RMV, ndryshimet klimatike janë sfidë e madhe për bujqësinë, nëse nuk i zvogëlojmë do mbetemi pa  ushqim

Pasojat nga ndryshimit klimatike janë të mëdha dhe Maqedonia Veriut për më shumë se tre dekada është nën rrezik të ngjarjeve ekstreme klimatike. Ato janë, mbi të gjitha, zjarret, përmbytjet, thatësira, rritja e temperaturave, shirat e rrëmbyeshëm dhe ndikimi i tyre në bujqësi dhe prodhimin e ushqimit, pyjet, ujin, biodiversitetin është shumë i madh, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Sa është i qëndrueshëm dhe i gatshëm vendi për t’u përballur me këto ndryshime ishte tema e konferencës “Rezistenca ndaj Ngjarjeve Klimatike Ekstreme – #Është e mundur (#ВозможноЕ) të aktivizohen zgjidhje reale në menaxhimin e ngjarjeve ekstreme klimatike në vend”, që e organizoi Programi i Kombeve të Bashkuara për zhvillim ( UNDP), Ministria e Mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor dhe platforma Ndryshimet klimatike, klimatskipromeni.mk.

Folësit thanë se për të parandaluar ngjarjet ekstreme të klimës në Maqedoni është e mundur dhe e domosdoshme të aktivizohen zgjidhjet e duhura, sepse në të kundërtën, përmbytjet, thatësira dhe rreziqet e tjera që ato sjellin, gjithnjë e më shpesh do të bëhen përditshmëria jonë. Parandalimi, jo vetëm riparimi, është një nga masat kryesore, ndërsa parashikimi dhe parandalimi i katastrofave që mund të ndodhin është një nga aktivitetet më të rëndësishme që duhet të ndërmerren.

“Nëse duam një të ardhme të mirë, duhet të mbrojmë pasuritë tona natyrore”, tha Ministri i Mjedisit jetësor Naser Nuredini, duke vënë në dukje se mbrojtja e pyjeve, natyrës dhe biodiversitetit do të na ndihmonte për të arritur ambiciet tona.

“Osogovo është shpallur një zonë e mbrojtur, ligji për shpalljen e një pjese të Malit Sharr park kombëtar pritet të kalojë në Parlament, po punohet të mbrohet edhe pylli Vodno, që është mushkëria e Shkupit dhe nuk duhet të lejohet të pritet dhe ndërtohet , pastaj për mbrojtjen e Matkës dhe Maleshevës. Kemi ambicie për të krijuar të ardhme më të mirë për fëmijët, po përpiqemi t’i afrohemi qëllimeve evropiane dhe kjo është në favorin tonë. Sa më shumë gjelbërime të kemi, aq më shumë kontribuojmë në uljen e ndikimit të ndryshimeve klimatike dhe ndonëse nuk jemi vend i madh, ne do të japim kontributin tonë”, tha Nuredini.

Ngjarjet ekstreme të motit, të tilla si valët e nxehta ose të ftohta, temperaturat ekstreme, netët tropikale me temperatura më të larta se 20 gradë Celsius, më shumë ditë me shi të rrëmbyeshëm, por edhe periudha më të thata, janë pasojat kryesore nga ndryshimet klimatike që ndihen në Maqedoninë e Veriut.

Sipas Nina Aleksovska nga Drejtoria Hidrometeorologjike, ky institucion ka ndjekur ndryshimet për shtatë dekada, por fenomenet si valët e shpeshta të nxehtësisë janë intensifikuar veçanërisht në tridhjetë vitet e fundit. Në dekadën e fundit, e cila është regjistruar si më e ngrohta në histori, ndryshimet më të mëdha kanë ndodhur si rezultat i ndryshimeve klimatike që ndihen në çdo pjesë të vendit.

“Pritet që tendencat e dekadës së fundit të vazhdojnë në të ardhmen. Në Maqedoni, klima do të jetë më e ngrohtë dhe më e thatë, kurse sipas skenarit më ekstrem, ditët e akullta do të ulen me rreth 60 ditë në vit, dhe ditët e nxehta të verës dhe netët tropikale do të rriten me të njëjtën sasi. Periudha e vegjetacionit gjithashtu do të rritet, kështu që për shembull në qytete si Gjevgjelia mund të mos ketë ndërprerje dhe kjo periudhë zgjat gjithë vitin. Reshjet prej 40 milimetrash do të rriten me rreth 60 përqind, dhe i gjithë territori është në rrezik të lartë të thatësisë”, tha Aleksovska.

