A do të vijë dita kanga me u zgjue

U bënë 30 vite qëkur Maqedonia (tani e Veriut) kaloi nga monizmi në demokracinë pro forma, sepse parësia e re doli nga nënsjetullat kutërbuese të sistemit të vjetër. Për pasojë, në vend të ndryshimit rrënjësor të politikbërjes, në vend të përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve, në vend të forcimit të shtetit të së drejtës, ku njerëzit dhe etnitë, ndryshe nga e kaluara bolshevike, do t’i gëzonin të gjitha të drejtat e mundshme dhe do të jetonin të barabartë në shtetin multietnik, multikulturor e multireligjioz…, ajo vazhdoi avazin e padrejtësive sipas reçetave të politikës serbomadhe, veçmas ndaj shqiptarëve të konceptuar si armiq të rrezikshëm të shtetit të ri. Më të moshuarit i mbajnë mend mirë mospërfilljet dhe përbuzjet e zërit shqiptar në kuvendin dhe qeverinë e parë maqedonase të kohës së Gligorovit, që nëpërmjet mbivotimit instaloi ndaj nesh politikën e hurit dhe litarit, e cila na shndërroi në pakicë kombëtare dhe na vendosi në shkallë të njëjtë me romët, boshnjakët, turqit, vllehët…, pa çka se trojet ku ne jetojmë prej shekujsh përbëjnë gjysmën e territorit të vendit të çudirave.

Politika e këtillë solli dhe konfliktin e vitit 2001, pas të cilit u bënë disa ndryshime të rëndësishme, por të pamjaftueshme për të avancuar statusin e etnisë shqiptare në shtetformuese; për t’i bërë shqiptarët të barabartë me maqedonasit në ekonomi, në arsim, në kulturë…; për t’i garantuar të drejtat e tyre me nene kushtetuese; për t’ua marë “të drejtën” zotrave që caktojnë hapat e kërmilltë të rritës sonë; për të ndalur rastet e montuara dhe burgosjet e njerëzve të pafajshëm si teroristë; për të ndërprerë fyerjet dhe poshtërrimet e shqiptarëve nëpërmjet enciklopedive dhe teksteve shkollore; për të frenuar ulëritjet kanibaleske dhe shpërthimet e shpeshta të antishqiptarizmit të hapur, që nuk do të toleroheshin në asnjë vend mirëfilli demokratik evropian; për të ndalur një herë e përgjithmonë dhunën policore në vendbanimet shqiptare, si në rastet e Bit Pazarit, Gostivarit, Sopotit, Brodecit, Kumanovës…, që për nga brutaliteti tejkaluan dhe bëmat e ekspeditave famëkeqia rankoviqiste.

Megjithatë, ajo që befason njerëzit e esëllt nuk është politika hegjemone ndaj nesh, të cilën e mbajnë gjallë aspiratat e të voglit që dëshiron të bëhet me çdo kusht i madh, por mungesa e vullnetit tonë për t’i thënë stop! nëpërkëmbjes së dinjitetit, respektit tonë të nëjanshëm ndaj tjetrit që kuptohet si inferioritet kulturor e racor. Si të sqarohet ndryshe fakti se etnia shqiptare edhe sot është më e përbuzura nga një pjesë e konsiderueshme e klasës politike dhe intelektuale maqedonase, përkundër të dhënës se janë të vetmit ballkanas që e njohin Maqedoninë e Veriut si shtet, që e njohin kombin maqedonas bashkë me gjuhën dhe kishën, ndërkohë që të dashurit e tyre – serbët, bullgarët dhe grekët nuk i bëjnë beli fare. Shqiptarët madje shpallen fajtorë për çdo të keqe që i ndodh këtij vendi, përfshirë këtu dhe fajësinë për përhapjen e koronavirusit!?, që, a thua rastësisht?, doli nga goja e akademikes Qullavkova.

Sado e dhimbshme dhe anakronike qoftë, kjo situatë do të zgjasë për aq kohë sa politikbërësit e bërë pikë e pesë, të cilët përfaqësojnë popullatën 20-përqindëshe që flet një gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja hyjnore e 44-trës, nuk denjojnë të bëhen bashkë, si Zaevi e Mickovski për interese më të mëdha sesa ato të partive nëna.  Deri atëherë, do të thoshte Migjeni: ndoshta do  të vijë dita kanga me u zgjue.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button