RMV, trenat janë mënyra më ekologjike për transport, por ne i përdorim ato më së paku (Infografik)

Transporti hekurudhor është deri tani lloji i transportit që përdoret më së paku në vend, megjithëse është mjeti më ekologjik për transport të udhëtarëve. Përveç veturave, të cilat qytetarët e Maqedonisë i përdorin më së shumti gjatë udhëtimeve të tyre, transporti rrugor me autobus është mjeti më i përdorur për transport. Vitin e kaluar, me autobus kanë udhëtuar 43.457.,000 udhëtarë, përfshirë transportin qytet-periferi, ndërurban dhe atë ndërkombëtar, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Transporti me taksi është gjithashtu i preferuar për qytetarët e Maqedonisë, kështu që në vitin 2020 këtë lloj transporti kanë përdorur 11.083.000 udhëtarë. Shumica e qytetarëve kanë udhëtuar me taksi nëpër qytete, ndërsa 679.000 udhëtarë kanë përdorur taksi, vitin e kaluar, në transportin ndërurban.

Vitin e kaluar, mbi 781.000 udhëtarë kanë udhëtuar me aeroplan nga dy aeroportet e Maqedonisë, ndërsa ulja e madhe e trafikut ajror është rezultat i pandemisë kovid-19 dhe faktit që transporti ajror ishte pothuajse plotësisht jofunksional gjatë muajve të pranverës.

Të dhënat e Entit shtetëror të statistikave, për vitin 2020, tregojnë se transporti hekurudhor i udhëtarëve përdoret më së paku nga qytetarët, duke marrë parasysh faktin se Maqedonia e Veriut nuk ka transport detar. Vitin e kaluar, me trena udhëtarësh janë transportuar vetëm 253.000 udhëtarë. Ndryshe nga vendi ynë, në Bashkimin Evropian, transporti hekurudhor përdoret shumë më tepër se transporti me taksi dhe ai me anije, ndërsa në disa vende është më i pranishëm sesa transporti ajror. Brenda BE-së, 2021 është shpallur viti i transportit hekurudhor dhe arsyeja kryesore për këtë lëvizje të udhëheqësve evropianë është fakti se trenat janë mjeti më ekologjik për transportit masiv të udhëtarëve.

Sipas Komisionit Evropian, hekurudha ka pjesëmarrjen më të ulët në emetimin e gazrave serë në atmosferë, gazra që janë arsyeja kryesore për rritjen e temperaturës mesatare të globit. Transporti hekurudhor lëshon vetëm 0.4 % të sasisë totale të gazrave serë që ishin emetuar në nivel të BE-së në vitin 2018, gjegjësisht kontribuon më së paku në ndryshimet klimatike. Në të kundërt, autobusët, makinat dhe kamionët së bashku përbënin përqindje shqetësuese prej 71.8 të emetimeve të gazrave serë në BE në vitin 2018. Trafiku ajror dhe transporti ujor, të cilët janë dy “ndotësit më të mëdhenj” të atmosferës midis vendeve anëtare të BE, kanë kontribut të konsiderueshëm në krijimin e ndryshimeve klimatike.

Komisionerja Evropiane për Transportin Adina Valean në fjalimin e saj drejtuar qytetarëve, para do kohe porositi se vendet e BE-së kanë ende shumë për të bërë para se hekurudha të bëhet mundësi transporti për evropianët. Ndryshe nga BE-ja, ku vitet e fundit numri i udhëtarëve që e përdorin trenin është duke u rritur në vazhdimësi dhe ka rritje të ndërgjegjësimit midis qytetarëve për ndikimin negativ të transportit rrugor në ndryshimin e klimës, në Maqedoninë e Veriut ende shumë pak flitet për ndryshimet klimatike, por në të njëjtën kohë edhe hekurudha po përdoret gjithnjë e më pak në udhëtimet e përditshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button