Java e fundit e fushatës, partitë 5 ditë kohë për të bindur zgjedhësit

Politikanët shqiptarë kanë kohë deri të premten të bindin elektoratin të votojë për ta. Kjo është java e fundit e fushatës, të shtunën është heshtja zgjedhore dhe të dielën votohet për 140 deputetet që do të qeverisin 4 vitet e ardhshme, raporton EN.

Janë 1868 kandidatë për deputetë, që këtë radhë, përveçse me kundërshtarët, luftën e kanë dhe brenda llojit për votën preferenciale që mund t’u sigurojë ripozicionim në listat e hartuara nga kryetarët. Pas ndërhyrjeve në kodin zgjedhor për të miratuar ato që u quajtën lista të hapura, në fletën e votimit votohet jo vetëm për partinë por dhe kandidatin. Ai që merr më shumë vota nominale sesa mesatarja e votave që prodhojnë një mandat në atë qark, mund të rirenditet më lart në listë.

Nën siglat e 10 partive dhe 2 koalicioneve garojnë 1863 kandidatë. Në qarqet Tiranë, Lezhë, Shkodër, Dibër votën e kërkojnë dhe 5 të pavarur. Por përveç partive tradicionale, në 25 prill si alternativa paraqiten dhe parti të reja, ndër to ajo e Jozefina Topallit, Astrit Patozit, Myslym Murrizit, Nisma Thurje, VV e cila ka zgjedhur si strategji te saj kandidatet e pavarur ne tri qarqe, Tirane, Gjirokastër e Lezhë, por edhe parti të tjera të krijuara së fundmi. Gjithsej në këto zgjedhje do të jenë 12 parti dhe koalicione.

Për shkak të pandemisë së COVID-19, fushata nuk u zhvillua në formatin e saj të zakonshëm.  Rregullat në fuqi, ndalojnë grumbullimet masive dhe kërkojnë distancim fizik. Por, jo gjithmonë janë përmbushur.

E pikërisht pandemia ishte në thelb të retorikave të këtij muaji.

Kryeministri, duke pritur personalisht vaksinat dhe renditur luftën ndaj COVID si arritjen kryesore të kësaj qeverisjeje, ndërsa Lulzim Basha si dështimin më të fundit të saj.

Kryetari i PD, i cili kërkon ndryshim, gjatë gjithë takimeve të tij elektorale ka renditur premtimet e parealizuara në 2 mandatet e socialistëve.

Kryeministri nga ana tjetër kërkon dhe 4 vjet për të përmbushur projektet e lëna në mes për shkak të pandemisë dhe tërmetit. Projekte, të cilat thotë se do të pezullohen nëse në pushtet vijnë opozitarët.

Ftesat e Edi Ramës për bashkëpunim paszgjedhor u shoqëruan me refuzimin e menjëhershëm të Lulzim Bashës.

Deri tani janë me dhjetëra denoncimet e bëra në SPAK dhe në prokuroritë e rretheve, kryesisht nga PD dhe LSI kundër zyrtarëve të mazhorancës për shkelje të kodit zgjedhore, përdorim të aseteve publike dhe shërbimeve në këmbim të votës, kërcënim ndaj administratës etj. Edhe Presidenti Meta ka vendosur në dispozicion dhe 2 numra telefoni ku mund të denoncohen tentativa të tilla.

Publikimi i të dhënave personale, numri i dokumenteve të identifikimit dhe orientimi i votës, të cilat dyshohen se janë në përdorim nga PS solli reagime të shumta nga qytetarë dhe organizata të shoqërisë civile.

Për to ka nisur tashmë një hetim nga SPAK prokurorët e të cilit ishin pjesë e kësaj databaze dhe etiketoheshin në pjesën më të madhe si votues të PS. Socialistët e kanë hedhur poshtë se këto të dhëna janë marrë nga platformat qeveritare, por nuk e kanë mohuar se posedojnë informacione për votuesit si çdo parti tjetër.

Edhe kleri i është bashkuar thirrjeve për të mos shitur votën. Ndërsa ambasada amerikane në mënyrë të përsëritur ka kërkuar largimin e kriminelëve nga politika, dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të mos e shesin votën e tyre.

Për shkak të pandemisë, numri i vëzhguesve të ODIHR do të jetë më vogël se zakonisht. 65 vëzhguesit afatshkurtër vijnë gjatë kësaj jave në Shqipëri, për të monitoruar një proces zgjedhor ku këtë herë do të përfshihet edhe teknologjia si identifikimi i zgjedhësve në të gjitha qendrat e votimit, pajisja e të gjitha qendrave të votimit dhe numërimi me kamera, dhe projekti pilot i votimi dhe numërimi elektronik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button