Maqedoni e Veriut, sektori i hotelerisë në protestë, kërkon ndihmë financiare nga shteti

Oda turistiko-hotelerike sot organizoi protestë përpara Ministrisë së Financave në Shkup, me kërkesën për ndihmë financiare, raporton Anadolu Agency (AA).

Pronarët e restoranteve, këndeve të lojërave, agjencitë turistike në protestë kërkuan shpëtimin e veprimtarisë dhe nën moton “A do të mundeni” kërkuan mbështetje financiare nga Qeveria.

Nënkryetari i Odës turistiko-hotelerike, Martin Angellovski tha se vitet e fundit kanë dëshmuar se mund dhe dinë të punojnë, dhe se nga e para kanë ndërtuar biznese me të cilat me nderë ruajtën familjet e tyre.

“Kjo është arsyeja pse ne u bëjmë thirrje institucioneve kompetente që të kujtojnë parullën e tyre zgjedhore ‘Mundemi’ dhe të tregojnë se mund të na ndihmojnë kur vërtet na duhet për të shpëtuar biznesin, personat juridikë dhe ekzistencën e familjeve tona. Sot ne të gjithë këtu publikisht dhe me zë të lartë i pyesim ata nëse mund t’u përgjigjeni kërkesave tona dhe të siguroni mbështetjen që na nevojitet. Kërkohet ndihmë financiare të njëhershme për objektet e regjistruara të hotelerisë”, theksoi Angellovski.

Marija Sinadinovska Arsovska nga Këshilli nismëtar i restoranteve që organizojnë ngjarje tha se si operatorë ekonomikë restorantet për organizimin e ngjarjeve u është ndaluar të zhvillojnë aktivitetin e tyre kryesor për 14 muaj.

“Për më shumë se një vit, kemi kërkuar vazhdimisht miratimin e një protokolli për organizimin e ngjarjeve duke ndjekur shembullin e vendeve fqinje dhe mbështetjen financiare në formën e grantit për të gjithë periudhën derisa jemi të ndaluar të ushtrojmë veprimtarinë tonë”, tha Arsovska.

Agjencitë turistike theksuan kërkesat për ndihmë financiare të njëhershme të pakthyeshme, si dhe zgjatjen e afatit për vauçerët turistikë që qytetarët nuk i përdorën deri në fund të vitit 2022.

“E kërkojmë ndihmën që është plotësisht normale për mbijetesën e nevojshme të këtij sektori, të të gjitha agjencive turistike deri në një. Ne do të jemi këtu çdo ditë derisa kërkesat tona të plotësohen plotësisht. Në mënyrë që të mos lejojmë më asnjë agjenci turistike të mbyllet”, tha Ana Marija Aleksova nga Oda turistiko-hotelerike dhe pronare e një agjencie turistike.

Dimitar Kavrakov, përfaqësues i Asociacionit maqedonas të guidëve turistikë tha se guidët janë ambasadorët e këtij vendi.

“U sollëm në gjendje që asnjëherë nuk do të supozoja. Të kërkojmë lëmoshë para kësaj godine. Ne nuk kërkojmë lëmoshë, kërkojmë kushte për punë dhe t’i fitojmë paratë tona”, tha Kavrakov.

Në protestën u bashkuan edhe pronarët e këndeve të lojërave.

“Për shkak të numrit të madh të personave të sëmurë edhe këndet e lojërave janë në gjendje të palakmueshme. Nuk ka aspak interes për të festuar ditëlindjet. Kërkojmë mbështetje financiare derisa të krijohen kushtet për punë”, tha pronari i këndit të lojërave, Trajko Nikollovski.

Protesta e Odës turistiko-hotelerike përpara Ministrisë së Financave do të zgjasë derisa nuk përmbushen kërkesat e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button