fbpx

RMV, afera ‘Mafia’ nuk ndikon në regjimin e vizave, por monitorimi gjatë lëshimit të dokumenteve personale mund të jetë më rigoroz

Afera me dhënien e pasaportave me identitet të rremë, nuk ndikon në liberalizimin e vizave, vlerësoi eurodeputeti Andreas Schider, pasi shteti ka ndërmarrë aksion. I të njëjtit mendim është edhe Malinka Ristevska Jordanova nga Instituti për Politika Evropiane, e cila thotë se megjithatë, ky skandal ka ndikim në vlerësimin e sigurisë gjatë procedurës së lëshimit të dokumenteve të udhëtimit, njofton Portalb.mk.

Eurodeputeti Andreas Schieder aferën me dhënien e pasaportave origjinale me identitet të rremë për kriminelët rajonalë nga ana e referentëve dhe kontrollorëve të punësuar në MPB, e vlerësoi si skandaloz,  por se sipas tij, kjo nuk do të pasqyrojë negativisht në regjimin pa viza, pasi, siç thotë ai, shteti ndërmori aksion.

Andreas Schider, eurodeputet/ Screenshot

“Kjo çështje lidhet me reformat e domosdoshme për ta luftuar korrupsionin. Është serioze kur ka mbi 200 pasaporta të rreme përreth. Ka një debat serioz të brendshëm në Maqedoninë e Veriut, nëse publikimi e ka sabotuar zbardhjen e rastit. Kjo duhet të definohet në Maqedoninë e Veriut. Por ajo që po duket është se ka aktivitet kundër krimit dhe korrupsionit por ka poashtu edhe krim, që e bën të qartë se vendi duhet të merr masa shtesë. Nuk pres ndonjë ndikim në integrimin evropian”, deklaroi eurodeputeti Schider dhe shtoi se nuk pret që ky skandal të ketë ndikim negativ në regjimin e vizave për Maqedoninë e Veriut me BE-në.

Sipas Schieder, vendi ka treguar se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur.

Duke iu referuar deklaratës së eurodeputetit Schider, edhe Ristevska tha se fakt është që siguria e lëshimit të dokumenteve personale ishte një nga kushtet për liberalizimin e vizave, megjithatë, kjo nuk do të thotë që skandali do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në liberalizimin e vizave, gjegjësisht që do të ngrihet mekanizmi i heqjes. Por, sipas saj, siguria në lëshimin e këtyre dokumenteve tashmë mbetet një pikëpyetje e madhe. Ajo shprehet se ky aksion, nxjerrë në pah edhe diçka tjetër të rëndësishme, vullnetin politik për përballje me krime të tilla.

“Sigurisht që do të ketë ndikim në vlerësimin e sigurisë së procedurës së lëshimit të pasaportave, kështu që monitorimi mund të jetë më rigoroz. Nga ana tjetër, fakti që ky krim është zbuluar tregon edhe vullnetin politik, edhe kapacitetin për përballje me këtë lloj krimi serioz”, deklaroi Ristevska për Portalb.

Malinka Ristevska Jordanova

Sipas saj, me rëndësi në këto momente është veprimi i mëtutjeshëm.

“Prandaj, gjëja më e rëndësishme është si të veprohet më tej. Dosja duhet të “pastrohet” në mënyrën më profesionale të mundshme. Përplasjet aktuale partiake e koklavisin një proces të tillë”, shprehet Ristevska.

Nga ana tjetër edhe raportuesi për Maqedoninë e Veriut në PE, Ilhan Kyçyk tha se Maqedonia e Veriut nuk do të sanksionohet për këtë rast, pasi siç tha, mirëkuptimi evropian është se problemet duhet t’i zgjidhim bashkërisht, duke folur e duke i dhënë njëri-tjetrit këshilla nga përvoja.

“Nevojiten reforma më të thella. Nuk do ta sanksionojmë Maqedoninë e Veriut, nuk jemi diktaturë, jemi Union i bazuar në vlera, prandaj na duhet të reflektohen vlerat evropiane. Zhvillimet e fundit do të reflektohen në dosjen e Komisionit dhe Parlamentit Evropian dhe sigurisht do të ndiqen me siguri nga të dy institucionet”, tha Ilhan Kyçyk.

Ilhan Kucuk
Ilhan Kucuk

Komentet e eurodeputetëve vijnë, pasi opozita maqedonase VMRO-DPMNE, paraprakisht paralajmëroi se lëshimi i 215 pasaportave maqedonase me identitet të rremë për trafikantët ndërkombëtarë të drogës mund të krijojnë probleme serioze për vendin në lidhje me regjimin pa viza kundrejt vendeve anëtare të BE-së. Nga kjo parti konsiderojnë se nëse nuk ka hetim serioz nga Interpoli dhe BE-ja për këtë skandal, ekziston rreziku që regjimi pa viza të kufizohet ose pezullohet.

Përndryshe, në aksionin e 6 prillit, Ministria e Punëve të Brendshme arrestoi 9 persona, ndërsa njëri është i pakapshëm për policinë.

Siç tha Spasovski, zyrtarë të autorizuar dhe kontrollorë nga shërbimet administrative të Ministrisë së Brendshme kanë lëshuar dokumente udhëtimi, duke keqpërdorur identitetin e qytetarëve që deri në atë moment nuk kishin pasaportë të Maqedonisë. Në atë mënyrë, gjithsej 215 persona, prej të cilëve 214 janë shtetas të huaj, morën pasaporta të falsifikuara përmes një ndërmjetësi jashtë MPB-së. Midis atyre që morën pasaporta të Maqedonisë janë anëtarë të grupeve kriminale ndërkombëtare dhe karteleve të drogës. Sipas informacionit të Spasovskit, për një pasaportë është paguar edhe nga 20.000 euro.

Ministria e Punëve të Brendshme aksionin e zhvilloi me mbështetjen e zyrës rajonale për hetimit të Ambasadës së ShBA-së në Shkup dhe Interpolit.

Spasovski tha se në koordinim me partnerët aksionin duhej ta zhvillonin për disa ditë, por për shkak të përpjekjes së opozitës për ta penguar atë, i njëjti u krye m 6 prill. Sidoqoftë, ai e vlerëson si të suksesshëm dhe pretendon se rrethi në MPB, që ishte pjesë e këtij grupi, është i mbyllur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button