Mungesa e ujit, një ndër arsyet pse nuk është plotësisht gati spitali modular në Tetovë

Mungesa e ujit në Tetovë ka pamundësuar që firma e cila ka ndërtuar spitalin modular për pacientët me Kovid-19 të testojë sistemin e ujit në atë objekt, megjithatë, këto lëshime janë në fazën e fundit të rregullimit dhe drejtori ekonomik i Spitalit Klinik të Tetovës, Artan Etemi, informoi se së shpejti pritet që i njëjti të vendoset në funksion. Në Tetovë situata me Kovid-19 është përmirësuar, shkruan Portalb.mk.

Artan Etemi, drejtori ekonomik i Spitalit Klinik të Tetovës potencoi se komisioni përkatës nga Ministria e Shëndetësisë ka vërejtur disa lëshime në ndërtimin e spitalit modular, megjithatë, firmës i kanë ngelur edhe pak ditë për të sanuar këto parregullsi.

Artan Etemi, drejtori ekonomik i Spitalit Klinik të Tetovës.

“Firma e cila ka realizuar punët ndërtimore e të njëjtit objekt ka bë disa lëshime të vogla dhe nga ana e komisionit, iu dha një afat prej pesë ditësh që të bëj rregullimin e atyre parregullsive të vogla dhe kështu jemi pra në fazën e fundit ku duhet kyç objekti në sistemin qendror të oksigjenit që është më se i nevojshëm për trajtimin e pacientëve me Kovid – 19” tha Artan Etemi, drejtor ekonomik i Spitalit klinik të Tetovës.

Ai gjithashtu shtoi se mungesa e ujit në orare të caktuara në qytetin e Tetovës ka pamundësuar firmën që të testojë sistemin e ujit në spitalin modular për pacientët me Kovid-19.

“Një ditë ishte firma që të fus në funksion ujin por nuk kishte ujë qyteti dhe nuk mundëm ta testojmë sistemin e ujit në objekt” shtoi Etemi.

Ndërkaq, numri i pacientëve të shtrirë në Spitalin Klinik të Tetovës për shkak të Kovid-19 aktualisht është 41 dhe të gjithë pacientët janë nën mbështetjen e oksigjenit.

Portalb.mk tash disa ditë shkruan për zvarritjen e procedurës për funksionalizimin e spitalit modular në Tetovë, një javë më herët të gjithë palët kompetente u shprehën se kanë përfunduar punët e tyre, megjithatë, spitali ende nuk është futur në funksion edhe pse këto spitale modulare tashmë janë funksionale në disa qytete të Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut nga gjithsej 2 865 persona të testuar për Kovid-19 gjatë 24 orëve të fundit në vend, gjithsej 627 prej tyre kanë rezultuar pozitiv. U regjistruan 47 persona që ndërruan jetë si pasojë e virusit kurse 1 765 janë regjistruar si të shëruar.

Për informata më të detajuara për situatën me virusin korona, klikoni në këtë link: http://gdi.mk/corona/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button