Sipas frekuencës së mjeteve motorike, Korridoret 8 dhe 10d nuk duhet të jenë autostrada në tërësi (Infografik)

Ndërsa opinioni pret që institucionet kompetente të dalin me propozim-zgjidhjen për modelin sipas të cilit do të ndërtohen autostradat e reja përgjatë Korridoreve 8 dhe 10d, të dhënat nga vitet e fundit tregojnë dallime të mëdha në frekuencën e mjeteve motorike në segmente të ndara në të cilat është paraparë të ndërtohet autostradë. Në fund të marsit, Qeveria me konsorciumin “Behtell-Enka” e nënshkroi Memorandumin për mirëkuptim dhe bashkëpunim për përpunim të dokumentacionit të projektit dhe ndërtim të segmenteve të autostradave Tetovë-Gostivar, Gostivar-Bukojçani, Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë dhe Prilep-Manastir, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Meta.mk” i analizoi të dhënat për vitin 2020 dhe 2019 për komunikacionin mesatar ditor në vit (KMDV), që fitohen nga numëruesit automatik për mjete motorike të vendosura nga Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore. Praktika ndërkombëtare thotë që për t’u ndërtuar një autostradë me profil të plotë, e domosdoshme është frekuencë prej së paku 12.000 mjeteve motorike mesatarisht në ditë (KMDV).

Të dhënat e NP për rrugë shtetërore tregojnë që vitin e kaluar edhe në vitin 2019, aksi rrugor më i frekuentuar ka qenë autostrada Tetovë-Gostivar. Vitin e kaluar, në këtë aks rrugor, mesatarisht në ditë kanë qarkulluar nga 13.647 mjete motorike, ndërsa në vitin 2019 KMDV-ja ka qenë 16.300 mjete motorike në ditë. Duke e pasur parasysh faktin që ky aks rrugor nuk është rehabilituar kohë më të gjatë, investimi në atë konsiderohet si aktiviteti më i arsyeshëm.

Frekuencë më e madhe e mjeteve motorike është matur edhe në rrugën ekzistuese nga Gostivari deri në udhëkryqin me rrugën për në Mavrovë, ku KMDV në vitin 2019 ka qenë 10.499 mjete motorike, ndërsa vitin kaluar në periudhën e kovid pandemisë është zvogëluar në mesatare prej 7.657 mjeteve motorike në ditë. Rruga ekzistuese magjistrale nga Gostivari deri në Kërçovë në të ardhmen do të duhet të zëvendësohet me autostradë të re nga Gostivari nëpër fshatrat Gjonovicë e Sipërme dhe Bukojçani deri në Kërçovë.

Megjithatë, shifrat aktuale për Korridorin rrugor 8 tregojnë që këto segmente janë të vetmet ku ka mjaftueshëm ose përafërsisht komunikacion të mjaftueshëm për t’u ndërtuar autostradë me profil të plotë. Të dhënat e tjera tregojnë që segmenti nga fshati Trebenishtë deri në Strugë në vitin 2019 ka pasur frekuencë mesatare prej 7.532 mjete motorike në ditë, ndërsa vitin e kaluar KMDV-ja ka qenë 6.237 mjete motorike. Më së paku komunikacion ka pasur segmenti nga Struga deri në kalimin kufitar Qafë Thanë, ku vitin e kaluar ka pasur 1.991 mjete motorike në ditë, ndërsa këtë rrugë në vitin 2019, mesatarisht e kanë kaluar nga 4.154 mjete motorike në ditë.

Rruga ekzistuese Prilep-Manastir, që është pjesë e nyjës D të Korridorit 10, në vitin 2019 ka pasur KMDV prej 5.057 mjeteve motorike në ditë, ndërsa në vitin 2020 frekuenca mesatare e mjeteve motorike ka qenë 4.012 në ditë.

Shifrat për frekuencën e mjeteve motorike janë kriteri kryesor sipas të cilit në vendet e zhvilluara vendoset me çfarë profili ndërtohet infrastruktura rrugore. Nëse nuk ka komunikacion të mjaftueshëm për realizim të autostradës, në raste të tilla, autoritetet përgjegjëse vendosin për ndërtim të rrugëve ekspres ose për zgjerim dhe rehabilitim të rrugës ekzistuese. Në fakt, të gjitha kreditë që i ka marrë vendi gjatë viteve të fundit nga institucionet ndërkombëtare financiare, Banka Botërore dhe BERZH janë marrë me parashikim të gatshëm për frekuencën e ardhshme të komunikacionit.

