fbpx

Nën organizimin e Britanisë, filloi takimi i ministrave të jashtëm të G7

Takimi i G7 në nivelin e ministrave të jashtëm, i cili bashkon shtatë vendet e industrializuara të botës dhe Bashkimin Evropian (BE), filloi nën kryesimin e Britanisë në kryeqytetin Londër, raporton AA.

Ministrat e jashtëm të vendeve të G7, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, SHBA-në, Francën, Italinë, Japoninë dhe Kanadanë, u bashkuan për takimin e parë ballë për ballë që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Në takim si mysafir ishin ftuar edhe ministrat e jashtëm të Koresë së Jugut, Indisë, Australisë dhe Afrikës së Jugut dhe Sulltanatit të Bruneit, i cili aktualisht mban Presidencën e Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN).

Takimi, i cili gjithashtu shihet si një përgatitje për Samitin e Krerëve të Shteteve të G7 më 11-13 qershor në qytetin Cornwall në jugperëndim të Anglisë, do të zgjasë për dy ditë.

Në takim pritet të diskutohen ndryshimi i klimës, negociatat bërthamore me Iranin, lufta e vazhdueshme në Siri, grushti i shtetit ushtarak në Mianmar, pandemia COVID-19, Rusia dhe Kina.

Bisedimet bilaterale

Nga ana tjetër, para takimit, ministrat e jashtëm zhvilluan gjithashtu takime bilaterale midis tyre.

Ministri i Jashtëm britanik Dominic Raab, i cili priti takimin, pati një takim dje me homologun e tij amerikan, Antony Blinken.

Raab në një konferencë për shtyp të mbajtur pas takimit tha se Londra dhe Washington-i janë “krah për krah” për një numër çështjesh.

Blinken gjithashtu deklaroi se SHBA-ja “nuk ka aleat më të ngushtë ose partner më të afërt se Britania”.

Duke theksuar se SHBA-ja dëshiron një marrëdhënie më të qëndrueshme me Rusinë, por kjo varet nga sjellja e Kremlinit, Blinken tha: “Presidenti Biden është shumë i qartë për këtë për një kohë të gjatë. Nëse Rusia zgjedh të veprojë në mënyrë të pamatur ose agresive, ne do të përgjigjemi, por ne nuk po përpiqemi të tensionojmë situatën. Ne preferojmë një marrëdhënie të qëndrueshme, më të parashikueshme. Nëse Rusia lëviz në këtë drejtim, ne do të bëjmë të njëjtën gjë”.

Për çështjen kineze, Blinken theksoi se Perëndimi nuk u përpoq të “kufizonte” ose “ta shtypte” Pekinin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button