Carovska: Qytetarët do të mund të zgjedhin midis librave të shtypur dhe digjital, kurse shteti e ka detyrim t’u blejë kompjuter atyre që nuk kanë

Ministrja e arsimit Milla Carovska thotë se heqja e librave shkollorë të shtypur është trillim i VMRO-DPMNE-së sepse, me Projektligjin për tekste shkollore dhe materiale tjera mësimore e didaktike në arsimin fillor dhe të mesëm, i miratuar dje nga Qeveria, qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin midis librave digjitalë dhe atyre të shtypur, trasnmeton Portalb.mk.

Carovska foli në Parlament në seancën për pyetje të deputetëve, duke iu përgjigjur deputetit të VMRO-DPMNE Vllado Misajllovski, i cili tha se edhe vendet më të zhvilluara nuk mendojnë të kalojnë në digjitalizimin e plotë në arsim.

“Është e rëndësishme që të gjithë qytetarët me këtë zgjidhje ligjore do të kenë mundësi të zgjedhin libra shkollorë të shtypur ose digjitalë. Ajo që është e rëndësishme është që në këtë mënyrë do të jemi në gjendje përmbajtjet t’i sjellim më afër brezit të ri të nxënësve që jetojnë në botën digjitale, duam apo nuk duam. Ndërprerje, ndërprerje, ndërprerje…Vetë po përpiqeni të impononi një term që nuk ekziston. Ndërprerja nuk ekziston, në ligji për herë të parë, absolutisht garantohet qasje në versionin audio, versionin Braille, versionin digjital bashkëpunues dhe librin shkollor të shtypur dhe kjo është zgjidhja ligjore. Qasja është e kombinuar dhe ajo qasje ekziston në botë, asgjë e re, asgjë domethënëse, nuk po e shpikim ne”, tha Carovska.

Më vonë, duke iu përgjigjur deputetit nga Levica, Borisllav Kërmov, ajo shpjegoi se nëse një nxënës zgjedh libra shkollorë digjitalë dhe nuk ka një kompjuter, shteti do të duhet t’ia sigurojë.

Misajllovski akuzoi shumicën për dëshirën e miratimit të ligjit me forcë, duke abuzuar me flamurin evropian.

“Ju do ta kaloni këtë ligj me forcë. Ne kemi paralajmëruar se do të paraqesim amendamente, por nuk do të ketë mundësi për të paraqitur ndryshime që diçka të bllokohet nga ky ligj, sepse ju po abuzoni me flamurin Evropian. Edhe në vendet e zhvilluara ata nuk mendojnë për kalimin në digjitalizim të plotë, nxënësit do të jenë para kompjuterit gjatë gjithë ditës”, tha Misajlovski.

Carovska akuzoi VMRO-DPMNE se qëndron pas bojkotit të djeshëm të mësimit nga një pjesë e nxënësve të shkollave të mesme.

“Ajo që jeni duke u përpjekur të arrini gjatë tre ditëve të kaluara duke i manipuluar nxënësit, prindërit dhe mësuesit është e tmerrshme dhe kjo është arsyeja pse ju morët një shuplakë sot nga Unioni i nxënësve të shkollave të mesme i cili u tha që nuk është organizuar nga ata dhe se ju duhet të keni kujdes me abuzimin e nxënësve për qëllime partiake”, tha Carovska.

Përndryshe digjitalizmi i librave shkollorë ka ngritur polemika të ndryshme. Kryetari i Unionit të nxënësve të shkollave të mesme, Blendi Hodai edhe pse nuk kanë organizuar bojkot, ditë më parë u shpreh se nuk janë kundër digjitalizimit, por se është një proces i vështirë për vendin tonë, që e pamë gjatë pandemisë dhe mësimit onlajn. Ndërkohë disa mendojnë se digjitalizimi do t’i bëjë më të varur fëmijët ndaj pajisjeve teknologjike. Megjithatë Ministria e Arsimit vlerëson se nuk është një trend, por një nevojë reale e nxënësve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button