Beogradi ndaloi punimet për memorialin e komandant Lleshit

Ende nuk dihet se cili institucion në Serbi urdhëroi pezullimin e punimeve në ndërtimin e një objekti kushtuar ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB), Ridvan Qazimi, i njohur edhe si komandant Lleshi.

Qazimi u vra në maj të vitit 2001, në rrethana të pasqaruara deri më tani. Vrasja e tij ndodhi pas përfundimit të negociatave ndërmjet UÇPMB-së dhe Qeverisë së Serbisë.

Çfarë thonë në Ministrinë e Punës së Serbisë?

Ministria e Punës, Punësimit, Çështjeve të Veteranëve dhe atyre Sociale, e cila është përgjegjëse për ngritjen dhe heqjen e memorialeve përkujtimore të luftës, nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, nëse ka pasur më herët kërkesë për ngritjen e këtij monumenti.

Më 26 prill, kjo ministri tha se e kanë mirëpritur reagimin e shpejtë të policisë për të ndaluar punimet në ndërtimin e atij kompleksi.

Sipas kësaj ministrie, “pasi u njoftua nga mediat për qëllimin që të ndërtohet ky kompleks përkujtimor, iu drejtua organeve dhe institucioneve kompetente shtetërore, në mënyrë që shërbimet e tyre profesionale të mund të kontrollonin të gjitha informacionet në dispozicion në lidhje me këtë rast”.

Pavarësisht faktit se sipas Ligjit për memorialet e luftës, ngritja e këtyre monumenteve dhe heqja e tyre është në kompetencë të Ministrisë së Punës, reagimi i parë zyrtar nuk u bë nga kjo ministri, por nga ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vullin, i cili tha se policia kishte ndaluar ndërtimin.

Ministritë heshtin

Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Punës nëse ndonjë nga inicuesit e ngritjes së memorialit kërkuan pëlqimin e ministrisë, por deri në publikimin e këtij teksti, kjo ministri, nuk është përgjigjur.

Edhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk është përgjigjur në pyetjen se nga kush ka marrë urdhër për të ndaluar punimet, dhe cila është arsyeja zyrtare e ndërhyrjes së policisë.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Ragmi Mustafi, i tha Radios Evropa e Lirë më 25 prill se nuk ka asnjë informacion se punimet në atë objekt ishin parandaluar, dhe se ai nuk e dinte nëse policia në terren me të vërtetë ndërmori ndonjë veprim.

Sipas tij, memoriali kushtuar komandant Lleshit nuk do të shkaktonte tensione në jug të Serbisë.

Memoriali është planifikuar të ndërtohet në tokën që është në pronësi të xhamisë në kodrën mbi Tërnocin e Madh. Sipas informacioneve jozyrtare të Radios Evropa e Lirë, nismëtare e ndërtimit është Shoqata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Çështja është ngritur edhe në kuvend

Kjo çështje u ngrit edhe në një seancë të Kuvendit të Serbisë më 13 prill.

Shefi i Grupit Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gjorgje Miliqeviq, shtroi pyetjen nëse Komuna e Bujanocit ose komuniteti lokal i Tërnocit të Madh kishin paraqitur kërkesë për të ndërtuar një kompleks përkujtimor. Ai potencoi se Komuna e Bujanocit, pavarësisht përkatësisë së qytetarëve të saj, duhet të respektojë ligjet e Serbisë.

“Në Serbi, ekziston ligji në bazë të së cilit rregullohet saktësisht se kujt dhe në çfarë kushtesh mund t’i ndërtohen monumente përkujtimore. Kjo sigurisht nuk është e mundur për ata që morën pjesë në veprime terroriste”, tha Miliqeviq.

Qeveria duhet që brenda 40 ditësh t’i përgjigjet pyetjes së deputetit. Miliqeviq tha për Radion Evropa e Lirë se ai ende nuk ka marrë një përgjigje.

“Unë jam i bindur që do të na dërgojnë përgjigjen”, tha ai.

Çfarë thonë autoritetet lokale?

Drejtori për Urbanizëm i Komunës së Bujanocit, Basri Memeti, i tha Radios Evropa e Lirë se në zyrën që ai e udhëheq, nuk ka ndonjë kërkesë për ndërtim.

Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Nish, në territorin e të cilit ndodhet vendi ku kryhen punimet, nuk ka asnjë informacion as për këtë.

Ligji për memorialet e luftës thotë se propozimi për ndërtimin ose heqjen e memorialeve të luftës mund të paraqitet nga organet shtetërore, organet e autonomisë territoriale, njësitë e vetëqeverisjes lokale, personat juridikë dhe fizikë.

Propozimi për ndërtimin e një memoriali të luftës, ndër të tjera, duhet të përmbajë informacion në lidhje me aplikantin, një përshkrim të një ngjarjeje specifike “që është në përputhje me arritjet e luftërave çlirimtare të Serbisë”, një përshkrim i luftës dhe teksti i propozuar që do të shkruhet në të. Gjithashtu edhe vendi se ku do të ngritet memoriali duhet të përmendet në kërkesë. Ndalimi për ndërtim zbatohet nëse përmbajtja e memorialit nuk është në përputhshmëri me faktet historike apo nëse cenon interesat e përgjithshme shtetërore, ndjenjat kombëtare dhe fetare ose moralin publik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button