Çfarë përmban Memorandumi i Qeverisë me “Bechtel dhe Enka” për ndërtimin e autostradave?

“Palët marrin përsipër të punojnë së bashku për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme në mënyrë që të përmbushin këtë projekt me interes kombëtar.” Kjo është pjesë e preambulës së Memorandumit të mirëkuptimit, të cilin Qeveria e nënshkroi me konsorciumin amerikan-turk “Bechtel dhe Enka”, për ndërtimin e seksioneve të autostradës për korridoret 8 dhe 10. Këto janë seksionet Tetovë-Gostivar-Bukojçani, Strugë-Qafë Thana, si dhe Prilep-Manastir, për të cilat Qeveria dëshiron të anashkalojë Ligjin për Prokurime publike dhe t’i ndërtojë ato në negociata të drejtpërdrejta me “Bechtel dhe Enka”, shkruan 360 shkallë, transmeton Portalb.mk.

Memorandumi i bashkëpunimit me konsorciumin amerikan-turk përbëhet nga katër nene.

Artikulli i parë thotë se menjëherë pas nënshkrimit, të dy palët (“Bechtel & Enka” dhe Qeveria) “do të bashkëpunojnë ngushtë në përgatitjen e zgjidhjeve më të vlefshme teknike, financiare dhe tregtare për zbatimin e këtij projekti.” Për më tepër, palët shprehin interes në projekt për të përfshirë bashkëpunimin në disa fusha, vlerësimin e ndikimit shoqëror në mjedis, hartimin dhe planifikimin e projektit.

Qeveria dhe “Bechtel & Enka” duhet të përgatisin një plan aksionar që do të përfshijë statusin aktual të dokumentacionit teknik të projektit, orarin e aktiviteteve të projektit, modelet e financimit, modelet e ndërtimit, menaxherët e aktivitetit të projektit dhe afatet deri sa të përfundojë ndërtimi i tyre.

Memorandumi është ligjërisht jo-detyrues, por mbetet efektiv për 12 muaj (deri në fund të Marsit 2022). Mund të ndryshohet me konsensus të palëve.

Boçvarski: kemi të drejtë të mendojmë në të gjitha mënyrat e mundshme për ndërtim

Ministri kompetent nuk tërhiqet nga teza se nuk ka asgjë të keqe që Qeveria ka vendosur të zgjedhë negociata të drejtpërdrejta me “Bechtel & Enka”. Sipas tij, Maqedonia ka kapacitete modeste në fushën e projektimit të rrugëve, kurse ndërmarrjet vendase kanë burime të kufizuara. Ka ndodhur, thotë Boçvarski, që kompanitë e përfshira në tenderë ndërkombëtarë janë larguar nga trasetë dhe ne përsëri kemi arbitrazhe dhe procedura gjyqësore.

“Këto aspekte që i theksova kanë treguar, vërtet, se ka probleme në ato procedura ku është shpenzuar shumë kohë, energji dhe ne nuk kemi korridore të përcaktuara qartë, ndërsa jemi vend transit në Korridorin 8 dhe Korridorin 10, të cilët kryqëzohen. Nuk duam, si Qeveri, ta vijmë në situatë ku ato korridore, gjatë disa lëvizjeve të ardhshme, do të zhvendosen në një rrugë tjetër dhe ne do të anashkalohemi, për të mbetur si një zorrë qorre. Absolutisht kemi të drejtë si Qeveri të mendojmë në të gjitha mënyrat e mundshme për ndërtimin e rrugëve. Duke vepruar kështu, është e papranueshme të hyhet në procedura, në negociata ballë për ballë, sepse kjo do të përfshijë shumë institucione, shumë ekspertë, kompani këshilluese, kompani të njohura ndërkombëtare, të cilat do të punojnë në krijimin, së pari me ligj, dhe pastaj me marrëveshje, më pas duhet të përfundojnë në Parlament, ku do të rihapen përpara deputetëve, përpara opozitës, bisedime me të gjitha palët dhe nuk do të ketë asgjë të fshehur”, tha Boçvarski.

Meqenëse nuk ka tender, do të ketë vetëm një ofertë nga “Bechtel & Enka”, për të cilën Qeveria do të negociojë drejtpërdrejt. Boçvarski paralajmëron se në të ardhmen ekipet juridike nga disa ministri do të punojnë në një zgjidhje ligjore. Sapo të hartohet ligji, do të ketë një debat me opozitën, organizatat joqeveritare, ekspertët dhe më në fund ai do të nisë në procedurën parlamentare.

