Liria në ankand

Dje dhe sot temë kryesore në gjyqësinë e Maqedonisë së Veriut është sërish rasti i të gjykuarit në shkallë të parë, Sasho Mijalkov i cili ofroi një propozim të majëm në formë të garancës për t’u mbrojtur në liri në rastet gjyqësore që zhvillohen kundër tij. Oferta e tij e joshi prokurorinë por për fat të mirë jo edhe gjykatën e cila nuk e pranoi kërkesën e mbrojtjes për mbrojtjen nga liria të ish kreut të shërbimit sekret, edhe përskaj mendimit pozitiv që e dha Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.

Ka disa momente kyçe në këtë ngjarje të pazakontë.

E para, Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion ka mandat të ndjekë pikërisht rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku persona me fuqi të mëdha politike janë involvuar në kryereje të krimeve të rënda prej të cilave ata kanë përfituar pasuri të mëdha. Situata kur një prokurori me një mandat të tillë pajtohet të japë mendim pozitiv për gjykatën për kërkesën e mbrojtjes duke propozuar pranim të garancës së dhënë prej mbi dhjetë milion eurosh dhe në këmbim të zëvendësojë masën e paraburgimit me masë më të butë, nuk ka se si të mos krijojë në opinion përshtypje se ajo që nuk mund të blihet me para mund të blihet me shumë para. Është skandaloze që Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion të krijojë përshtypje se gjithçka ka një çmim të caktuar dhe pasuria e madhe nënkupton mundësi më të mira ndjekjeje dhe gjykimi për persona të involvuar në krime serioze.

E dyta, sa shpejt e harroi Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion incidentin kur Sasho Mijalkov ishte i pakapshëm për policinë për një ditë e gjysmë! Sa shpejt u harrua çështja që i gjithë kreu shtetëror u mobilizua për ta gjetur dhe për ta kthyer në procedurë penale pas asaj që sipas të gjitha gjasave ishte një tentativë e pasuksesshme për arratisje! Në procedurën lidhur me kërkesën për mbrojtje nga liria Porkuroria thotë që momenti i pakapshmërisë së Mijalkovit gjatë atyre ditëve nuk konsiderohet si arratisje sepse, lexoni me vëmendje, ai vetë qenka paraqitur në Prokurori për ta marë vendimin për paraburgim. E keni parasyshë atë momentin kur kushëriri u paraqit para prokurorisë dhe dha përgjigje për kamerat se nja dy ditë kishte qenë i sëmurë rëndë me Covid-19 (edhe pse këtë sëmundje e kishte kaluar disa muaj më herët) dhe kishte pasur shumë temperaturë, me fjalë të tjera nja dy ditë se kishte ditur edhe vetë ku ndodhet? E pra te dashur lexues, të jeni të sigurtë se pasi Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korripsion thotë se ky incident nuk ka qenë tentim për arratisje, as mos ju shkojë mendja se ka qenë diçka tjetër përveç bashkëpunimit të ngushtë të të akuzuarit me “drejtësinë”.

E treta, kjo Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion mes tjerash ka për detyrë që të kërkojë ngrirje dhe më pas konfiskim të pronës së krijuar në mënyrë të paligjshme. Pjesë e masës së konfiskimit është hetimi se prej ku ka derivuar dhe si është krijuar prona e dikujt. Kjo aq më shumë ka rëndësi kur bëhet fjalë për pronën e një ish funksionari shtetëror të ardhurat e të cilit janë të njohura dhe të evidentuara në sistemin shtetëror. Si mund të ndodhë që për asnjë moment Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion të mos i interesojë përgjigja e një pyetjeje të thjeshtë: Prej ku dhe në çfarë mënyre ka arritur Sasho Mijalkov të sigurojë më tepër se dhjetë milion euro për të dhënë garancë se nuk do të arratiset nëse i sigurohet mbrojtje nga liria? Cili funksionar shtetëror me rogat e një shteti të varfër si Maqedonia mund të sigurojë një shumë të tillë dhe në çfarë baze? Kjo si duket nuk ka qenë pyetje me interes të lartë për Prokurorinë e joshur nga shuma e majme e këtij propozimi të paturpshëm e cila si duket ka qenë tepër e zënë duke rritur çmimin e lirisë së Mijalkovit në ankandin e përgatitur ku oferta më e lartë duhej të fitojë.

E katërta, gjykata edhe në këtë rast tregoi që mund të jetë një mekanizëm i shkëlqyer i punës së organeve tjera të drejtësisë. Në praktikën gjyqësore të Maqedonisë së Veriut rallë ndodh që të mos pranohet kërkesa e mbrojtjes nëse prokuroria paraprakisht ka dhënë mendim pozitiv për atë kërkesë. Ky rast ishte një përjashtim i mirë nga kjo praktikë, i bazuar në logjikën e shëndoshë se një i gjykuar në shkallë të parë, i cili paraprakisht ka qenë i pakapshëm për organet e rendit, tani ofron shumë të majme për garancë ndërsa të njejtit i kërcënohet dënim me burg mbi dhjetë vjet, nuk është mirë të lëshohet në liri sepse rreziku për arratisje mbetet i lartë edhe përskaj garancës së shtrenjtë dhe mendimit pozitiv të prokurorisë. Ky qëndrim i gjykatës është për t’u përshëndetur dhe shpresoj të qëndrojë i tillë deri në fund, me qëllim që drejtësia e plotë të vendoset në këtë rast dhe një herë e mirë të krijohet përshtypja se gjyqësia në këtë vend mund të funksionojë në mënyrë efikase.

E pesta, mbulimi mediatik i kësaj ngjarjeje lë shumë për të dëshiruar. Dje u përhap si lajm senzacional propozimi i mbrojtes për garancën dhjetëmilionëshe të Mijalkovit dhe mendimi pozitiv i Prokurorisë për këtë çështje. Ky ishte lajmi më i komentuar në të gjitha rrjetet sociale gjatë gjithë ditës së djeshme. Sot që në mëngjes gjykata e refuzoi kërkesën e mbrojtjes edhe përskaj mendimit pozitiv të prokurorisë dhe këtë e raportuan vetëm tri mediume. Edhe pas mesditës nuk pati ndonjë debat të konsiderueshëm nëpër rrjetet sociale për këtë vendim të rëndësishëm të gjykatës. Sepse lajm si duket është gjithmonë dështimi i një institucioni po lajm nuk është veprimi i duhur i një institucioni tjetër. Në kushte si këto në vendin tonë, kur veprimi i rregullt dhe ligjor i institucioneve gjyqësore ka munguar për një kohë të gjatë jam e bindur që rastet kur gjykata sjell një vendim të duhur duhen promovuar po aq sa edhe rastet kur institucionet tjera shtetërore dështojnë të bëjnë një gjë të tillë.

Përfundimisht, kur mendohet se gjithçka mund të blihet me para, kur mendohet se mund të vendoset një sistem ankandi ku propozuesi me çmimin më të lartë të ofruar e siguron mallin e vet, është mirë të shihet se megjithatë, paratë nuk mund të blejnë gjithçka dhe liria nuk është diçka që mund të blihet në ankand.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button