Të rinjtë e (pa)punësuar: pushime nga puna mes pandemisë, paga më të ulëta dhe informimi i pamjaftueshëm për të drejtat e punëtorëve

Kriza shëndetësore-ekonomike e shkaktuar nga pandemia kovid-19 ka pasoja serioze, si në nivel global ashtu edhe në atë kombëtar. Kjo krizë jo vetëm që nuk i la anësh të rinjtë, por edhe i goditi rëndë, duke i sjellë ata në krye të kategorive të grupeve të lëndueshme të njerëzve. Shkalla e papunësisë së të rinjve në vend është 39,2 %, e cila është ndër më të lartat në Evropë, kurse po rritet gradualisht, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.mk.

Në prill të vitit të kaluar, në fillim të pandemisë Kovid-19, Dimitar Mitrovski humbi punën, pasi kompania ku punonte, pas gjashtë muajsh nuk ia vazhdoi kontratën, e cila ishte nënshkruar për periudhë të caktuar kohe. Ai është 25 vjeç dhe është i diplomuar në Departamentin për Cilësi dhe siguri të ushqimit në Fakultetin e shkencave bujqësore dhe ushqimit.

Edhe pas një viti, Dimitar sot aktivisht aplikon në lajmërim për vende të lira të punës dhe thotë se dëshiron të gjejë një punë që do t’i ofrojë kushte të pranueshme, nëse është e mundur në profesionin e tij.

“Tani jam sërish në kërkim. Kam qenë në më shumë se 10 intervista, disa as nuk më telefonuan më pas, ndërsa disa ofronin kushte të pafavorshme për punë dhe përgjegjësi”, thotë Dimitar.

Fatin e tij e ndajnë mijëra të rinj në vend. Që nga fillimi i krizës shëndetësore në mars 2020, pa punë dhe pa ekzistencë kanë mbetur 18.266 njerëz, e pothuajse 34% e tyre janë të rinj nën moshën 29 vjeç, pa i llogaritur ata që punojnë në ekonominë informale. Një në katër persona që kanë humbur punën e tyre në vend është i ri, ndërsa situata është negative në mbarë botën, ku çdo i gjashtë i ri, sipas Organizatës ndërkombëtare të punës, e ka humbur punën që nga fillimi i krizës shëndetësore. Në tetor të vitit të kaluar, Organizata për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik (OECD) paralajmëroi se një brez i tërë i të rinjve në Evropë është nën rrezik të mos e kap hapin sepse punëdhënësit i kishin ndaluar planet e tyre të punësimit gjatë pandemisë.

Diskriminimi i të rinjve në vendet e punës

Sipas të dhënave nga Agjencia e Punësimit, numri i të rinjve të papunë të moshës 15 deri 29 vjeç në mars ishte 22,5 % e numrit të përgjithshëm të personave pa punë.

Sipas Lidhjes së sindikatave të Maqedonisë, shumica e të rinjve që humbën vendet e punës kishin një kontratë pune me kohë të caktuar, e cila tregon se të rinjtë janë një nga kategoritë më të prekshme të njerëzve kur bëhet fjalë për të drejtat e punës. Ata shpesh punojnë ilegalisht, marrin paga më të ulëta se të tjerët dhe punojnë në pozicione më të pasigurta.

Në Maqedoni, shumica e të rinjve ndihen si një grup i margjinalizuar i njerëzve për problemet dhe pengesat me të cilat përballen ata askush nuk kushton vëmendje të veçantë, thotë Irena Ivanovska nga Seksioni i rinisë në LSM.

“Ne jemi në një kohë kur papunësia e të rinjve është 39,2 %, në një kohë kur 41.056, ose 32 % e të rinjve që punojnë në ekonominë informale, fitojnë paga më të ulëta sesa punonjësit e tjerë që bëjnë të njëjtën punë me të njëjtat detyra, në një kohë kur të rinjtë punojnë më gjatë se sa janë dakorduar, kur kanë kontrata me afat të caktuar dhe kur gjysma e tyre, gjegjësisht 53%, janë të vendosur të largohen nga vendi”, thotë Ivanovska.

Ivanovska shton se dekurajimi i të rinjve është rezultat i situatës së ndërlikuar ekonomike në vend, e përkeqësuar më tej nga fillimi i krizës shëndetësore. Mungesa e vendeve të punës, ofertat e punës që nuk përputhen me kualifikimet dhe pagat e ulëta, janë një realitet me të cilin përballen të rinjtë në fillim të punësimit, kurse ashtu vazhdon edhe në vendet e punës.

Puna e njëjtë, paga më të ulëta

Kur bëhet fjalë për të rinjtë dhe përfshirjen e tyre në tregun e punës, Ivanovska thotë se shumë shpesh, ankesa nga punëdhënësit është se të rinjtë nuk kanë përvojë të mjaftueshme për punë të caktuara.

“Këtu lind problemi i fitimit të përvojës dhe punës praktike që duhet të jetë një pikënisje për zhvillimin e mëtejshëm dhe avancimin në karrierën e çdo të riu. Përparimi në karrierë dhe zhvillimi profesional nuk janë gjithmonë prioritet i punëdhënësve ose ata shpesh mendojnë se të rinjtë duhet të punojnë vetë në zhvillimin dhe avancimin e tyre, sepse nuk është përgjegjësi e punëdhënësve”, shpjegon Ivanovska.

Në dokumentin “Të rinjtë në krizë 2.0“ vihet në pah se, në krizë, 37 % e të rinjve kishin të ardhura nën pagën minimale. Nuk janë të rralla rastet kur punëdhënësit, në momentin e punësimit të të rinjve t’i paguajnë më pak se të moshuarit të cilët punojnë në të njëjtat pozicione.