“Ai ligj mund të kalojë ose jo. Nëse nuk kalon, procedura mbaron”, tha Boçvarski.

Nëse ligji merr mbështetjen e shumicës së deputetëve, Boçvarski thotë se atëherë do të nënshkruhet një marrëveshje me “Bechtel & Enka”. Sa i përket çmimeve, do të punësohen firmat këshilluese. Ministri thotë se është herët të parashikohet se sa do të kushtojë ndërtimi i pjesëve të autostradës. Se si shteti do të gjejë para për t’i paguar, fjalën e fundit do ta ketë Ministria e financave.

Platforma anti-korrupsion: Ndërtimi i autostradave në Korridoret 8 dhe 10 të bëhet përmes një procesi transparent

Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftë kundër korrupsionit shpreh shqetësim për nivelin e ulët të transparencës së procesit me të cilin Qeveria e RMV-së rregullon ndërtimin e pjesëve të autostradave të korridoreve 8 dhe 10, transmeton Portalb.mk.

“Nga informacionet që janë të disponueshme për publikun, nuk mund të përcaktohet justifikim për lidhjen e njoftuar të kontratës së drejtpërdrejtë për realizimin e projekteve të infrastrukturës pa zbatuar Ligjin për furnizim publike. Për ne si qytetarë është jashtëzakonisht e rëndësishme që i gjithë procesi të jetë transparent nga shpallja deri në lidhjen e kontratës, për të mundësuar pjesëmarrjen dhe trajtimin e barabartë të të gjitha kompanive të interesuara, për të siguruar mbrojtje ligjore për të gjithë pjesëmarrësit në procedurë dhe sigurisht ajo që është veçanërisht e rëndësihme është që të mundësohet mbikëqyrje e të gjithë procedurës nga institucionet kompetente, publiku i interesuar profesional dhe qytetarët”, thuhet në deklaratën e Platformës së organizatave të shoqërisë civile për luftimin e korrupsionit.

Ata thonë se aplikimi i një zgjidhjeje të veçantë ligjore (lex specialis) është mënyrë e keqe e menaxhimit të investimeve kapitale, pasi parandalon konkurrencën midis subjekteve ekonomike nga vendi dhe jashtë dhe zakonisht mbart një rrezik në rritje të çmimeve më të larta se ato të tregut.

“Veprimet e tilla mund që seriozisht të shkelin parimet e qeverisjes së mirë dhe të çojnë në abuzime të mundshme”, thonë nga Platforma e OJQ-ve për luftimin e korrupsionit.

Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftë kundër korrupsionit kërkon nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut që të braktisë konceptin e marrëveshjeve të drejtpërdrejta dhe planifikimin e projekteve të mëdha infrastrukturore ta zbatojë publikisht, ndërsa realizimi i projekteve të jetë në procedurë  konkurruese dhe transparente.

Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftë kundër korrupsionit është themeluar më 9 dhjetor 2014. Anëtarë të Platformës janë 17 organizata: Shoqata për iniciativa demokratike, Eurothink, Instituti për Demokraci “Societas Civilis” Shkup, Qendra kërkimore për shoqëri civile, Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”, CONNECT, Qendra maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar, Metamorfozis, Most, Instituti i Ohrit , Transparency Internacional Maqedoni,  Transparenca Maqedoni, Fondacioni për shoqëri të hapur – Maqedoni, Forumi CSID, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut, Qendra për komunikime civile, Qendra për kërkime dhe krijim të politikave dhe Qendra për gazetari hulumtuese SCOOP.

Përndryshe, kryeministri Zoran Zaev dy ditë më parë deklaroi se ka mundësi që deri në fund të majit ose në fillim të qershorit institucionet kompetente në vend ta përgatisin projektvendimin për modelin sipas të cilit do të realizohet ndërtimi i paralajmëruar i pjesëve të autostradës Tetovë-Gostivar- BukojçanTrebenishtë-Strugë-Qathanë dhe Prilep-Manastir nga ana e konsorciumit amerikano-turk “Behtel-Enka”.

Një muaj më parë, Qeveria nënshkroi Memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me Behtel-Enka për përgatitjen e dokumentacionit të projektit dhe ndërtimin e tre seksioneve të autostradave në Korridoret 8 dhe 10D. Zaev deklaroi se me implementimin e këtyre projekteve infrastrukturore, vendi do të plotësonte të gjitha nevojat e autostradave që ekzistojnë aktualisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button