Në vendin tonë, me kreditë e tilla janë duke u ndërtuar katër rrugë ekspres – Rankovcë-Kriva Pallankë, Shtip-Radovish, Shtip-Koçani dhe Gradsko-Prilep. Për dallim prej shumave të larta që i paguan vendi për ndërtimin e segmenteve të autostradave, rrugët ekspres aktuale që janë duke u realizuar kushtojnë disa herë më lirë. Më i shtrenjtë ndër ato është rruga ekspres Rankovcë-Kriva Pallankë, ku për ndërtimin e 23 kilometrave do të shpenzohen 58,5 milionë euro, ose rreth 2,5 milionë euro për një kilometër. Faza e parë e ndërtimit të rrugës ekspres Shtip-Radovish kushton 27,2 milionë euro për 23,56 kilometra gjatësi, përkatësisht 1,15 milionë euro për një kilometër.

Përkundër kësaj, dy kilometrat e para të autostradës Shkup-Bllacë kushtojnë 14,26 milionë euro, përkatësisht, nga buxheti do të ndahen nga më shumë se 7,1 milionë euro për një kilometër. Autostrada Kërçovë-Ohër me 57 kilometrat gjatësi të projektuar dhe me 598 milionë euro të shpenzuara deri më tani thuajse 10,5 milionë euro për një kilometër të ndërtuar.

Shkaku kryesor për dallimet e mëdha në kostoja e autostradave përkundër rrugëve ekspres është në punën e dyfishtë gjatë realizimit të objekteve më të ndërlikuara infrastrukturore përgjatë trasesë. Për shembull, kur realizohet rrugë ekspres, për shkak të gjerësisë më të vogël të rrugës, për qarkullim në dy drejtimet ndërtohet një urë, kurse kur ndërtohet autostradë, patjetër është të ndërtohen dy ura, nga një urë për çdo drejtim. Krahas kësaj, rrugët ekspres mund të sigurojnë nga dy korsi për qarkullim në çdo drejtim dhe shpejtësi të mjeteve motorike prej maksimum 110 kilometra në orë.

Krahas asaj që autostradat kushtojnë shumë më tepër mjete dhe nevojitet më tepër kohë për realizim, Maqedonia e V. në mes të kovid pandemisë ka problem të posaçëm edhe me borxhin publik, i cili në fund të vitit 2020 arriti në 59,9%, ndërsa borxhi shtetëror ishte 51%. Nëse nuk bëhet dimensionim i drejtë i investimeve në infrastrukturën rrugore në pajtim me kërkesën në komunikacion, atëherë vendi rrezikon të futet në investime të reja joprofitabile në autostrada, të cilat do ta rrisin borxhin e shtetit.

Përndryshe, Platforma e organizatave qytetare për luftë kundër korrupsionit në fund të prillit këtë vit reagoi për nivelin e ulët të transpаrencës së procesit me të cilin Qeveria e RMV-së e kontrakton ndërtimin e segmenteve të autostradave përgjatë Korridoreve 8 dhe 10d. Ata kanë kërkuar transparencë në gjithë procedurën, nga shpallja e konkursit deri në lidhje të marrëveshjes me realizuesin.

Kryeministri Zoran Zaev në fund të prillit deklaroi që është e mundur deri në fund të muajit maj ose fillim të qershorit, institucionet kompetente të vendit ta përgatisin propozim-zgjidhjen për modelin sipas të cilit realizohet ndërtimi i paralajmëruar i segmenteve të autostradave Tetovë-Gostivar-Bukojçani, Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë dhe Prilep-Manastir nga ana e konsorciumit amerikan-turk “Behtell-Enka”. Ai shtoi që shërbimet profesionale qeveritare të udhëhequra nga zëvendëskryeministri Artan Grubi, ministri për Transport Bllagoj Boçvarski dhe ministrat e tjerë kompetentë ekonomik së bashku me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore, në këtë periudhë janë duke punuar në modelin e plotë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button