RMV, organizatat civile iniciuan platformën për parandalim të radikalizimit te të rinjtë

Disa organizata të shoqërisë civile janë duke iniciuar krijimin e një platforme ku, përmes edukimit të të rinjve, do të punohet për të parandaluar shfaqjen e radikalizimit. Ky aktivitet është qëllimi kryesor i projektit tre-vjeçar “Platforma për edukimin qytetar të të rinjve për të luftuar radikalizimin – (Të rinjtë kundër dhunës)”, të udhëhequr nga Iniciativa për perspektivë evropiane (IPE), në partneritet me Nexus – Koncepti qytetar, Shoqata për zhvillim dhe aktivizëm – Aqua nga Struga, Qendra për dialog ndërkulturor (QDN) nga Kumanova dhe organizata Ndërtimi i komunitetit nga Mitrovica – Kosovë, shkruan Portalb.mk.

Deri më tani, këto organizata kanë mbajtur tre punëtori për të diskutuar kundër-narrativet dhe narrativet alternative për të parandaluar radikalizimin që mund të çojë në ekstremizëm të dhunshëm dhe terrorizëm dhe rolin e organizatave të shoqërisë civile në parandalimin e radikalizimit.

Në kuadër të punëtorisë së mbajtur në Kumanovë, që u organizua nga Qendra për dialog ndërkulturor, realizimi dhe ideja e projektit u mirëprit nga Këshilltari për rini dhe politika rinore në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjorgji Tasev, i cili shprehu kënaqësi e madhe me krijimin e platformës që do të punojë me të rinjtë dhe do të forcojë kapacitetet e tyre drejt ndërtimit të paqes, bashkëjetesës dhe tolerancës.

“Kjo platformë do të bashkojë organizatat e shoqërisë civile që punojnë me të rinjtë në temën e radikalizimit dhe do të punojmë së bashku për të luftuar dhunën dhe radikalizimin e të rinjve, duke përmirësuar bashkëpunimin ndëretnik, respektin dhe barazinë, si dhe promovim më të madh të sportit dhe artit. Në periudhën e ardhshme do të organizojmë një seri takimesh, mbledhjesh ku do të miratojmë rregullat dhe procedurat e platformës, si dhe do të organizojmë trajnime si pjesë e procesit të forcimit të kapacitetit të organizatave të shoqërisë civile”, tha Valerija Sokollova Stojanovska – drejtoreshë e projektit Iniciativa për perspektivë evropiane.

Në kuadër të projektit, deri më tani, është përgatitur një studim themelor mbi situatën me radikalizimin e të rinjve, ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin në Maqedoninë e Veriut nga ekspertja Elena Milenkoska-Mihaillovska.

Ajo shpjegon se ndryshimi në sjelljen e të rinjve, interesat dhe tendencat e tyre drejt veprimeve dhe propagandës radikale, ekstremiste mund të vërehet së pari nga familja, mësuesit dhe shërbimet profesionale në shkolla.

Në studim theksohet se “Parandalimi i radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm duhet të përfshijë një sërë masash, aktivitete që do të jenë në gjendje të njohin shenjat e hershme të radikalizimit dhe t’i neutralizojnë ato në kohën e duhur. Kjo nënkupton trajnim të duhur të mësuesve, punë me prindërit përmes takimeve të rregullta, si dhe ligjërata e debate me nxënës, ku këto tema do të diskutohen hapur”.

Të gjithë OSHC-të që punojnë me të rinjtë ose në temën e radikalizimit, ekstremizmit të dhunshëm, mund të bashkohen dhe të bëhen anëtarë të platformës. Për më shumë informacione mund të kontaktoni njërën nga adresat e mëposhtme të postës elektronike: : [email protected] [email protected] [email protected] [email protected]

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button