fbpx

Helikopteri i NASA-s kryen fluturimin e parë në Mars

Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, njoftoi se helikopteri i saj robot Ingenuity kreu të hënën një ngritje dhe ulje të suksesshme në planetin Mars, duke realizuar fluturimin e parë të kontrolluar mbi sipërfaqen e një planeti tjetër, raporton VOA.

NASA tha se fluturimi me sukses i mini-helikopterit me dy helika mund të hapë rrugën për mënyra të reja kërkimi në planetin Mars dhe destinacione të tjera të sistemit diellor, si Afërdita dhe hëna e Saturnit, Titan.

Drejtuesit e misionit në Laboratorin Jet Propulsionit të NASA-s pranë Los Anxhelosit shpërthyen në duartrokitje dhe brohoritje kur të dhënat inxhinierike që erdhën nga Marsi konfirmuan se helikopteri prej më pak se 2 kilogramësh që punon me energji diellore kishte kryer sipas planit fluturimin e parë prej 40 sekondash.

Helikopteri robot është i programuar të ngjitet 3 metra vertikalisht, pastaj të qëndrojë pezull dhe të rrotullohet në vend mbi sipërfaqen e Marsit për gjysmë minute para se të ulet përsëri mbi katër këmbët e tij.

Megjithëse kohëzgjatja ishte e shkurtër, kjo shënoi një arritje historike në aviacionin ndërplanetar, sepse fluturimi u realizua në një “fushë ajrore” 278 milion kilometra larg Tokës në dyshemenë e një pellgu të gjerë marsian të quajtur Krateri Jezero.

NASA e krahasoi arritjen me fluturimin e parë të vëllezërve Wright në dhjetor të vitit 1903. Fluturimi i tyre në Karolinën e Veriut me avion me motor zgjati vetëm 12 sekonda dhe distanca e përshkuar ishte 37 metra.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button