Edlir Osmani: Filmi “Karantina” trajtojn një temë shumë të ndjeshme se si sillemi ndaj kafshëve (VIDEO)

Një prej temave që inspiruan shumë regjisorë gjatë kësaj periudhe është pandemia. Kjo ndodhi edhe me Edlir Osmanin, student i vitit të tretë në Fakultetin e Arteve Dramatike, në degën Regji Filmi dhe TV, në Universitetin e Tetovës. Edliri bashkë me disa studentë të tjerë realizuan filmin e quajtur “Karantina”. Për Portalb, ai flet për fillimet e tij në këtë drejtim dhe për realizimin e projektit të fundit.

“Fillimet e mia janë që nga shkolla e mesme, ku kam marrë pjesë nëpër aktivitete të cilat kanë pasur të bëjnë me kamerën dhe me artet vizuale në përgjithësi. Pastaj vendosa që të vazhdoj studimet në drejtimin “Regji Filmi dhe TV”. Planet e radhës janë që të realizoj filma edhe dokumentarë të shkurtër studentor!” tha Edliri.

Filmi “Karantina” erdhi si rrjedhojë e kufizimeve dhe mbylljes nga pandemia. Studentët e artit, vendosën që të trajtojnë një temë pak më ndryshe, për kafshët, të cilëve ne si njerëz ua cenojmë lirinë që kur lindin.

“Ekipi me të cilin është realizuar ky projekt është i përbërë nga unë, që e kam bë regjinë edhe kamerën, më pas asistenti i kamerës, personazhi kryesor, narratori dhe montazherja. Këtë ide e kemi punuar rreth tre muaj, domethënë nga ideja, skenari, xhirimet dhe montimi. Me filmin e shkurtër “Karantina” jemi munduar të trajtojmë një temë shumë të ndjeshme se si ne sillemi ndaj kafshëve. Në fund kemi parashtruar një pyetje se mos vallë ky izolim në të cilin ndodhemi tani është një mallkim prej tyre?!” u shpreh Edliri.

Mesazhi që Edliri përcolli për të gjithë të rinjtë është:

“Nëse dashurojmë me gjithë zemër artin, herët ose vonë do t’i arrijmë qëllimet tona. Të punojmë fortë për ëndrrat që kemi!” përmbylli Edlir Osmani.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button