RMV, përmes audio librave të para në gjuhën shqipe synohet përfshirja e plotë në arsim e fëmijëve me disleksi

Fëmijëve shqiptar të shkollave fillore në Maqedoninë e Veriut të cilët kanë çrregullim në të lexuar apo disleksi së shpejti do të ju mundësohet që procesin arsimor ta zhvillojnë pa ndonjë pengesë. Katër anëtare të Klubit të Librit në Tetovë tash disa ditë regjistrojnë librat e parë audio shqip për këta nxënës, psikologja e përfshirë në këtë projekt, Ajnur Ismaili, foli për vështirësitë me të cilat përballen këta nxënës ndërsa synimi i tyre është që të lehtësojnë mësim nxënien për këta nxënës, shkruan Portalb.mk.

Ajnur Ismaili e cila me profesion është psikologe theksoi se numri i fëmijëve me disleksi në Maqedoninë e Veriut nuk është i vogël ndërkaq sipas saj, ata përballen me vështirësi të mëdha gjatë procesit arsimor, madje edhe me mungesë të mjetit elementar për mësim për ata, librit audio.

Ajnur Ismaili, psikologe.
Ajnur Ismaili, psikologe.

“Fëmijët me disleksi, që do të thotë një çrregullim i të lexuarit përballojnë vështirësi shumë të rëndë, akoma gjendjen e rëndon faktin se edukatorët nuk kanë shumë njohuri për këtë problematikë. Në vend që ti lehtësohet fëmijës ky proces i të mësuarit, fëmija etiketohet me fjalë të rënda dhe ofenduese” tha Ajnur Ismaili.

Ismaili tha se përmes këtij projekti synojnë përfshirjen e plotë të nxënësve me disleksi në procesin arsimorë, gjë që sipas saj, do të kishte ndikim pozitiv edhe në gjendjen e tyre psikologjike dhe emocionale.

“Kjo do të mundësonte që ata të përfshihen në mënyrë të plotë në procesin arsimor që do të ndikonte në suksesin shkollor, pas kësaj ka edhe përfitime të mëdha psikologjike dhe emocionale, rritja e vetëbesimit, ndjenja e të qenurit i përfshirë dhe i inkuadruar” tha Ismaili.

Ajnur Ismaili nuk e mohoi faktin se te nxënësit me çrregullime në të lexuar të cilët janë përbuzur, bullizuar dhe etiketuar me emra të ndryshëm mund të pasojnë pasoja psikologjike, siç janë vetëbesimi i ulët, mungesa e përfshirjes në grupe si dhe socializim i reduktuar.

Rrezearta Elezi, mjeke.
Rrezearta Elezi, mjeke.

Nga ana tjetër, mjekja e cila çdo ditë ndanë disa orë nga dita e saj për të regjistruar këto audio libra, Rrezearta Elezi, theksoi se ndjenja të cilën e përjeton gjatë realizimit të këtij projekti është e papërshkrueshme.

“Ideja është implementimi i një projekti i cili do të ju mundësojë fëmijëve me disleksi që të bëjnë leximin e librave shkollor, kemi siguruar nga shtëpitë botuese libra për nxënësit nga klasa e dytë deri në klasën e pestë. Ajo që bëjmë është që lexojmë këta libra me një ritëm i cili është i kuptueshëm për nxënësit në atë formë që fëmijët me disleksi dhe ata të cilët kanë vështirësi në lexim të mundin të përcjellin librat shkollor që janë të detyrueshëm” tha Rrezearta Elezi.

Rrezearta Elezi, Ajnur Ismaili.

Udhëheqëse e këtij projekti i cili financohet nga Fondacioni Maarif për realizimin e librave të parë audio në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut është edukatorja speciale Siëndrra Mehmeti e cila së bashku me Rrezearta Elezin, Ajnur Ismailin dhe Valbona Ramadanin bëjnë regjistrimin e librave në studion e Radio RED.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button