Zaharieva: Propozimi që do të sillet në Sofje nga Silva dhe Varheji është pa asnjë garanci për Bullgarinë

Ish-ministrja e Jashtme bullgare Ekaterina Zaharieva është shprehur se propozimi që do të sillet sot në Sofje nga ministri i Jashtëm portugez Augusto Santos Silva dhe Komisioneri i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varhei, ndërsa me të cilin do të debllokohej procesi qasës i Maqedonisë së Veriut, nuk e plotëson pozicionin kornizë të Bullgarisë, transmeton Portalb.mk.

Ajo thotë se qëllimi i vizitës së sotme është i qartë – Presidenti Rumen Radev dhe qeveria teknike që ai caktoi të miratojë Kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut në mënyrë që të mund tl mbahet konferenca e parë ndërqeveritare dhe de fakto të fillojnë bisedimet për anëtarësim në BE. Sidoqoftë, sipas saj, propozimi i sjellë nga përfaqësuesit evropianë nuk ka garancitë e nevojshme.

“Përpjekja për propozim kompromisi është sekret publik në Bruksel dhe po qarkullon në korridoret e Komisionit Evropian dhe Këshillit. U njoha me të dhe do ta lejoj veten ta komentoj paraprakisht. Fatkeqësisht, propozimi përsëri nuk korrespondon me pozicionin kornizë të Bullgarisë, të pranuar nga Qeveria dhe të miratuar njëzëri në Parlament, pasi nuk përmban asnjë garanci se fqinjët tanë do të pranojnë vlerat Evropiane. A kemi garanci që fushata anti-bullgare në Shkup do të ndalet? A do të ndalet Republika e Maqedonisë së Veriut së përndjekuri qytetarët e saj me vetëdije bullgare? A do t’a parandalojë hyrjen e librave bullgarë në kufi? Garancë që nuk do t’i pengojë investitorët bullgarë? A do të ketë transmetim në televizionin bullgar? A do ta ndalojnë fushatën e zezë kundër Bullgarisë në të gjithë Evropën? Unë nuk i pashë këto garanci”, komentoi Zaharieva në Facebook.

Ajo tha se sot do të ndjekë me interes bisedimet që do të zhvillohen gjatë vizitës së Silvas dhe Varhejit dhe porositi që diplomacia bullgare edhe nën udhëheqjen e saj ishte për zgjerimin e BE-së, por jo në dëm të një vendi anëtar.

“Ne e njohim të drejtën e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vetëvendosje, si dhe të drejtën e tyre për të thirrur gjuhën e tyre si të duan, por është gjithashtu e nevojshme që ata të njohin të kaluarën tonë të përbashkët. Vetëm atëherë do të mund të ecim përpara së bashku”, porositi Zaharieva.

Këto komente të Zaharievës vijnë pas informacionit se sot ministri portugez i Shtetit dhe Punëve të Jashtme, Augusto Santos Silva, në emër të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Komisionerit për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi, do ta vizitojnë Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut, për të diskutuar për çështje në lidhje me procesin e zgjerimit të BE-së me autoritetet e të dy vendeve.

Përndryshe Maqedonia e Veriut, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perëndimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te anëtarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button