Është ngritur aktakuzë për rastin”Dhoma publike 1″, për rastin e dytë kërkohet ndihmë juridike ndërkombëtare

Administratori dhe moderatori i grupit të parë “Dhoma Publike” të aplikacionit Telegram u akuzuan për veprën penale prodhim dhe shpërndarje të pornografisë së fëmijëve, transmeton Portalb.mk.

Aktakuza u ngrit nga Prokuroria Themelore Publike (PTHP) – Shkup dhe sipas kumtesës, bëhet fjalë për dy persona të moshës 32 dhe 21 vjeç.

“Në periudhën prej 19.12.2019 deri më 28.01.2020, dy të akuzuarit, si themelues dhe moderator i grupit ‘Dhoma Publike’ në rrjetin social Telegram, ishin të obliguar të kujdeseshin për përmbajtjet me tekst dhe atyre audio-vizuale, që ndaheshin nga anëtarët e grupit. Por, ata qëllimisht e lejuan grupin të vinte në dispozicion përmbajtje – material audio-vizual që tregon veprime të dukshme seksuale me fëmijë”, thonë nga Prokuroria Publike Shkup.

Grupi, siç dihet, tashmë është zhdukur.

Për dy të akuzuarit, Prokuroria Publike Shkup kërkon që t’iu zgjatet paraburgimi pasi ekziston rreziku i arratisjes, mundësia e ndikimit në dëshmitarët dhe viktimat dhe mbulimit të gjurmëve.

Hetimi për grupin e parë u hap më 5 shkurt të këtij viti.

Telegrami nuk iu përgjigj kërkesave të MPB-së

Kur bëhet fjalë për grupin e dytë me të njëjtin emër, çështja e udhëhequr nga Prokuroria Publike Shkup për të zbuluar krijuesit dhe administratorët është ende në fazën parahetimore. Prokurorët e Shkupit përballen me problemin e identifikimit të identitetit të personave që e krijuan atë dhe ishin pjesë e këtij grupi. Përmes MPB-së në janar ata iu drejtuan Shërbimit ndërkombëtar të ofruesit të shërbimeve – Telegram, por nuk iu përgjigjën kërkesës së tyre, prandaj edhe tani kanë arritur në instrumentin Ndihma ligjore ndërkombëtare.

“Këto të dhëna janë të nevojshme në mënyrë që të përcaktohet identiteti dhe Prokuroria të mund të ndërmarrë veprime penale kundër personave të përfshirë në këtë grup. Për këto arsye, Prokuroria Publike përdori mekanizmat e ndihmës juridike ndërkombëtare, dhe në përputhje me rregulloret pozitive vendore dhe ndërkombëtare, kërkoi të dhënat nga Mbretëria e Bashkuar. Deri në këtë moment nuk ka arritur asnjë përgjigje në lidhje me këtë kërkesë”, thonë nga prokuroria.

Për Dhomën publike 2 ka lëndë në më shumë prokurori

Derisa Prokuroria Publike në Shkup pret ndihmë ndërkombëtare, për rastin “Dhoma Publike 2” po udhëhiqen lëndë edhe në prokurori të tjera.

Sipas informacioneve të publikuar, prokuroria e Velesit tashmë ka hapur edhe hetim kundër një personi për prodhimin dhe shpërndarjen e pornografisë së fëmijëve.

“Përndryshe, gjatë ekzaminimit të telefonit celular të të dyshuarit, u gjetën video me pornografi për fëmijë”, thonë nga prokuroria.

Lëndë ka edhe në Manastir ku është lëshuar një urdhër për ekspertizë të CD-ve dhe celularëve. Pasi të ketë mbaruar ekspertiza, do të vendoset se në cilin drejtim do ta drejtojë çështjen prokuroria e Manastirit.

“Po merren masa edhe në Kavadar, ku po mblidhen prova materiale, për të cilat prokuroria aktualisht nuk është në gjendje të ndajë detaje. Lëndë ekziston edhe në Prokurorinë Publike në Prilep, ku personave të denoncuar iu janë konfiskuar dy telefona celularë dhe u dha urdhër për ekspertizë të tyre”, thanë nga prokuroria.

Ndërkohë, lidhur me këtë çështje janë mbajtur disa herë edhe protesta, ku kërkohej që institucionet kompetente të veprojnë ndaj autorëve të këtyre Dhomave, si dhe ndaj të gjithë autorëve të dhunës përmes internetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button