Teknologjia biometrike dhe lehtësimi i procedurave për udhëtarët

Aeroporti ndërkombëtar i San Franciskos dhe kompania e fluturimeve United Airlines janë të parët në Shtetet e Bashkuara që provojnë teknologjinë biometrike e cila pakëson kontaktin fizik nga pika e kontrollit e deri në futjen e udhëtarëve në aeroplan, raporton VOA.

Ata që krijuan teknologjinë thonë se kjo mënyrë udhëtimi ofron më shumë siguri gjatë pandemisë, pasi punonjësit e aeroportit dhe udhëtarët duhet të shkëmbejnë sa më pak dokumente. Udhëtarët që marrin pjesë në provë duhet të lidhin dokumentin identifikues me skanimin e fytyrës gjatë kontrollit në hyrje të aeroportit.

Ata mund të lëvizin nga momenti kur arrijnë në aeroport, tek faza e dorëzimit të bagazhit, kontrolli i sigurisë dhe futja në aeroplan vetëm permes skanimit të fytyrës në çdo pikë, duke shmangur nevojën e dhënies së dokumentit identifikues ose biletës së udhëtimit.

“Ajo çfarë kemi bërë është proces normal i fluturimit, me dy hapa të thjeshtë. Skanojmë dokumentin tuaj identifikues, ju bëjmë një foto dhe vazhdoni. Pastaj në çdo pikë tjetër, ju bëjmë një foto të shpejtë. Verifikohet identiteti juaj dhe vërtetohet që keni biletë udhëtimi”, tha Sherry Stein, drejtuese strategjike e teknologjisë në kompaninë “SITA Americas”.

Teknologjia e krijuar nga kompania zvicerane SITA, ekziston tek disa aeroporte për fluturime ndërkombëtare duke përfshirë Athinën, Pekinin dhe Dohan. Por kjo është hera e parë që ajo përdoret për fluturimet e brendshme të ShBA-së, që sipas kompanisë SITA përbën shumicën e tregut të linjave ajrore amerikane.

“Kemi mundësi të shohim si t’ua sjellim këtë teknologji udhëtarëve vendas, të cilët përfaqësojnë 80 për qind të tregut në Shtetet e Bashkuara”, thotë zonja Stein.

SITA thotë se teknologjia përveç që rrit sigurinë duke zvogëluar kontaktin fizik dhe ndërveprimin mes pasagjerëve dhe punonjësve të aeroportit, gjithashtu zvogëlon kohëzgjatjen e procedurave dhe shkurton radhët e gjata të pritjes.

Nëse provat rezultojnë të suksesshme, kompania SITA thotë se mund të zgjerojë shtrirjen e teknologjisë në aeroporte dhe kompani tjera fluturimi në ShBA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button