Valentina Bozhinovska nuk pranoi ofertën për të qenë pjesë e këshillit strategjik për punë të jashtme, kjo është arsyeja

Valentina Bozhinoska dhe Srgjan Kerim janë në mesin e 26-të anëtarëve të propozuar për Këshillin Strategjik për punë të jashtme, si organ këshillues i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Megjithatë, sot Valentina Bozhinoska u deklarua se nuk do të mund të pranojë këtë ofertë, për shkak të disa problemeve shëndetësore. Sot ministri, Bujar Osmani kishte mbledhje me anëtarët ku tha se ka emra me mendime të ndryshme dhe pikërisht ajo është e rëndësishme që ky këshill të dëgjojë ide dhe qëndrime të ndryshme, transmeton Portalb.mk.

Anëtarë tjerë të propozuar të këshillit janë edhe Marjan Gjurovski, Nano Ruzhin, Denko Maleski, Marko Troshanovski, Ivana Tufekgjik, Gordan Gorgiev, Lazar Elenovski, Zhivko Mukaetov, Viktor Gaber, Ajdovan Ademovski.

“Kjo do të jetë organ këshillues i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Bëhet fjalë për njerëz me cilësi, njohës të mirë të politikës së jashtme. Gjatë zgjedhjeve kam pasur kujdes që të kemi ekspertizë së gjerë, të jenë njerëz që janë të liruar nga presioni i politikës së përditshme. Jam i gatshëm t’i ndërthurim qëndrimet e ndryshme që të ndërtojmë qëndrim të përbashkët”, tha ministri Osmani në konferencën për media pas mbajtjes së takimit konsultativ.

Siç tha Osmani, anëtarët do të punojnë vullnetarisht, përkatësisht nuk do të marrin të holla për angazhimin e tyre.

Ndërkaq Valentina Bozhinovska në një deklaratë për A1on theksoi se nuk do të mund të jetë pjesë e këshillit strategjik të ministrit për punë të jashtme, Bujar Osmani, mirëpo shpreson në bashkëpunime tjera në të ardhmen, shkruan Portalb.mk.

“I nderuar ministër, ju falënderoj për ftesën dhe për idenë tuaj, e cila është brilante dhe e përshëndes, mirëpo për shkak të arsyeve personale shëndetësore, nuk mund të kontribuoj kësaj radhe, mirëpo shpresoj të hasim në bashkëpunim në të ardhmen sepse jam e bindur se të gjithë së bashku duhet të bashkohemi për një shtet evropian” tha Bozhinovska.

Valentina Bozhinovska pas zgjedhjeve parlamentare më 11 dhjetor 2016, si drejtore e atëhershme e Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare dhe grupet religjioze, në protestat para Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të cilat atëherë i organizonte VMRO – DPMNE, në fjalimin e saj tha se tubimi para KSHZ-së është “nata e thikave”.

“T’i përshëndesim mbrojtësit, kjo natë është natë e thikave, kjo natë është natë ose e arsyes ose e çmendurisë së një personi. E tradhtarit të fundit maqedonas Zoran Zaev. Do të ndodhë një ditë kur do të themi “ejani vëllezër dhe motra të mblidhemi dhe të shkojmë, të shohim kush do të jetë mbreti ynë e kush spiun”, tha Bozhinovska.

Dy muaj më vonë, filluan protestat që kulmuan me sulmin e organizuar në Kuvend më 27 prill, ku u lënduan deputetë dhe gazetarë, mes tyre edhe kryeministri aktual, Zoran Zaev. Në shtator 2018, kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov nuk e pranoi propozimin e këshilltarëve të VMRO – DPMNE-së në Qytetin e Shkupit, që Bozhinovska të jetë anëtar i bordit për ndarjen e çmimit “13 nëntori”.

Srgjan Kerim ish diplomat dhe ish ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Lupço Georgievskit, është njëri ndër dy të dyshuarit në rastin e PSP-së për vepër penale për dështim të kompanisë mediatike Media Print Maqedoni. Ai dyshohet për veprat penale: falimentim të rrejshëm, privilegj i kreditorëve dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe kompetencave, për të cilat parashihen dënime me burg. Prej kur nga pronësia e MPM-së u tërhoq Orka holding e biznesmenit Orce Kamçev, Kerim ishte pronari i vetëm i kompanisë e cila botonte gazetat “Vest”, “Utrinski” dhe “Dnevnik” dhe magazinën “Tea moderna”. Pasi Kerim dhe drejtoresha Jana Stanisavleva e çuan kompaninë në falimentim, kreditorët mbetën me borxhe të papaguara nga kjo kompani në vlerë prej 3 milionë euro. Përderisa ai ishte drejtor, ndaluan së botuari gazetat, me çka u shkarkuan mbi 300 gazetarë, punonjës në shtypshkronjë dhe të tjerë dhe këto gazeta më nuk ekzistojnë.

Kerim nuk ishte në këshillin e sotëm pasi jeton në Kroaci.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button