Arsimimi dhe ecja me hapin e kohës siguron të ardhmen

Rrojmë në kohë të vrullshme të përparimeve shumë të mëdha, të shndërrimeve rrënjësore dhe cilësisht të reja. Sidomos, që prej në kapërcyellin e shekullit të kaluar, me shfaqjen dhe përsosjen e vazhdueshme të rrjetit të internetit dhe të teknologjive të informacionit dhe të telekomunikimeve. S’do mend se informatika është mëma e shumë ndryshimeve thelbësore, mbartëse e dukurive të reja, një forcë vepruese që sjell ndryshime të vazhdueshme në procesin e lëvizjes dhe të zhvillimit të tyre. Vërehet mirë se procesi i digjitalizimit a i numerizimit, si një kthese e madhe,  përfshin thuajse çdo fushë të veprimtarive dhe të mënyrave të jetesës së njerëzve.

Vënia në jetë e saj ndryshoi dukshëm organizimin e mëparshëm të shumë ndërmarrjeve dhe institucioneve. Ndryshoi shpirtin e shumë punëve dhe veprimtarive. S’do fjalë, ndryshuan shumë kohët dhe erdhën të tjera kohë. Gjërat e jetuara në të kaluarën që na kanë pëlqyer shumë bëhen ideale të paarritshme, të cilat nuk mund që të përkëdhelen dhe të rijetohen, përveçse që me mall të rikujtohen. Dihet mirë se teknologjisë digjitale a numerike i takon pashmangësish e ardhmja. Duke qenë se njohja fare e cekët ose shumë e kufizuar e teknologjive të përdorimit të gjerë dhe që i përkasin kohës vështirëson jetën, për t’u mos u shkëputur nga jeta e gjallë dhe për t’u përfshirë në shoqëri, po të mos jetë e mundur më shumë, të paktën njohja e abëcëjave të tyre është nevojë e domosdoshme e kohës.

Dihet se ngritja e vazhdueshme e  shkallës së përgatitjes së punëtoreve dhe të punonjësve, cilësimi i tyre i mëtejshëm krahas dhe njëkohësisht shfaqjes së përvojave më të mira dhe formimi i shprehive të reja të punës është një gjë shumë e dobishme. Siç e dimë, me pikësynimet kryesore, për të lehtësuar punën e njeriut, për të rritur prodhueshmërinë, ndër të tjera, bëhet kalimi i gjerë nga teknologjia analogjike a lineare, në atë digjitale a numerike. Një gjë që sjell me vete, teknologjinë virtuale a jolëndore në vend të saj reale a lëndore, kryerjen e pjesshme a të plote të shumë veprimeve mendore dhe praktike të njeriut me anë të aparateve a të pajisjeve të zgjuara automatike, dhe ashtu me radhë. Si rrjedhim, ndryshojnë mënyrat dhe stilet e kryerjeve të shumë punëve a veprimtarive prodhuese, kulturore,  krijuese, organizuese, etj., të njerëzve në tërësi.

Dihet mirë  se duke punuar, ndihemi me të gjallë, nxitim dhe zhvillojmë shkathtësitë trupore dhe mendore, i japim shoqërisë dhe sigurojmë jetesën. Dhe jo më kot thonë se njeriu ndryshket po të mos punojë. S’ka dyshim se puna dhe shkolla shkathtësojnë mendjen. Prirja e theksuar e procesit të digjitalizimit, e përdorimit gjithnjë e më të madh të inteligjencës a zgjuarsisë artificiale në vend të saj njerëzore, e robotizimit, midis të tjerave, dihet që shkurton dhe se edhe më shumë do të shkurtojë numrin e përgjithshëm të punëtorëve dhe të punonjësve të ndërmarrjeve dhe të institucioneve në tërësi, një gjë që mbjell ndjenjën e pasigurisë për të ardhmen.

Ndjenjën e shqetësimit të thellë për një kërcënim rreziku të pritshëm se do të ketë mungesë të punës, e quaj të pathemeltë, ngase një pjesë e madhe e punëve a e profesioneve do të zhduken, por edhe shumë të reja do të linden. Por sigurisht se do të mbivlerësohet puna mendore dhe se arsimi përkatës do të nevojitet. Vlen të përmendet se duke pasur parasysh se caqet e zhvillimeve të mëtejshme të këtyre teknologjive janë të pafundme, gjykoj se vënia e caqeve që pengojnë a kufizojnë zhvillimin e lire të tyre është gjëja më e mençur që duhet bërë. Një çështje që mundet zgjidhur vetëm se duke hartuar e lidhur traktate ndërkombëtare-kornizë dhe duke i plotësuar me përpikëri vendimet.

Dhe nja dy a tri fjalë për dy dukuri, për punën në largësi dhe për tekstet digjitale. Natyra e re e punës, e punës në largësi, në shtëpi dhe në internet, e cila me të madhe vihet në jetë, që gjendja e tanishme sanitare e arsyeton, e cila në shumë vende të huaja ka do vite që zbatohej, ka anët e  mira, por e mbarsur me pasoja të pritshme. Disa nga to tashmë u përshenjën dhe duken. Gjykoj se forma tradicionale, të shkohet në vend të punës, të shkohet në shkollë, e ashtu me radhë, nuk duhet zhdukur asnjëherë. Ç’është e drejta, duhet pasur mundësi për zgjedhje. Dhe për format e botimeve të teksteve të ndryshme. Gjykoj se krahas botimeve të teksteve digjitale edhe ato të llojeve të shkruara a të shtypura në fleta letre duhet që të jenë përgjithmonë.

Dhe si përfundim, punët e ardhshme akoma më shumë do të kenë lidhje të ngushta me teknologjitë e kohëve. Arsimimi dhe ecja me hapin e kohës, zotërimi i njohurive, aftësimi, shkathtësimi dhe formimi i shprehive të duhura për përdorimin me lehtësi të tyre, si dhe freskimi i vazhdueshëm i tyre siguron të ardhmen.

Nga Ismet Bakiu

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button