Udhëtimi i tifozëve të Maqedonisë së Veriut në Kampionatin Evropian, një nga temat e diskutuara në Trupin koordinues

Në hapësirat e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut u zhvillua takimi i parë i Trupit koordinues për mbështetjen e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut ne kampionatin evropian, ku u diskutua edhe për udhëtimin e tifozëve, transmeton Portalb.mk.

“Në takim u diskutua për tri tema kryesore, funksionimi dhe vlefshmëria e Trupit koordinues, diplomacia sportive dhe plani logjistik lidhur me udhëtimin e futbollistëve dhe tifozëve në kushtet e pandemisë”, raportojnë nga Qeveria.

Naumçe Mojsovski, udhëheqësi i Trupit koordinues, premtoi që do të mbështetin reprezentacionin në rrugëtimin evropian, duke e vlerësuar si një mundësi të mirë për afirmimin e vendit. Për arritjen e këtyre qëllimeve, kërkojnë mbështetje nga çdo institucion.

Ndryshe, në seancë e 68-të, Qeveria vendosi për formimin e Trupit koordinues për mbështetjen e reprezentacionit të futbollit në Kampionatin Evropian të futbollit. Qëllimi i këtij Trupi është të ndihmojë organizimin, komunikimin dhe promovimin e reprezentacionit të vendit gjatë kampionatit evropian.

Në fund të muajit prill, UEFA paralajmëroi që ndeshjet e kampionatit evropian EURO 2020 do të zhvillohen në prani të publikut, por me numër të kufizuar. Në rast se do të hapen dyert për tifozët, Federata e Futbollit të Maqedonisë ka vendosur që punonjësit mjekësor të kenë përparësi në blerjen e biletave për ndeshjet e EURO 2020.

Më 12 nëntor të vitit 2020, Maqedonia e Veriut u kualifikua për herë të parë në Kampionatin Evropian, pasi fitoi në ndeshjen kundër ekipit të Gjeorgjisë. Qeveria e Maqedonisë së Veriut sonte ne seancën e 20-të ka shpërblyer futbollistët e Përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut nga 10 mijë euro, për shkak kualifikimit në EURO 2020.

Kualifikimi ka nxitur Këshillin Drejtues të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) që të shpërblejë personelin teknik dhe futbollistët me gjithsej 4 milionë e 200 mijë euro.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button