Qeveria do të miratojë fond 100 milion lekë për të joshur turistët e huaj të vijnë në Shqipëri

Shqipëria po përgatitet për të hapur sezonin turistik. Situata aktuale nga COVID-19 në vend është optimiste, pasi numrat e të infektuarve, por edhe fatalitetet kanë rënë ndjeshëm në krahasim me fillimin e vitit duke krijuar premisat për një sezon ndryshe nga viti i kaluar, shkruan abcnews.al.

Pritshmëritë e qeverisë nga ky sektor janë të mëdha dhe për këtë arsye në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave ka vendosur që të miratojë një fond 100 milionë lekë me qëllim promovimin e Shqipërisë me moton covid free/ose pa covid për të joshur turistët e huaj.

Kryeministri Rama ka deklaruar më herët se përgjatë gjithë verës do të hiqen të gjitha kufizimet e brendshme, teksa vitin e kaluar nuk kishte asnjë.

VENDIMI I PLOTE

Një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2021, miratuar për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, për mbështetjen e turizmit shqiptar për promovimin në tregjet ndërkombëtare post Covid-19.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, në programin “Zhvillimi i turizmit”, në artikullin 602 (shpenzime operative), për Agjencinë Kombëtare të Turizmit, i shtohet fondi prej 100 000 000 (njëqind milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve për mbështetjen e turizmit shqiptar për promovimin në tregjet ndërkombëtare post COVID-19 dhe prezantimin e Shqipërisë si një destinacion mikpritës COVID-free.
Efekti financiar, prej 100 000 000 (njëqind milionë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2021.
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button