjë e qartë që luani i përgjumur gjatë kohës së Trampit është zgjuar dhe është rikthyer në Ballkanin Perëndimor. Mund të duket diçka e thjeshtë zgjerimi i listës së zezë amerikane me persona të cilët do të kyçen aty për shkak të tendencave për destabilizim të Ballkanit Perëndimor, por në fakt ky është një hap shumë i rëndësishëm në zgjidhjen e konflikteve shekullore të Ballkanit. Në këtë Dekret Ekzekutiv thuhet që lista e zezë do të zgjerohet me emrat e personave që punojnë kundër marrëveshjeve të rëndërsishme në Ballkanin Perëndimor. Të parat marrëveshje që përmenden aty janë Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja e Ohrit, të ndjekura nga Rezoluta 1244, Marrëveshja e Dejtonit dhe të tjera. Të gjithë ata që punojnë kundër këtyre marrëveshjeve pra janë në kundërshtim direkt me SHBA-në. Ky Dekret vetëm sa e qartëson atë që të gjithë e dimë por ndërkombëtarisht nuk është thënë asnjëherë kaq qartë: ata që janë kundër këtyre marrëveshjeve, janë kundër SHBA. Këtë ta kenë të qartë të gjitha partitë politike dhe individët kur bëjnë vendimet e tyre për atë se kush duhet të përkrahet dhe me cilët duhet të bashkëpunojnë.

Ky është lajmi i mirë i vitit, lajmi i shpresës se më në fund çështjet e hapura në Ballkan do të gjejnë zgjidhje. Të mos kemi dilema, luani është zgjuar dhe është rikthyer në rajon më i fuqishëm se kurrë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button