fbpx

Ziberi për Portalb.mk: Problemi i nënshtetësisë është shumëdimensional (VIDEO)

Avokati i Popullit, Naser Ziberi vlerëson se propozim ligji për nënshtetësi i cili është në procedurë parlamentare, është në funksion të tejkalimi të problemit me mungesën e nënshtetësisë me të cilën përballen një numër i caktuar i qytetarëve që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut dhe si të tillë e mbështesin. Në intervistën e dhënë për Portalb.mk, Ziberi tha se me propozim ligjin e ri, parashihen një sërë lehtësimesh që duhet të tejkalojnë problemin e shtetësisë për të gjithë qytetarët që nuk janë të pajisur me këtë dokument.

“Avokati i Popullit vite me radhë në raportet vjetore i rekomandon Kuvendit që t’i qaset ligjit për shtetësi si rezultat i problemeve që ligji ekzistues i ka prodhuar dhe pasojat e të cilit qytetarët i ndjejnë dhe këtë funksion iniciativa për ndryshimin e ligjit ekzistues është komplementare me qëndrimin e Avokatit të Popullit, që do të thotë se është në funksion të tejkalimit të problemit dhe si të tillë ne e mbështesim, sa i përket konkretisht përmbajtjes së tij, ligji është një hap përpara drejt zgjidhjes së problemi. Në bazë të ligjit që propozohet, parashihet një mori lehtësimesh të cilat duhet të tejkalojnë dy situata: problemin e shtetësisë për qytetarët të cilët në momentin e shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë janë gjetur territorin e Republikës së Maqedonisë dhe kanë pasur prejardhje nga ish republikat jugosllave dhe e dyta, pretendon tejkalimin e situatës respektivisht, zbutjen e kritereve për fitimin e shtetësisë në bazë të natyralizimit”, deklaroi Ziberi.

Ai më tej tha se, problemi i nënshtetësisë është shumëdimensional, duke theksuar se për të është e  pakuptimtë që edhe sot e kësaj dite ka familje që jetojnë permanent në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në një familje në kushte të njëjta, një pjesë e anëtarëve të familjes të kenë nënshtetësi dhe një pjesë të mos kenë.

“Problemi është multidimensional. Padyshim që problemi është edhe politik por, është edhe administrativ. Politik është se, është e pakuptimtë që qytetarët që janë gjetur në territorin e Republikës së Maqedonisë së atëhershme, nuk kanë marrë nënshtetësi me automatizëm, kuptohet në kuadër të rregullave të parapara  me ligj. Pra, është bërë një diskriminim në kuptimin që në nënshtetësia u është vërtetuar vetëm qytetarëve të cilët kanë prejardhje nga Maqedonia, por jo edhe qytetarëve të cilët kanë prejardhje nga ish republikat jugosllave të cilët janë gjetur në Republikën e Maqedonisë së atëhershme. Përkundrazi, ky grup i qytetarëve që kanë prejardhje nga ish republikat jugosllave, kuptohet këtu edhe krahinat e atëhershme, i janë nënshtruar aplikimit për marrjen e nënshtetësisë dhe një numër shumë i madh i qytetarëve duke iu nënshtruar kritereve të parapara për fitim të nënshtetësisë e jo për fitim, kanë mbetur pa nënshtetësi”, tha ai.

Ziberi ka sqaruar se problematike ka qenë edhe dimensioni administrativ, ku MPB ka pas të drejtë ekskluzive që të jep vlerësim nëse dikujt i takon nënshtetësia.

“Dimensioni administrativ është po ashtu problematik sepse, në ushtrimin e të drejtës së marrjes së nënshtetësisë, organet e administratës, e në radhë të parë MPB si organ i cili vendos për kërkesën e marrjes së nënshtetësisë është treguar rigide edhe atë në dy kritere bazë: në çështjen e vlerësimin të sigurisë shtetërore dhe çështjen e njohjes së gjuhës zyrtare. Dy kërkesë të cilët propozimi për ndryshimin e ligjit i tejkalon. Pra Ministria e Punëve të Brendshme, sektori përkatës e ka pas të drejtën ekskluzive që të vlerësoj se një parashtrues i kërkesës së shtetësisë a është i rrezikshëm për sigurinë e vendit. Shpesh herë kjo e drejtë diskrecionale i ka dhënë autoritet organit që pa dhënë shpjegim ta refuzojë kërkesë. Dhe në këtë adresë, ekziston një numër i madh i parashtresave drejtuar avokatit të popullit, sepse qytetarët nuk kanë marrë arsyetim në refuzimin e kërkesave për ta marrë statusin e shtetësisë dhe po ashtu, në bazë të kriterit tjetër që pretendenti për fitim të shtetësisë, në bazë të ligjit ekzistues thuhet se duhet ta njohë në mënyrë të mjaftueshme gjuhën zyrtare. Në bazë të kësaj dispozite, shpesh herë persona të moshuar në veçanti të gjinisë femërore kanë has në barrierë dhe janë refuzuar si rezultat i mosnjohjes së gjuhës zyrtare”, tha ai.

I pyetur nëse duhet të mbajë përgjegjësi dikush për problemin e nënshtetësisë për një grup të caktuar të qytetarëve, si rezultat i së cilit ata nuk kanë gëzuar të drejta të barabarta me qytetarët e tjerë, ai tha se Avokati i Popullit, nuk ka kompetenca të këtilla, por në trupat e Kuvendit në komisionet përkatëse, mund të shtrohet çështje e nënshtetësisë për situatat e konstatuara. Në të kaluarën ky instrument nuk është përdorur, siç sqaroi ai, dhe nuk është marrë në përgjegjësi asnjë institucion sepse, këtu nuk bëhet fjalë për përgjegjësi individuale të ndokujt, bëhet fjalë për përgjegjësi institucionale të organeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button