Qeveria planifikon ta shesë tokën bujqësore shtetërore me çmim shumë të lirë

Ministria e Bujqësisë po përgatitet që të dorëzojë në Kuvend propozim ligj për shitjen e tokës bujqësore që është në pronësi të shtetit. Bëhet fjalë për shitje të tokës personave privat vendor dhe të huaj dhe kompanive në thirrje publike apo me marrëveshje të posaçme për investime strategjike me çmim fillestar prej 0,20 deri në 1 euro për metër katrorë dhe mundësi që toka pas 10 viteve të kalojë në ndërtimore. Draft teksti i ligjit të ri për shitje të tokës bujqësore veç më është vendosur në Regjistrin Nacional Elektronik, shkruan Portalb.mk.

Sipas këtij draft teksti, ky ligj do të përfshijë shitje të tokës bujqësore në pronësi shtetërore e cila nuk është dhënë me qira apo nuk ka ndalesë për shitje në pajtueshmëri me këtë ligj, i cili nuk është objekt i denacionalizimit apo në koncesion për eksploatim të lëndëve të para minerale dhe e cila nuk ka barra të tjera juridike kryhet në bazë të programit tre vjeçar për shitje të tokës bujqësore në pronësi shtetërore.

“Programin e miraton Qeveria me propozim të ministrisë. Objekt i programit mund të jetë maksimum 50 mijë hektar nga toka e lirë bujqësore në pronësi të shtetit.  Në program duhet të përfaqësohen të gjitha klasat kadastrale të tokës bujqësore të cilët në pajtueshmëri me evidencën e Agjencisë së Kadastrës ekzistojnë në pronësi shtetërore dhe atë në mënyrë që asnjë klasë kadastrale nuk do të jetë e përfaqësuar me përqindje më të madhe se 50 përqind”,  qëndron në tekst draftin.

Çmimi fillestar për metër katrorë në procedurën pas thirrjes publike vërtetohet në euro në kundërvlerë të denarit sipas kursit të mesëm të BPRMV në ditën e publikimit të thirrjes publike, varësisht nga klasa kadastrale dhe ajo përbën:

  • 1 euro për tokë bujqësore për klasën I dhe II,
  • 0,50 euro për tokë bujqësore për klasën kadastrale III dhe IV dhe
  • 0,20 euro për tokë bujqësore për klasën kadastrale prej V deri në VIII.
  • Nëse toka bujqësore gjendet mbi 700 metra lartësi mbidetare, çmimi fillestar nga paragrafi 1 i këtij neni ulet për 30 përqind.
  • Nëse subjekt i thirrjes publike është një njësi gjeografike, atëherë vërtetohet çmimi fillestar mesatar për metër katror proporcionalisht me sipërfaqen e parcelave kadastrale me klasë të ndryshme kadastrale që e përbëjnë njësinë gjeografike.

Sipas nenit 23 të këtij propozim ligji, të drejtë për pjesëmarrje të thirrjen publike kanë personat fizik të cilët janë shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe persona juridik të cilët janë rezident të Republikës së Maqedonisë dhe në të cilët pronësia e aksioneve apo përqindja e aksioneve prej më së paku 51 përqind duhet të jetë në pronësi të personave fizik shtetas të Maqedonisë së Veriut apo persona juridik rezident të Maqedonisë së Veriut të cilët nuk janë filiale të personave juridik të huaj.

  • Personi juridik dhe fizik nga paragrafi 1 i këtij neni duhet të jetë bartës apo anëtar i ndonjë ferme bujqësore që është e regjistruar në regjistrin e fermave bujqësore.
  • Të drejtë për pjesëmarrje nuk kanë personat të cilët nuk i kanë shlyer detyrimet sipas qirasë në bazë të marrëveshjeve paraprake për qira të tokës bujqësore në pronësi shtetërore.
  • Të drejtë për pjesëmarrje në thirrjen publike nuk kanë personat të cilët nuk i kanë rregulluar dhe shlyer detyrimet në bazë të tatimeve dhe kontributeve nga sigurimi i domosdoshëm social.
  • Të drejtë për pjesëmarrje në thirrjen publike nuk kanë personat për të cilët është hapur procedurë për falimentim, si organizatat jofitimprurëse.
  • Blerësi i tokës bujqësore në pronësi shtetërore i cili ka lidhur marrëveshje për shitje në bazë të thirrjes publike ndërsa i cili nuk do ta zbatojë deri në fund biznes planin përkatësisht, programin për shfrytëzim të tokës, të cilin e ka pasur detyrim nga marrëveshja për blerje të tokës shtetërore në pronësi shtetërore që është objekt i shitjes, është i detyruar të paguajë në llogari të buxhetit të Maqedonisë së Veriut dëmshpërblim në shumën dyfishuar të çmimit të shitblerjes.
  • Detyrimi për dëmshpërblim nuk do të zbatohet nëse biznes plani përkatësisht programi për shfrytëzim të tokës nuk realizohet për shkak të shitjes apo shndërrimet të përhershëm të tokës në ndërtimore që është e lejuar sipas këtij ligji apo në rast të vdekjes së blerësit.
  • Blerësi është i detyruar të vazhdojë të dorëzojë ministrisë raporte vjetore për mënyrën e përdorimit të tokës bujqësore të shitur në bazë të thirrjes, në pajtueshmëri me nenin 34 të Ligjit për tokë bujqësore në afat prej 10 viteve nga dita e lidhjes së marrëveshjes për shitblerje.

Megjithatë, ende pa hyrë në procedurë parlamentare, ky propozim ka nxitur reagime të shumta në opinion, ku është kritikuar se shteti me shumë lehtësi është vendosur për shitje të resursit strategjike për prodhim të ushqimit që është pronë e gjithë qytetarëve, pa siguruar mekanizma mbrojtëse nga keqpërdorues të mundshëm në të ardhmen.

“Ky është skenar me të cilin do të jemi qiraxhinj në tokën tonë, ku nuk do të mund të kihet kontrolle ndaj prodhimit të ushqimit. Në periudhë të ndryshimeve klimatike, ku vendi ynë do të goditet fuqishëm, veç më jemi dëshmitar të asaj, për shkak të ndikimit negativ të klimës së ndryshueshme ndaj prodhimit bujqësor, ndërsa Qeveria planifikon shitje të tokës bujqësore pothuajse falas”, kanë reaguar nga shoqata ekologjike Iniciativa 02.

Kryeministri Zaev paraprakisht paralajmëroi mundësi që në të ardhmen shteti të dalë nga kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia, mes tjerash edhe me shtije të tokës së punueshme shtetërore, për të cilën sipas tij, ka interesim tek investitorët.

Nga më shumë se gjysmë milion hektar tokë bujqësore e punueshme, shteti ka në pronësi rreth 41 përqind.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button