Në Shkup vjen më 13 shtator, treni “Connecting Europe Express” i cili këtë vjeshtë do ta kalojë tërë kontinentin

Tren i përbashkët evropian për 36 ditë do të kalojë nëpër 26 vende të kontinentit. Komisioni Evropian pas shpalljes së vitit 2021 si viti evropian për hekurudhën, këto ditë e publikoi itinerarin e trenit “Connecting Europe Express”. Në periudhën nga 2 shtatori deri më 7 tetor, treni do të udhëtojë 20.000 kilometra, me ç’rast do të kalojë 33 kalime kufitare, në rrugëtimin e vet nga Lisbona deri në Paris, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Treni “Connecting Europe Express” në udhëtimin e vet nëpër kontinent do ta vizitojë edhe Shkupin më 13 shtator. Komisioni Evropian në Fejsbuk faqen e vet ka publikuar që biletat për këtë tren nuk do të shiten, por i fton qytetarët t’i vizitojnë stacionet në të cilat ai do të ndalet. Ngjarjet që do të mbahen është planifikuar të publikohen në vijim.

“Përveç si simbol për lidhje, ky tren shërben edhe si përkujtim që kemi edhe shumë për të punuar para se hekurudha të bëhet opsion transporti i evropianëve. Priteni Connecting Europe Express kur të ndalet në stacionin afër jush dhe bashkohuni ngjarjeve që do të mbahen në kontinent”, deklaroi komisarja evropiane për transport, Adina Valean.

Nga Komisioni Evropian porosisin që treni është mjeti më ekologjik transportues, që emiton vetëm 0,4% të emetimeve të gazrave serë në nivel të BE-së.  Krahas kontributit kundër ndryshimeve klimatike, udhëtimi me tren është shumë më i sigurt për udhëtarët në krahasim me komunikacionin rrugor, për shkak të numrit më të vogël të viktimave të regjistruara nga aksidentet rrugore.

Përndryshe, shkaku i mungesës së interoperabilitetit të rrjetit hekurudhor evropian, në binaret nëpër Evropë do të qarkullojnë tre trenë të ndryshëm të cilët i përshtaten gjerësive të ndryshme të karregjatave hekurudhore. Treni që do të qarkullojë nëpër vijën standarde hekurudhore, që duhet ta vizitojë edhe vendin tonë, do të ketë gjashtë vagonë, nga të cilët dy do të jenë të dedikuar për ekspozita portabile që do t’i përfaqësojnë teknologjinë dhe novacionet, si dhe projektet infrastrukturore që i mbështet BE-ja. Për shkak të gjerësisë së ndryshme të vijës hekurudhore, tren i veçantë do të qarkullojë në Portugali dhe Spanjë, ndërsa treni i tretë do të udhëtojë nëpër vendet baltike.

Të gjithë të interesuarit mund të gjejnë më tepër informata për trenin në ueb-faqen e përpunuar, si dhe në profilin në Tuiter.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button