Ajo informoi se parashikimet e DHM janë që ngjarjet ekstreme do të jenë të pranishme në të ardhmen, ndërsa njerëzit do të duhet të përshtaten. Vendimtare është të përfshihen masa mbrojtëse dhe parandaluese. Një nga risitë që u zbatuan vitin e kaluar në vendin tonë është mbjellja ajrore e reve, si një metodë për parandalimin e breshrit. Është një sistem i ri modern për mbrojtjen e të mbjellave nga retë me breshri që u zbatua në Ovçe Pole, Pellagoni dhe Strumicë dhe rezultati është dëmtim më i vogël i zonave bujqësore.

Sipas ambasadorit të Zvicrës, Sibil Zuter, ky vend mbështet një numër projektesh në Maqedoninë Veriore që synojnë zbutjen e ndryshimeve klimatike. Ajo vuri në dukje shpalljen e Maleve të Osogovës si zonë e mbrojtur, projektet në rajonin e Bregallnicës dhe Liqenin e Prespës, ku gjithashtu kemi punuar me prodhuesit lokalë të mollëve për të zvogëluar përdorimin e pesticideve dhe ndikimin e tyre në liqen. Gjithashtu me mbështetjen e Zvicrës, janë duke u zbatuar aktivitete për të zvogëluar përmbytjet dhe pasojat e tyre në Pollog, kurse qëllimi është që të parandalohet një përsëritje e ngjarjeve siç ndodhën në vitin 2016.

Anita Koxhoman, Koordinatore e programit të UNDP për mjedisin jetësor dhe menaxhim me rreziqe dhe kriza vuri në pah se në të njëjtën kohë po punohet për të identifikuar dhe analizuar rreziqet dhe dobësitë e ndryshimit të klimës në disa sektorë kryesorë, të ndjekura nga një sërë veprimesh. Qëllimi, tha ajo, është të zvogëlohet vdekshmëria, dëmtimin e infrastrukturës, për të siguruar zbatim të planeve për menaxhim të rrezikut dhe katastrofave pa e ndërprerë zhvillimin e komunave.

Një nga sektorët më të prekshëm ndaj ndryshimeve klimatike është prodhimi i ushqimit. Sipas Vaska Mojsovska nga Federata kombëtare e fermerëve, prodhuesit në dekadën e fundit janë përballur me të gjitha sfidat klimatike të tilla si thatësira, breshëri, shira të mëdha, acar pranveror…

“Nuk ka sektor në bujqësi që nuk është prekur nga ndryshimet klimatike. Nevojiten masa për të siguruar që të mos ketë humbje të ushqimit. Punojmë me fermerë të cilët nëpërmjet trajnimeve mësojnë praktika të mira, kemi edhe fusha eksperimentale, por problemi për ta janë financat. Me këto çmime të ulëta të blerjes, ata nuk kanë mundësi të investojnë në mbrojtje të tilla si sisteme pikë-pikë, foli mbrojtëse ose rrjeta, ose sisteme antifrost”, tha Mojsovska.

Sipas profesorit Dushko Mukaetov nga Instituti i bujqësisë, institucionet shkencore, në bashkëpunim me UNDP dhe USAID, vazhdimisht janë duke punuar në masat për të zvogëluar ndikimin e ndryshimeve klimatike.

“Me UNDP po punojmë për qëndrueshmëri dhe mundësi të mirëmbajtjes më të madhe në disa rajone të vendit, kurse me USAID janë vendosur 16 fusha testuese për të demonstruar masa për përshtatje. Këto aktivitete klimatike duhet të jenë të thjeshta për t’u zbatuar, nuk kërkojnë njohuri teknologjike nga fermerët, nuk marrin shumë kohë dhe nuk kushtojnë shumë para. “Përndryshe, prodhuesit duhet të marrin mbështetje për t’i zbatuar ato,” tha Mukaetov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button