BE pezulloi ratifikimin e marrëveshjes tregtare me Kinën

Bashkimi Evropian ka pezulluar përpjekjet për të ratifikuar marrëveshjen tregtare që arriti kohët e fundit me Pekinin. Pezullimi vjen ndërkohë që rriten tensionet rreth akuzave për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në Kinë, shkruan Zëri i Amerikës.

“Marrëveshja Gjithëpërfshirëse për Investimet” BE-Kinë kërkoi shtatë vjet negociata dhe më në fund u arrit në parim në muajin dhjetor. Evropa tha se kjo ishte marrëveshja më ambicioze tregtare që Kina kishte nënshkruar ndonjëherë.

Por ajo ende nuk është miratuar nga ligjvënësit në Parlamentin Evropian. Nënpresidenti i Komisionit të BE-së tha javën e kaluar se përpjekjet për ratifikimin e saj janë pezulluar.

Njoftimi vjen pas sanksioneve të vendosura ndaj Kinës për trajtimin prej saj të popullatës ujgure në provincën Sinkiang, që Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar si gjenocid.

Në muajin mars, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj disa zyrtarëve të Pekinit dhe Bashkimi Evropian bëri të njëjtën gjë, duke vënë në shënjestër katër zyrtarë kinezë.

Kina u hakmor duke u vënë sanksione pesë ligjvënëse të Parlamentit Evropian.

“Në fund të ditës, ratifikimi bëhet në Parlamentin Evropian. Pra, në një farë mënyre, zyrtarët që ishin objektiv i sanksioneve kanë qenë disi të përfshirë në vendimin për mosratifikimin”, thotë analistja e marrëdhënieve Kinë-BE, Alicia García-Herrero.

Analistët thonë se tensionet midis Kinës dhe Evropës rreth Sinkiangut dhe goditja kundër lëvizjes pro-demokracisë në Hong Kong, nënkupton se ratifikimi i marrëveshjes tregtare nuk duket i mundur së shpejti. Kancelarja e Gjermanisë tha se marrëveshja nuk duhet të braktiset.

“Pavarësisht nga të gjitha vështirësitë që sigurisht do të hasim në ratifikim, kjo është megjithatë një iniciativë shumë e rëndësishme që hap reciprocitet më të madh në qasjen ndaj tregjeve tona reciproke,” tha ajo.

Marrëveshja synonte hapjen e tregut të madh kinez për kompanitë evropiane. Por qysh në fillim, disa ligjvënës evropianë e panë marrëveshjen si shumë të gabuar.

“Qasja në treg që merr Evropa, nëse lexoni hollësitë e marrëveshjes, në fakt nuk është aq e madhe,” thotë analistja Alicia García-Herrero.

Marrëveshja për investimet është një pjesë e rëndësishme në planet e Kinës për zgjerim.

“Evropa është e vetmja zonë e madhe e zhvilluar ekonomike ku Kina ende mund të blejë kompani,” thotë Alicia García-Herrero.

Pekini po e nxit Evropën ta ratifikojë marrëveshjen.

“Kina është e gatshme të komunikojë dhe të bashkëpunojë me BE-në për realizimin sa më shpejt të marrëveshjes, që popujt në të dyja anët të përfitojnë,” tha Wang Wenbin, Zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian njoftoi këtë javë planet për të bllokuar kompanitë e huaja që kanë mbështetjen e subvencioneve shtetërore për të blerë biznese evropiane ose për të bërë oferta për kontrata publike.

Analistët thonë se kjo do të prekte kompanitë kineze të mbështetura nga shteti që kërkojnë të zgjerohen në Evropë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button