Euro-integrimet, ndarja e RMV-së dhe Shqipërisë mund të nxisë pakënaqësi
Deklarata e zyrtarit të lartë të BE-së, Oliver Varhelyi, ku nuk përjashtohet mundësia që në qershor bisedimet me Brukselin zyrtarisht t’i fillojë vetëm Shqipëria ka hapur debat dhe dilema në opinion. Ekspertët njëzëri shprehen se këto dy vende nuk duhet të ndahen në konferencën e parë ndërqeveritare, një gjë e tillë do të shkaktonte pakënaqësi në skenën politike rajonale. Nga ana tjetër, thonë se kur është në pyetje progresi dhe përmbushja e reformave nga një vend kandidat padyshim se secili duhet vlerësuar bazë meritave individuale, shkruan Portalb.mk.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria presin që deri në fund të qershorit të nisin zyrtarisht bisedimet me Brukselin për anëtarësim në familjen e madhe evropiane. Megjithatë, në opinion u hapën dilema nëse dy vendet e Ballkanit perëndimor do të jenë së bashku në konferencën e parë ndërqeveritare në Bruksel. Debati u hap pas deklaratave të komisionarit për zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, i cili gjatë një vizite në Shkup deklaroi se nuk përjashton mundësinë që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut dhe e vetme të nis bisedimet zyrtare për aderim në BE.
“A është e mundur të ndahen dy vendet? Ky proces bazohet në merita dhe nëse shikoj arritjet e Shqipërisë, shoh se ata i kanë përmbushur të gjitha kushtet… Nëse nuk ka marrëveshje në lidhje me Maqedoninë e Veriut, mund të vijë ai moment, kur do të duhet ta shqyrtojmë këtë opsion. Shpresoj që kjo të mos ndodhë. Sot kemi pasur bisedime shumë të rëndësishme me kryeministrin dhe kemi rënë dakord që duhet të bëjmë përparim”, ka deklaruar Varhelyi.
Ekspertët: Secili vend duhet të ecë përpara me meritat e veta
“Ndarja ose bashkimi nuk duhet aspak të diskutohet, secili vend duhet të ecë përpara varësisht nga ritmi me të cilin zhvillohen reformat. Në realitet, nuk është kështu, bëhen paketa dhe vendet ndahen nga paketat sepse është më e përshtatshme për BE-në ose për shkak të interesave të shteteve anëtare individuale. Ajo që duhet bërë është që ushtrohet më shumë presion ndaj BE-së nga të dy vendet, me qëllim që Bullgaria realisht të të izolohet në pozicionin e saj. Presioni duhet të ridrejtohet në Bullgari. Ajo që nuk duhet të ndodh është të fillimi i një debati pafund me Shqipërinë se kush kë po pengon. Mos të harrojmë, kjo është vetëm pika e fillimit të negociatave, të cilat sipas metodologjisë së re janë me të vërtetë shumë më komplekse dhe më politike. Për shkak se shumë vendime gjatë negociatave merren me konsensus, ka ende shumë mundësi për shantazh. Një nga qëllimet e Bullgarisë ishte shumë i qartë që nga fillimi – të krijonte një përballje jo të shëndetshme midis Maqedonisë dhe Shqipërisë. Ky është një kurth ku nuk duhet të biem, por ekziston një rrezik i tillë”, deklaroi Malinka Ristevska nga Instituti për Politika Evropiane.
Me mendimin se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk duhet të ndahen në nisjen zyrtare të negociatave me Brukselin është edhe pedagogu universitar i së Drejtës Evropiane, Andi Hoxhaj. Profesori Hoxhaj vlerëson se të dy vendet i kanë përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja për nisjen e negociatave.
“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk duhet të ndahen për sa i përket konferencës së parë ndërqeveritare pasi do nxite pa kënaqësi që janë të pa nevojshme në klimën aktuale politike në rajon. Gjithashtu, të dyja shtetet i kanë përmbushur kushtet që ju janë kërkuar për të marrë pjesë në konferencën ndërqeveritare dhe negociatat duhet te ishin nisur 2 vjet me përpara. Çdo shtyrje dhe kusht i ri do ulte më tej besimin e BE-së dhe seriozitetin e saj për fjalën që ka thënë për sa i përket mbledhjes së konferencës së parë ndërqeveritare dhe çeljen zyrtarisht të negociatave. Mirëpo, për sa i përket anëtarësimit në BE çdo vend duhet të hy me meritat e veta në përmbushje të kushteve dhe asnjë vend tjetër në rajon nuk duhet ta mbaj peng progresin”, vlerëson Dr. Andi Hoxhaj, pedagogë dhe ekspert në të drejtën Evropiane në Universitetin e Warwick, Britani e Madhe.
Sipas profesorit Hoxhaj, çdo shtet ka merita individuale në progresin që bënë dhe për atë edhe duhet shpërblyer.
“Për sa i përket rrugëtimit të anëtarësimit në BE unë mendoj fort në merita dhe çdo shtet duhet të hy për shkak të meritave të veta dhe nëse tregon më shumë vullnet politikë për të përmbushur kushtet, edhe gjithashtu ka transformim të prekshëm, duhet shpërblyer. Si për shembull Kroacia tregoj vullnet të hekurt në rajon dhe me të drejtë u anëtarësua në vitin 2013. Kështu që nuk besoj se duhet të ketë pasoja negative nga çdo ndarje që mundet të bëhet për sa i përket anëtarësimit – gjithashtu dhe strategjia e zgjerimit e 2018 ka cilësuar Serbin dhe Mali e Zi si vendet qe mundet te anëtarësohen në 2025, përpara Maqedonisë dhe Shqipërisë”, thekson Dr. Andi Hoxhaj, pedagogë dhe ekspert në të drejtën Evropiane në Universitetin e Warwick, Britani e Madhe.
Qeveria e RMV-së: Mungesa parimore nga BE-ja mund të ketë pasoja të sigurisë në rajon
Për autoritetet maqedonase ndarja e Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut në hapjen e bisedimeve zyrtare me Brukselin është e pa pranushme. Në një njoftim për mediat nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut thuhet se “mungesa parimore nga BE-ja mund të ketë pasoja të sigurisë në rajon”.
Kontesti historik mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut
Bullgaria, në nëntor të vitit 2020, ka bllokuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në. Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.
Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.