RMV, të rinjtë presin në radhë për vaksinë

Studenti i mjekësisë Kushtrim Amiti ishte ndër vullnetarët që ndihmuan në kovid qendrat në Shkup. Ai aplikoi për vaksinim që ditën e parë, por me kolegët e tij i sheh vaksinat si një luks, sepse, siç thotë ai, “shteti nuk është në gjendje t’i sigurojë vaksinat”, shkruan Radio Mof, transmeton Portalb.mk.

Kushtrim Amiti, MMSA

Amiti vëren se përparësi në procesin e vaksinimit duhet të kenë studentët e mjekësisë, që bëjnë stazhim.

“Ne jemi të ekspozuar në rrezik të drejtpërdrejtë çdo ditë në klinikë, sepse mësimin praktik e realizojmë në spital. Kemi kontakte me pacientë,” tha ai për Radio MOF.

Vladimir Panev, SOMA

I dëshpëruar nga mënyra se si ballafaqohen me virusin dhe vaksinimin është Vlladimir Panev, koordinator në Asociacionin e Organizuar të Studentëve të Mjekësisë (SOMA) në Shtip.

“Nëse krahasohemi me vendet e tjera dhe sa është shkalla e vaksinimit të tyre, dhe kur Izraeli tani deklaron mbi 90 përqind të vaksinimit të popullsisë, kjo në sytë tona është zhgënjyese. Ne mezi kemi të vaksinojmë punonjësit shëndetësor”, thotë ai.

Panev është ende duke pritur vaksinë, por ai u jep përparësi atyre që kanë nevojë për vaksinim.

Sipas sondazhit në Instagram në profilin e Radio MOF, mund të shihet se disa nga të rinjtë nuk pritën vaksinën në vendin e tyre, por vendosën të provonin fatin në Serbi. Të tjerët janë regjistruar përmes sistemit të vaksinnacija.mk, por ende nuk e dinë se kur do të vijë radha e tyre.

Pjesë nga Instagram sondazhi i Radio MOF

Zhvillimet e fundit në lidhje me vaksinat dhe Kovid-19 mësohen më shpesh nga mediat, prindërit e tyre ose studimet shkencore. Shumica pajtohen se nuk ka informacion të mjaftueshëm nga shteti, i cili do të jetë lehtësisht i arritshëm për popullatën.

“Do të ishte e dobishme që profilet e Ministrisë së Shëndetësisë të shpjegojnë gjithçka që duhet të dihet”, thuhet në një nga përgjigjet.

“Ka mjaft informacion, por kujt duhet t’i besojmë?”, thotë një tjetër lexues.

Besoni shkencën, jo “shkencëtarët” e Facebook dhe Twitter

Përveç virusit, përhapen edhe dezinformata në lidhje me të. Sipas Amitit, të rinjtë janë skeptikë kur bëhet fjalë për koronavirusin, vaksinat ose procesin e shërimit.

“Jetojmë në epokë të Internetit, të rrjeteve sociale, ku të gjithë marrin të drejtën të shprehin mendim dhe nuk bazohet në asnjë fakt. Kjo nga ana tjetër prek shumë të rinj dhe ata me të vërtetë mendojnë se është e dëmshme të pranosh vaksinë, se mos na vendosin çip, na kontrollojnë… Unë kam pasur mundësi nga të afërmit dhe miqtë e mi të refuzojnë të pranojnë vaksinën” thotë ai i shqetësuar.

Amiti është gjithashtu pjesë e Asociacionin e Organizuar të Studentëve të Mjekësisë të Maqedonisë (MMSA) , ku gjatë kësaj periudhe ata u përpoqën të informonin publikun për CKvid-19 dhe vaksinimin përmes punëtorive dhe ligjëratave.

“Fatkeqësisht, nuk ka asgjë nga shteti, zero. Kjo është arsyeja pse një pjesë e madhe e popullsisë është skeptike. Shteti nuk ka sukses në asgjë. Nuk ka fushatë”, komentoi ai.

