Modelja dhe këngëtarja shqiptare Lori Miho e suksesshme në Amerikë

Njihuni me këngëtaren dhe modelen shqiptare që jeton dhe vepron në SHBA, Lori Miho. Deri më tani ajo ka marrë pjesë në shumë festivale, si dhe ka publikuar disa këngë të saja. Lori, me bukurinë dhe sharmin që ka, ka bashkëpunuar me shumë fotografë me famë botërore, siç është, për shembull, Fadil Berisha. Në intervistën për Portalb, ajo flet për jetën e saj në Amerikë mes modelingut dhe këngës.

“Si për shumicën e njërëzve këtu, edhe për mua jeta në Amerikë  është e shpejtë dhe e ngarkuar. Është vetë natyra e kësaj kulture dhe se si është ndërtuar, aq më tepër Nju Jorku, ku unë jetoj, që të bën të punosh fort dhe të jesh aktive. Që prej një viti, kur filloi pandemia, rutina e jetës ka ndryshuar paksa për mua, pasi shumica e aktiviteteve tashmë jam duke i zhvilluar online nga shtëpia. Në këtë rast, nëse do përshkruaja një ditë të zakonshme, një ndër aktivitetet që e nisë ditën është puna. Punoj nga shtëpia për një kompani modelingu dhe aktrimi. Më pas ndjek klasat online, jam duke përfunduar vitin e fundit të shkollës së lartë për dy degë të ndryshme jashtë muzikës. Midis shkollës dhe punës, ose pas përfundimit të mësimit, përpiqem të ndjek një regjim 3-4 ditë në javë në palestër, pasi qëndrimi para kompjuterit është shume i dëmshëm për fizikun por edhe për trurin, ndaj e ndjej shume të nevojshëm aktivitetin jo vetëm për të mbajtur një fizik të mirë por edhe për çlodhje. Së fundi, nëse kam ndonjë projekt në dorë, darka i kushtohet muzikës, qoftë duke studjuar ose duke kaluar disa orë në studio, ku regjistroj ose krijoj ide.” tha Lori.

Amerika Lorit i ka dhënë mundësinë të njohë, bashkëpunojë apo dhe të përballet me shumë artistë shqiptarë dhe të huaj. Ndër ta është Fadili Berisha, kitaristi i njohur Faton Maculi, Mira Konçi, një artiste po me zemër të madhe, e shumë të tjerë.

Të punosh me Fadilin është si të punosh me mikun e shtëpisë. Ai është i tillë për nga natyra. I trajton të gjithë në të njëjtën mënyrë, zemërhapur, natyrshëm dhe thjesht. Unë jam e privilegjuar që kam qënë pranë tij, jo vetëm përsa i përket bashkëpunimive por për vlerat punëtore e zemërgjerësinë që ai njeri e ndan. Kam mësuar shumë nga ata që kanë treguar edhe shpirtin e tyre njerëzor përveç atij artistik, por jam përballur edhe me të tjerë, nga të cilat ndoshta s’kam mësuar, por jam forcuar akoma më shumë.” U shpreh Lori Miho.

Muzika është pasioni dhe dëshira e Lorit. Modelingu i erdhi si një zbulim apo “pasion i fshehtë” gjatë rrugës.

“Është një rrugëtim, që thjesht jam duke provuar veten, më shumë sesa pasion. Është një profesion i dytë përtej aktiviteteve të tjera, edhe pse padyshim ka kërkesa, lodhje dhe do kohën e vetë, por aktualisht ia kam dalë, për fatin e mirë që kam edhe familjen pranë dhe janë vërtet një mbështetje e madhe. Padyshim që muzika ka qenë dhe ende zë vëndin e parë. Muzika më ka bërë kjo që jam sot, më ka rritur dhe më ka dhënë konfidencë, pasion dhe forcë. Me pak fjalë, ndihem më e përmbushur kur jam e rrethuar me muzikë sesa përballë aparateve fotografike, haha.” Tha Lori.

Mesazhi që Lori përcolli për të gjithë artistët e rinj është:

“Shumë artistë të rinj bazohen te ajo çfarë publiku kërkon,duke humbur kështu origjinalitetin. Ajo çfarë do ju kisha sugjeruar është që të jeni vetvetja! Suksesi bëhet edhe më i madh duke qenë i veçantë dhe konfident, aq më tepër në fushën e muzikës. Nëse muzika është pasioni i juaj, dijeni se ajo nuk ka asnjëherë për t’ju zhgënjyer, do jetë gjithmonë aty për ju. E vetmja gjë që ne duhet të bëjmë është të punojmë fort, të kemi besim te vetja, pa humbur forcën dhe qëllimin që e keni!” e përmbylli Lori Miho.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button