Dy rusë janë deklaruar fajtorë për krime kibernetike në SHBA

Dy shtetas rusë janë në mesin e katër personave që janë deklaruar fajtorë për krime kibernetike që kishin për cak bankat dhe kompanitë në mbarë Shtetet e Bashkuara. Nga këto krime janë shkaktuar dëme në vlerë prej miliona dollarësh, tha Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Katër personat – dy rusët Aleksandr Grichishkin, 34 vjeç dhe Andrei Skvortsov po ashtu 34 vjeç, 33-vjepari nga Lituania Aleksandr Skorodumov dhe Pavel Stassi, 30 vjeç nga Estonia – kanë ofruar të dhëna për rrjete të kriminelëve kibernetikë, thuhet në dokumentet e gjykatës.

Në mesin e të dhënave që këta persona ofruan ishin IP adresat, serverët dhe domenët për klientët e tyre që kryenin krime kibernetike, të cilët më pas i përdorën këto të dhëna për të pasur qasje në kompjuterët e kompanive dhe për të vjedhur kredenciale bankare, tha Departamenti amerikan i Drejtësisë, transmeton REL.

“Në një periudhë disa vjeçare, të pandehurit kanë ndërmjetësuar aktivitete kriminale për një rrjet të kriminelëve kibernetikë në mbarë botën, duke iu ofruar atyre mundësi që të kryejnë veprimtarinë e tyre kriminale”, tha agjenci special i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Timothy Waters.

Departamenti i Drejtësisë tha se me ndihmën e këtyre persona ishin kryer sulme ndaj kompanive amerikane dhe institucioneve financiare në vitet 2009 deri më 2015.

Të katër personat u deklaruan fajtorë pranë një gjykate në Miçigan. Secili nga ta përballet me maksimum 20 vjet burgim, por lidhur me vendimin për dënimin e tyre, do të mbahet seancë më vonë gjatë këtij viti.

Partnerët e FBI-së në Gjermani, Estoni dhe Mbretërinë e Bashkuar kishin ndihmuar FBI-në për të hetuar këtë rast.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button