Disa raste të efekteve anësore krijojnë skepticizëm cilën vaksinë të zgjedhin, thotë kolegu i tij Panev.

Ai njoftoi se SOMA në periudhën e ardhshme do të analizojnë studimet shkencore dhe do të azhurnojnë të dhënat për vaksinimin dhe efektet anësore.

“Për sa i përket sigurisë së vaksinave, ka një përqindje shumë të vogël të efekteve anësore dhe rasteve të sëmundjeve të rënda”, tha ai.

Radio MOF pyeti Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës nëse ata kanë plan specifik se si do të bëhet vaksinimi i të rinjve dhe si i informojnë ata për të gjithë procesin. Përgjigjet e tyre të shkurtra janë:

MSH: Vaksinat janë të destinuara për njerëzit mbi moshën 18 vjeç dhe kushdo që tregon interes për imunizim do të ketë mundësinë e vaksinimit. Metoda e regjistrimit është e njëjtë për të gjithë qytetarët, përkatësisht mund të aplikojnë në ueb faqen vakcinacija.mk dhe përmes mjekëve amë për persona mbi 70 vjeç.

MASH: Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në përputhje me kompetencat e saj, dhe në koordinim me institucionet shëndetësore, paraqet të dhëna për vaksinimin fazor të stafit mësimdhënës.

Përfaqësuesit e studentëve të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi u bëri thirrje kolegëve të tyre nga të gjitha fakultetet që të aplikojnë për vaksinim.

Asambleja Studentore e Universitetit njoftoi se Rektori Nikolla Jankullovski ka iniciuar vaksinim prioritar për stafin dhe studentët e universitetit. Kjo, siç thonë ata, është pjesë e Planit për imunizimin masiv të popullatës. Deri më tani, nuk ka një apel të tillë nga universitetet e tjera.

Për krahasim, vaksinimi i studentëve në Serbi filloi në 22 mars. Ata kanë një zgjedhje prej tre vaksinave – Astra Zeneka, Fajzer dhe Sinofarm. Procesi zhvillohet në disa pika, përfshirë poliklinikat studentore. Studentët nga grupet me prioritet dhe studentët e vitit të fundit të mjekësisë u vaksinuan fillimisht.

Doza e tretë e vaksinimit është respektimi i masave

Imunizimi masiv në vendin tonë po zhvillohet në sallën e sporteve “Boris Trajkovski” në Shkup, ku punonjësit e ARM-së, policia, edukatorët, mësuesit nga klasa e parë deri në të tretën, punonjësit në media, në sistemin gjyqësor dhe Kuvend, tashmë u vaksinuan.

Nga nesër vazhdon imunizimi sipas moshës. Kjo fazë do të përfshijë personat e moshuar – një kategori që përfshihet nga numri më i madh i sëmundjeve kronike, me rrezik të lartë për formë të rëndë të Kovid-19, komplikime dhe vdekje.

Deri më tani, mbi 26 000 qytetarë janë vaksinuar që nga fillimi i procesit të imunizimit, dhe rreth 160 000 të tjerë që janë regjistruar janë duke pritur për datë për vaksinim.

Derisa të rinjtë në Maqedoninë e Veriut të marrin vaksinën, duhet të ndjekin rekomandimet, paralajmërojnë Amiti dhe Panev.

“Fillimisht do t’i këshilloja që të bënin kujdes. Të respektojnë masat para së gjithash, sepse doza e tretë e vaksinimit në thonjëza është respektim i masave. Si të rinj, ne me të vërtetë nuk duhet të vaksinohemi për momentin, por duhet të mendojmë për të gjithë të tjerët që duhet të vaksinohen, ndërsa për ata nuk ka,” tha Amiti.

“Ndiqni rekomandimet, mbani distancën tuaj, mbani maska, shmangni ndejat dhe tubimet masive. Të bëjnë më shumë online shoqërime”, shton Panev.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button