Thaçi e uroi Ramën nga Haga: Kujdesu edhe për Kosovën

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka uruar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për fitoren në zgjedhjet e mbajtura të dielën. Thaçi në një letër dërguar nga Haga, ka thënë se ka ndier gëzim të madh në fitoren e Ramës dhe i ka bërë thirrje Ramës që të kujdeset edhe për Kosovën, transmeton Koha.net. 

Letrën e pranuar nga Thaçi, Rama e ka postuar në Facebook.

“Dhomat e ngushta e muret e qelisë së Hagës nuk e përmbajnë dot shpërthimin e entuziazmit tim për fitoren tënde. Entuziazëm ky që vështirë gjen vend në zymtësinë e vetmisë së ditëve të burgut. Por, si rrallë herë kohëve të fundit, sot jam i lumtur dhe i qetë për fitoren tënde, vëllau im. Sot, dielli ngrohte zemrën e Shqiptarit brenda meje. Sot, për Shqipërinë kam mall, dashuri, e nostalgji. Sot, si jo-rrallë herë kohëve të fundit, u fundosa i buzëqeshur në dallgët e kujtimeve të lavdishme të ditëve të luftës. U kujtova për ata që luftuan me mua, ata që ranë që lirinë ta sjellin mes nesh, dhe krejt atë çka idealizuam aq shumë për Shqipërinë, sa u betuam të jepnim edhe jetën për çlirimin dhe bashkimin e trojeve Shqiptare. Ky ishte betimi im dhe i shokëve të mi si ushtarë të UÇK-së, betim e luftë që sot më mban të qëndroj kokë-lartë e me ndërgjegje qetësisht të pastër përballë të panjohurës”, ka shkruar Thaçi në letrën drejtuar Ramës.

Më tej Thaçi ka porositur kryeministrin e Shqipërisë që të kujdeset edhe për Kosovën.

Me shpresën që do të mund të takohemi përsëri duke frymuar nën qiellin e bukur dhe diellin që ngroh Shqipërinë dhe Kosovën, po të uroj të vazhdosh të japësh gjithçka nga shpirti yt për Shqipërinë. Kjo sepse edhe kur në ditët ku drita e diellit nuk depërton në muret e mbyllura të qelisë, dielli ngroh zemrën time vetëm at’herë kur Shqipëria dhe Kosova janë mirë. Sot Shqipëria fitoi! Sot shqiptarët janë mirë. Kujdesu për Shqipërinë, vlla, dhe mos harro që t’kujdesesh edhe për Kosovën. Kur ti kujdesesh për Kosovën, ti kujdesesh edhe për shqiptarët”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button