RMV, që të mos ketë më skena të tilla duhet të ketë mundësi për votim online në Kuvend, vlerësojnë ekspertët

“Duhet të sigurojmë Kuvend funksional në kushte të krizës së koronës”, deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi pasi më 16 nëntor të vitit të kaluar ua dorëzoi deputetëve ndryshimet e propozuara ligjore të Rregullores për punë të Kuvendit. Me atë ishte parashikuar që deputetët të cilët janë të infektuar me Covid – 19 dhe që janë në izolim, mund të ndjekin dhe të marrin pjesë në punën e Kuvendit nga shtëpia, shkruan “360 shkallë”, transmeton Portalb.mk.

Arsye për këtë propozim ishte vala e dytë e korona virusit, për shkak të së cilit në atë moment gjashtë deputetë nuk mundeshin të marrin pjesë në seanca, ndërsa opozita refuzonte të hynte në sallë dhe të siguronte kuorum.

Nevoja për miratimin e ndryshimeve të rregullores ishte votuar, por partitë opozitare VMRO – DPMNE, “E Majta” dhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa e bllokuan me 3000 amendamente tentimin që të fillojë diskutimi

Sipas deputetëve të opozitës, ky propozim ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe tentim që të fshihet shumica e brishtë prej 61 deputetëve të LSDM-së dhe BDI-së.

Ndërkohë Qeveria vlerësonte se nuk bëhet fjalë për asnjë tentim për keqpërdorim, por është propozim racional, i cili do të mundësojë funksionim normal të Kuvendit vetëm në situata të caktuara.

Për shkak të shpeshtimit të deputetëve të infektuar kuorumi shpesh herë paraqet problem për punën  e Kuvendit, ndërsa akuzat e opozitës se pushteti nuk ka shumicë, u përgënjeshtruan me votëbesimin e Qeverisë së Zaevit në seancë parlamentare të mbajtur më 3 mars të këtij viti.

Problemi kulmoi dje, pasi pas zvarritjes dy mujore të miratimit të pakos së pestë të masave ekonomike për ballafaqim me pasojat e korona krizës për mijëra qytetarë dhe kompani për shkak të sjelljes së opozitës, shumica parlamentare siguroi numrin e nevojshëm, por pasi në seancë kuorumin e siguruan dy deputetë pozitiv me Covid – 19.

Profesori universitar, Borçe Davitkovski në një deklaratë për TV Telma, tha se skenat e këtilla të padëshiruara nuk do të ndodhnin, nëse në vend të interesave të ngushta partiake, deputetët do t’i mbronin interesat e qytetarëve.

“Mendoj se kjo është sjellje skandaloze e deputetëve dhe i kalon të gjitha kornizat, posaçërisht kur bëhet fjalë për ligje për shkak të së cilave mijëra familje dy muaj nuk mund të merrnin paga. Kjo nuk është as demokraci as “filibustering”, kjo është thjeshtë inat ballkanik i cili kur do qoftë do t’iu kthehet me kamatë. Në mënyrë deklarative thonë se do t’i votojnë ligjet ndërsa nga ana tjetër bëjnë pengesa, vijnë, nënshkruhen, marrin mëditje, harxhime të rrugës dhe nuk marrin pjesë në seancë. Mendoj se kjo më nuk ngjan në asgjë”, tha profesori Davitkovski.

Sipas tij, iniciativa për seanca të kombinuara, me pjesëmarrje dhe online duhet veç më të jetë pjesë e procedurës së punës së Kuvendit, posaçërisht në momente të këtilla të pandemisë.

“Ajo definitivisht ishte e nevojshme. Ajo është praktikë në të gjitha vendet, posaçërisht për çështje kruciale dhe nuk pash asnjë arsye dhe pengesë për këtë. Duhet të bëhen ndryshime të vetëm disa neneve në Rregulloren me të cilat do të parashikohet që në kushte të këtilla deputetët të votojnë nga shtëpia apo nga spitali apo prej kudo qoftë. Kështu punon e gjithë Evropa”, tha ai.

Rasti i fundit në mesin e parlamenteve të cilët aplikojnë këtë metodë, ishte seanca konstituive e Kuvendit bullgar e mbajtur javën e kaluar. Përveç të pranishmëve në sallë, pjesëmarrje në diskutim dhe në votim për zgjedhje të kryeparlamentarit të ri iu mundësua edhe disa deputetëve të infektuar me Covid – 19, paraqitjet e të cilëve mund të ndiqeshin në video projektor të madh të vendosur pas kryeparlamentarit. Në mesin e tyre ishte edhe lideri i partisë së ardhshme qeveritare sipas shumë gjasave, ITN-së, Slavi Trifonov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button