Pendarovski: Për identitetin dhe gjuhën maqedonase nuk mund të negociohet

Identiteti dhe gjuha maqedonase nuk janë, dhe as nuk mund të jenë, objekt i çfaërdo qoftë negocimi. Identiteti ynë dhe gjuha maqedonase janë rezultat i një fakti kulturor dhe shkencor, rezultat i shumë viteve të zhvillimit historik dhe kulturor. Mbi të gjitha, procesi i zhvillimit të identitetit dhe gjuhës sonë nuk ndryshon nga zhvillimi i gjuhëve dhe kulturave të kombeve fqinje, tha Presidenti Stevo Pendarovski në një intervistë me beogradasen”Politika”, transmeton Portalb.mk.

“Maqedonia e Veriut, në krahasim me fqinjët e saj, përfundon shtetësinë e saj më së voni përmes një procesi kompleks të luftës për çlirimin kombëtar dhe emancipimin dhe ndoshta ai faktor ka një ndikim të madh në disa tendenca negative midis disa prej publikut dhe politikanëve në vendet fqinje. Sidoqoftë, shtetësia jonë dhe gjuha jonë standarde janë një proces i plotë dhe ai fakt duhet të pranohet nga të gjithë, si një hap kryesor drejt ndërtimit të bashkëpunimit, duke pasur parasysh që të gjitha vendet fqinje kanë të njëjtën orientim strategjik në Bashkimin Evropian”, thotë Pendarovski.

Në intervistë, siç raporton korrespodenti i MIA-s nga Beogradi, Presidenti Pendarovski foli edhe për rrugën e integrimit evropian të vendit, mosmarrëveshjen me Bullgarinë, si dhe ndihmën e marrë nga Serbia në trajtimin e pasojave të pandemisë.

“Ne jemi edhe mirënjohës ndaj Serbisë miqësore për ndihmën e saj në kohë në trajtimin e pasojave të pandemisë, dhe veçanërisht në procesin e vaksinimit. Serbia bëri gjithçka që ishte në fuqinë e saj për të na ndihmuar dhe ne dimë ta vlerësojmë atë gjest miqësor dhe nuk do ta harrojmë”, tha Pendarovski.

Duke folur për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe hapjen e qendrave kulturore në Shkup dhe Beograd, Pendarovski tha se dy vendet nuk kanë çështje të hapura dhe janë përqendruar në përmirësimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit. Qeveritë, siç thekson ai, tashmë po shkëmbejnë ide dhe propozime konkrete sepse bashkëpunimi kulturor është një nga mënyrat më të mira për të forcuar lidhjet dhe marrëdhëniet e përgjithshme midis popujve dhe vendeve tona.

Lidhur me pengesat në rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve në rajon, Pendarovski tha se RMV-ja bëri kompromise të vështira me qëllim që të bëhet anëtare e plotë e NATO-s dhe në të ardhmen një anëtare e BE.

“Anëtarësimi në BE është vendimtar për zhvillimin e përgjithshëm të të gjitha vendeve dhe për integrimin evropian nuk kemi asnjë alternativë reale. Por, integrimi i rajonit në BE është gjithashtu interes strategjik për vetë Unionin, si dhe çështje gjeopolitike, në kontekstin e përpjekjeve për të forcuar rolin e Unionit si aktor në rendin ndërkombëtar. BE-ja ka bërë një premtim të qartë për vendet në rajon se kanë perspektivë evropiane që nga Samiti i Selanikut 2003. Bërja e përpjekjeve për të realizuar këtë premtim është gjithashtu çështje e besueshmërisë së vetë Unionit. Shpesh herë dëgjojmë për lodhjen e zgjerimit, e cila nga aspekti i politikës ditore është e kuptueshme, por strategjikisht, projekti evropian nuk do të përfundojë pa integrimin e rajonit tonë në BE”, tha Pendarovski.

Bisedimet me Presidentin bullgar Rumen Radev në Shkup dhe Romë, i vlerësoi si sinjal pozitiv për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe uljen e tensionit që është ndezur në mënyra të ndryshme në periudhën e kaluar.

“Besoj se është në interesin e të dy vendeve, por edhe të vetë BE-së, të gjejnë një mënyrë për të dalë nga situata sa më shpejt të jetë e mundur dhe në atë kontekst i vlerësojmë përpjekjet e Presidencës Portugeze të BE-së. Propozimin e tyre e konsiderojmë si bazë solide për zhvillimin e mëtejshëm të bisedimeve. Të dy vendet kanë aftësinë për të zgjidhur çështjet përmes dialogut. Në fakt, ne e vërtetuam këtë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë në vitin 2017, e cila është një marrëveshje shumë e rëndësishme dhe është baza për ndërtimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të mëtejshëm midis dy vendeve dhe afrimin e të dy popujve”, thotë Pendarovski .

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit të “Politika-s” në lidhje me shpërbërjen e Jugosllavisë, idetë për rishikimin e kufijve dhe rolin e NATO-s, Pendarovski tha se “nuk mund të ecni në rrugën evropiane në të njëjtën kohë, ndërsa nga ana tjetër të mbështesni në mënyrë anakronike idetë që i përkasin historisë politike dhe nuk kanë asnjë lidhje me realitetin”.

“Shpërbërja e ish-Jugosllavisë është proces i përfunduar. Çdo hapje e re e çështjes së kufirit ka potencialin të na kthejë në epokën e luftërave të viteve 1990 dhe të sjellë vuajtje të reja njerëzore dhe pengesa ekonomike. NATO e ka përmbushur premtimin e saj për vendin tim dhe sot RMV-ja është anëtari i 30-të i plotë i NATO-s, i cili garanton integritetin territorial dhe pavarësinë e vendit tim”, thotë Pendarovski.

Ai shton se pozicioni i shqiptarëve etnikë, qytetarë të Maqedonisë së Veriut, nuk është pjesë e një lloji të çështjes rajonale shqiptare, por është pjesë e rendit tonë të brendshëm kushtetues dhe politik.

Lidhur me Kosovën, ai vlerësoi se “angazhimi ynë i vazhdueshëm është të ndërtojmë marrëdhënie të mira me Kosovën, sepse në atë mënyrë përmbushim interesat tona kombëtare, por kontribuojmë në forcimin e bashkëpunimit rajonal, diçka që është përparësi e lartë e politikës së jashtme dhe e Serbisë miqësore” . Nga ana tjetër, thotë Pendarovski, “konsideroj se lobimi për njohjen e mëtejshme të Kosovës është çështje e brendshme e politikës së Kosovës”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button