“Ashtu siç nuk mund të ketë diskriminim midis burrave dhe grave në vendin e punës, gjithashtu nuk mund të ketë diskriminim midis punëtorëve të rinj dhe të vjetër”, tha Ivanovska.

Problem tjetër është se kontratat e punës për të rinjtë zakonisht nënshkruhen për periudhë të caktuar prej një, tre ose gjashtë muajsh dhe zgjaten në një periudhë maksimale prej pesë vjetësh. Duke mos pasur alternativa për punë, të rinjtë janë të detyruar të pranojnë këto kushte.

“Prandaj ne, si Seksioni i rinisë i LSM, kërkojmë nga partnerët socialë, gjegjësisht nëpërmjet Lidhjes së sindikatave të Maqedonisë, si një prej tyre, në Ligjin e ri për marrëdhëniet e punës për të ulur këtë kufizim nga 5 vjet në 1 vit, pas së cilës do të pasonte transformimi i punësimit nga periudhë e caktuar në atë të pacaktuar dhe kështu të rinjtë do të fitojnë siguri në krijimin e planeve të tyre të ardhshme për pavarësi, mëvetësi, planifikim familjar, zgjidhjen e çështjes së banimit dhe të ngjashme”, tha Ivanovska.

Informim i pamjaftueshëm i të rinjve për të drejtat e tyre të punës

Reduktimi dhe kufizimi i të drejtave të punonjësve të rinj vjen nga fakti se ata nuk janë mjaftueshëm të informuar për të drejtat nga marrëdhënia e punës. LSM ka pranuar numër të madh të raportimesh anonime për shkelje të të drejtave të punës, ndërsa shumica e tyre kanë qenë nga punëtorë që nuk janë të organizuar në sindikata, gjë që e vështirëson mbrojtjen e tyre.

” Më së shpeshti shkelen të drejtat e punonjësve të atyre që nuk janë të organizuar në sindikata dhe nuk janë të trajnuar. Punëtorët e rinj dhe punëtorët në përgjithësi, pavarësisht nga mosha, të cilët janë të organizuar në sindikata kanë njohuri për të drejtat e tyre sipas ligjit dhe marrëveshjes kolektive dhe cila është procedura për mbrojtjen dhe promovimin e tyre. SRLSM mendon se punëtorët e organizuar në sindikata bashkuar janë kusht për zhvillimin perspektiv të dialogut social në vend në të gjitha fushat e jetës shoqërore”, thotë Ivanovska.

Ajo shton se në këto rrethana të vështira dhe të ndërlikuara shoqërore, u konfirmua qëndrimi për nevojën e domosdoshme për organizim sindikale më masiv dhe bashkim të punëtorëve, veçanërisht të të rinjve, që ata të mund të informohen plotësisht, të aftësohen dhe të përfshihen në procedurat e njohjes , mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të punëtorëve.

Ivanovska u bën apel të rinjve të bashkohen në sindikata sepse vetëm të rinjtë e bashkuar, në masë të madhe dhe të unifikuar mund të realizojnë të drejtat e tyre të punës.

“Si anëtarë të sindikatës, përmes seksioneve të sindikatës për të rinj në organizatën ku ata punojnë, në nivel të në degës dhe lidhjes sindikale, ata do të jenë në gjendje t’i përcaktojnë problemet e tyre specifike, të gjejnë dhe përcaktojnë mënyrat dhe metodat e duhura për të ndërmarrë veprime të përshtatshme që mund të çojë në ndryshime më të shpejta të dëshiruara. Të rinjtë duhet të dinë se ata janë gjeneratorët e vetëm dhe më të mëdhenj të ndryshimit. Pa guximin e tyre për të folur hapur për problemet me të cilat përballen dhe luftën e tyre të organizuar, nuk do të ketë ndryshim”, është e prerë Ivanovska.

Pa zgjidhje, do të rritet dëshira për të emigruar dhe do të plotësohen boshllëqet në tregjet e huaja të punës

Ivanovska thotë se sfidat me të cilat përballen të gjithë faktorët relevantë në vend janë të mëdha dhe fokusi i të gjithëve – sindikatave, qeverisë dhe punëdhënësve, duhet të ketë për qëllim tejkalimin e problemeve dhe përfshirjen e qytetarëve, veçanërisht të rinjve, në të gjitha proceset për të krijuar të ardhmen. Ajo shton se nevojiten masa konkrete për të kapërcyer situatën, kurse zgjidhjet e izoluara dhe të improvizuara mund të çojnë vetëm në maskimin dhe zgjatjen e problemeve ekzistuese.

“Është fakt që kriza e vazhdueshme shëndetësore rezulton me ngecje në realizimin e planifikuar dhe të parashikuar në këtë fushë, por këto janë sfida me të cilat partnerët socialë do të përballen në të ardhmen dhe nëse nuk ndërmerren hapa konkretë për të ruajtur vendet e punës edhe për të rinjtë. në periudhën e ardhshme kjo krizë do ta thellohet definitivisht dhe qëllimi i vetëm i të rinjve do të jetë të largohen nga vendi në kërkim të një jetesës më të mirë,” tha Ivanovska.

Të rinjtë që mendojnë se u është shkelur ndonjë e drejtë e caktuar mund të paraqesin ankesë në LSM, përmes adresës së postës elektronike [email protected] , në numrin e telefonit 070 818 878 ose në aplikacionin e ri mobil që ofron qasje më të lehtë dhe më efikase në informacione.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button