Zaev për ‘Politico’: BE-ja rrezikon të humbë ndikimin në Ballkan

Kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi BE-në se do të marrë goditje mbi reputacionin e saj në Ballkan dhe do të humbasë më shumë vende përpara fuqive rivale nëse nuk fillon së shpejti bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë dhe Shqipërinë, përcjellë Portalb.mk.

“Shumë çështje nuk ishin siç prisnin qytetarët tanë dhe për shkak të kësaj euroskepticizmi po rritet”, tha Zaev në një intervistë për Politico me bazë në Bruksel.

Zaev tha se dështimi për fillim të bisedimeve do të ndikojë jo vetëm në vendin e tij dhe Shqipërinë, por edhe rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor. Nëse nuk shihet që BE-ja t’i mbajë premtimet e saj në rajon, kjo gjithashtu do t’i japë Kosovës dhe Serbisë më pak nxitje për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre në bisedimet e sponsorizuara nga BE-ja dhe do të ketë më pak gjasa që Bosnja dhe Hercegovia të zbatojë reformat e nevojshme për negociatat e saj të anëtarësimit,tha Zaev ne intervistë.

Atëherë, sipas Zaevit, “ka më shumë hapësirë” për fuqitë e tjera në rajon, duke përmendur në veçanti Rusinë dhe Kinën.

Zaev gjithashtu hodhi poshtë idenë e paraqitur nga Komisioneri i Zgjerimit të BE-së Oliver Varhei për ndarje të Maqedonisë dhe Shqipërisë në rrugën për në BE, duke thënë se shumë vende të BE-së kanë thënë ditëve të fundit se dy vendet duhet të shkojnë bashkë në këtë rrugëtim. Gjermania, Sllovakia dhe Greqia janë midis atyre që e kanë bërë të qartë se nuk ndajnë pikëpamje të njëjta me komisionerit hungarez.

“Ekziston mesazh i qartë i ndarjes dhe shpresoj se Bullgaria do të jetë e arsyeshme”, tha Zaev.

Ai jep interpetimin se Varhei mund të jetë përpjekur t’i inkurajojë Maqedoninë dhe Bullgarinë të arrijnë marrëveshje në bisedimet me Sofjen. “Unë gjithmonë besoj në qëllime të mira dhe besoj se ai donte të bënte presion mbi ne dhe Bullgarinë për të gjetur një zgjidhje, nëse është e mundur”, tha ai.

Ai shprehu optimizëm se mund t’i gjendet fundi qorr-sokakut me Bullgarinë, duke i përshkruar problemet midis Sofjes dhe Shkupit si “jo thelbësorë”.

Zaev shpreson që qeveritë më të fuqishme perëndimore, duke përfshirë administratën amerikane të Joe Bidenit, do të ndihmojnë në zgjidhjen e ngërçit. Nëse nuk ka progres, paralajmëroi ai, procesi i zgjerimit do të jetë i ngrirë për të paktën një vit e gjysmë derisa po zhvillohen zhvillohen në Bullgari dhe te fuqitë e mëdha të BE-së, Gjermani dhe Francë.

Ajo do të ishte një goditje e mëtejshme e hidhur për Maqedoninë e Veriut, thekson Politico, e cila, siç shton, është përpjekur të antarsohet në organizatat kryesore politike perëndimore – madje duke ndryshuar emrin e saj nga Maqedonia për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje disa dekadëshe të gjatë me Greqinë fqinje. Ky ndryshim lejoi vendin që të antarsohet në NATO-n, por BE-ja ende nuk e ka përmbushur premtimin e saj të bisedimeve të anëtarësimit.

“Nuk kemi fat”, tha ai, duke qeshur me hidhërim derisa mendonte për përpjekjet e mëdha për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje të gjatë me Greqinë.

“Kam marrë kaq shumë shpërblime – nga Gjermania, nga Austria, të gjitha shpërblimet e mundshme. Vetëm shpërblimi që prisnim, integrimi në BE nuk vjen”, shkruan “Politico”.

Lidhur me vaksinat, Zaev thotë se qeveria e tij ka paguar çmim politik për besimin në solidaritetin e BE.

“Vaksinat erdhën vonë. Kemi pritur kaq gjatë dhe njerëzit kërkonin përgjegjësi nga unë. Ishte një atmosferë vërtet e pakëndshme”, thotë Zoran Zaev në intervistën për “Politico”.

Qeveria e Zaevit ka insistuar për muaj me radhë që t’i përmbahet vaksinave të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave. Por në fund vendosi të merrte vaksina nga Kina, ndërsa mori donacione nga Serbia.

Pavarësisht të gjitha dështimeve, Zaev thekson se është optimist se BE mund të rifitojë shpejt terrenin e humbur – nëse së shpejti fillon bisedimet e anëtarësimit.

“Zhgënjimi që është shfaqur në pesë deri në gjashtë muajt e fundit mund të kthehet me një mesazh të fortë për zgjerim për ato vende që e meritojnë atë, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria me të vërtetë meritojnë të ndërmarrin hapin tjetër”, tha Zaev në një intervistë për brukselasen Politico.

Përndryshe Maqedonia e Veriut, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button