‘Avaja’ reagoi ndaj fyerjeve në fjalorin interpretues, Qeveria thotë se fjalët do të tërhiqen

Nga iniciativa qytetare “Avaja” reaguan për shkak të termeve fyese, që përmban versioni i ri digjital i Fjalorit interpretues të gjuhës maqedonase, i cili u lëshua në përdorim dje, transmeton Portalb.mk.
“www.makedonski.gov.mk“ është ueb-faqja që u prezantua dje në Institutin për gjuhën maqedonase “Kërste Misirkov”, platformë e mbështetur nga Ministritë e Arsimit dhe ajo e Kulturës, por edhe nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
“Me fjalorin e ri digjital, romët fituan digjitalizimin e fyerjeve dhe anti-ciganizmit. Fjalori digjital interpretues përmban 100.000 fjalë duke përfshirë cigane, ciganëve, ciganë, janë ciganë. Të gjitha këto fjalë në gjuhën maqedonase përdoren si fjalë fyese ndaj komunitetit rom. Ky fjalor i ri ose i digjitalizuar përsërit të njëjtin gabim të fjalorëve ekzistues që duhet të jenë lëndë e reformimit”, thonë nga “Avaja”, nga ku kërkojnë, që fjalët e përmendura, të hiqen nga fjalori digjital.
Më vonë, nga atje informuan se shoqatës i kishte arritur një letër nga Qeveria në lidhje me fjalët fyese ndaj komunitetit rom në Fjalorin interpretues të gjuhës maqedonase.
“Instituti për gjuhën maqedonase i kupton reagimet e komunitetit rom dhe informon se fjalët do të hiqen nga “Fjalori interpretues i gjuhës maqedonase”. Nga Qeveria informuan se përfaqësuesit e Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ranë në kontakt me redaksinë e Fjalorit interpretues të gjuhës maqedonase dhe ekipin e ekspertëve të fjalorit në Institutin e gjuhës maqedonase menjëherë është treguar mirëkuptim dhe pajtim që fjalët që shkaktuan reagime të tërhiqen”, thonë nga Avaja.
Nga Shoqata theksuan se ekipi i ekspertëve të fjalorit në periudhën e ardhshme do të bëjë rishikim në leksemat e fjalorit dhe do të ndjekë një proces përmes të cilit fjalët në fjalor do të interpretohen në mënyrë të përshtatshme në përputhje me kontekstin modern gjuhësor dhe shoqëror.