fbpx

Opozita shqiptare dhe Qeveria arritën marrëveshje për Ligjin për nënshtetësi

Opozita shqiptare dhe Qeveria kanë arritur marrëveshje për propozim Ligjin për nënshtetësi. Deputeti i koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, Elmi Aziri në një konferencë për media ku konfirmoi arritjen e marrëveshjes, tha se prej tani të gjithë personat që kanë pasur problem deri tani me marrjen e shtetësisë, çështja e tyre do të trajtohet konform këtij ligji për të cilin janë marrë vesh me kryeministrin Zaev, respektivisht me Qeverinë. Ai tha se presin që shumë shpejtë ligji të miratohet në Kuvend, shkruan Portalb.mk.

“Vlerësojmë se është një arritje e mirë e madhe për shkak se të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut që nga pavarësimi e këndej janë banues reale të Maqedonisë së Veriut por që kanë pasur probleme me shtetësinë e këtij shteti, përmes këtij ligji do të kenë mundësinë që të pajisen me të njëjtën. Faktikisht përmes këtij ligji, të gjithë personat që nga pavarësia e këndej janë banorë të Maqedonisë së Veriut u konstatohet shtetësia duke aplikuar shtetësi dhe duke ofruar si dëshmi vetëm një dokument që është në dispozitat kalimtare të evidentuar në mënyrë taksative me ligj”, deklaroi Aziri.

Ai më tej ka sqaruar se edhe pse kanë insistuar që gjuha shqipe të futet si element në këtë ligj për kategorinë e qytetarëve që dëshirojnë ta marrin nënshtetësinë me natyralizim, por kjo nuk është pranuar.

“Për kategorinë e personave të cilët kanë qenë prezent në Maqedoninë e Veriut që nga pavarësimi e këndej. Kjo kategori do të duhet të ofrojë vetëm një dokument që janë të përshkruar në dispozitën kalimtare, respektivisht në nenin tetë të ligjit. Përmes një dokumenti e dëshmojnë se janë pjesë e Maqedonisë së Veriut dhe e marrin shtetësinë. Gjuha si element ka të bëjë me pjesën e kategorisë të cilët dëshirojnë të pajisen me nënshtetësi përmes natyralizimit, dmth kjo është kategori tjetër. Ne bisedimet i kemi bërë me Qeverinë. Insistimi ynë ka qenë që edhe kjo të futet në ligjin e ri të cilin po e përgatisim ne, por fatkeqësisht kështu ndodh kur nuk respektohet ligji për respektimin e gjuhëve edhe nga shqiptarët. Edhe pse Qeveria e Maqedonisë është e obliguar që çdo dokument dhe çdo komunikim me parlamentin ta bën në gjuhën shqipe e njëjta nuk ndodhë”, deklaroi ai.

Aziri tha se javën e ardhshme propozim ligji do të jetë gati dhe do ta fusin në procedurë parlamentare.

Edhe kryeministri i vendit, Zoran Zaev, në deklaratën e dhënë për media pas vaksinimit, konfirmoi se është arritur marrëveshje për Ligjin për nënshtetësi.

“Ligji për shtetësi mendoj se është zgjidhur, dje ka qenë takimi i radhës i grupeve të punës dhe tani po ndiqen aspektet teknike. Por mund të them se kemi zgjidhje”, u shpreh Zaev.

Kryeministri Zoran Zaev dhe opozita shqiptare zhvilluan disa takime për të biseduar në lidhje me Ligjin e nënshtetësisë. Këto takime kanë ardhur pasi grupi parlamentar i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativën me mbi 32,000 amendamente bllokuan 20 ligje, mes të cilëve edhe vendimin për vazhdimin e gjendjes së krizës me rreth 400 amendamente, si kushtëzim për mbështetjen e Ligjit për Shtetësinë, pasi propozim ligji fillestar i dorëzuar nga ky koalicion u bllokua nga opozita maqedonase.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button