Libri nuk duhet të digjet për shkak të digjitalizimit të tij

Digjitalizimi i shërbimeve duhet të jetë një nga prioritetet për çdo institucion, në mënyrë që qytetarët të kenë shërbime më efikase, që radhët e gjata nëpër korridoret e tyre të zvogëlohen. Megjithëkëtë, digjitalizimi kudo dhe në çdo formë pa kompromis dhe pa alternativë mund të jetë një fatalitet për shoqërinë.

Digjitalizimi i librave shkollorë në Maqedoninë e Veriut duhej të ishte bërë shumë më herët, në atë mënyrë që nuk duhet të jetë një detyrim i tillë për të zëvendësuar librat e shtypur, por të jetë alternativë për qasjen më të lehtë në burimin e saktë të informacionit. Në nenin 5 të ligjit të propozuar nga pushteti, nxënësit e tri klasave të para do të mësojnë përmes librave të shtypura, ndërsa nxënësit tjerë në shkolla fillore dhe të mesme duhet të mësojnë përmes librave digjitalë.

Në bazë të Entit të Statistikave, 20% e familjeve në Maqedoninë e Veriut nuk kanë aspak qasje në internet, ndërsa 21% e qytetarëve nuk kanë qasje në shërbimet komunale për grumbullimin e mbeturinave. Jemi shoqëri e tillë që kemi akoma probleme me kushtet elementare, bie fjala furnizimi me energji elektrike e ujë, mungesa e kanalizimit dhe infrastrukturës në vendbanime dhe shkolla, ndërsa interneti dhe teknologjia akoma nuk është në rend dite për qytetarin.

Mësimi onlajn në shkollat e vendit gjatë këtij viti, ku më shumë se gjysma e nxënësve nuk janë të rregullt në ndjekjen e procesit arsimor, është tregues sa shoqëria dhe shteti nuk është i gatshëm për një digjitalizim të nxituar e pa kritere. Ky parametër duhet të jetë thelbësor në iniciativën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të zëvendësuar librat e shtypur me ata digjitalë për vitin e ardhshëm shkollor 2021/22.

Ministria sqaroi që studentët do të kenë të drejtën të shtypin librat digjitalë, por pa specifikuar që shpenzimet duhet të mbulohen nga vetë nxënësit, duke mos ofruar as edhe blerjen e pajisjeve elektronike për nxënësit përmes mjeteve të kursyera nga librat që nuk do të botohen, por vetëm do të publikohen onlajn. Në nenin 16 sqarohet që shpenzimet për librat e shtypura për tri klasat e para do të mbulohen nga buxheti i shtetit, derisa për çdo dëmtim të tij prindërit do të paguajnë 70%  të vlerës së librit.

Pushteti shpeshherë na ka dëshmuar se mund të krijojë ligje dhe kërkesa të ndryshme për shkollat pa i siguruar kushtet për zbatimin e tyre. Ata vendosën që edhe nxënësit e klasave të ulëta të mësojnë sport në salla sportive të shkollës, por pa ndërtuar salla të reja. Ata kërkojnë digjitalizimin e arsimit në një kohë kur furnizojnë shkollat ​​vetëm me shkumës, ngjashëm do të kërkojë shtypjen e librave në një kohë kur shumica e shkollave nuk kanë as fotokopjues.

Një nga problematikat tjera është edhe pamundësia për t’u (vetë)kontrolluar nxënësit gjatë kohës sa janë në internet, pasi pushteti dëshmoi që nuk është në gjendje të hetojë dhe parandalojë skandalet si ai në “dhomën publike”, skandal ku nxënësit u shndërruan në viktima të grupeve kibernetike që keqpërdorën të dhënat personale të fëmijëve.

Digjitalizimi i librave duhet të jetë alternativë,  por jo edhe detyrim, që fëmijët mos të obligohen të rrezikojnë shëndetin gjatë qëndrimit të gjatë në internet, ndërkohë do të ruajë  kulturën e leximit që të ofron vetëm aroma e një libri të shtypur.

Nga Faton Curri

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button