fbpx

Fillon restaurimi i ndërtesës së Postës – një nga monumentet më të rrezikuara në Evropë

Nuk duhet të lejojmë që neglizhenca jonë të jetë më e tmerrshme se zjarri, tha drejtori i SHA “Posta”, Jani Makraduli, ndërsa ambasadori i BE Dejvid Gir theksoi se përfshirja e objektit në listën e trashëgimisë së rrezikuar është një mesazh, qeverisë së vendit dhe faktorit ndërkombëtar, për të vepruar, njofton Portalb.mk.

Fillon procesi i rikthimit të shkëlqimit të krenarisë arkitektonike të Shkupit, është mesazhi që u dërgua në konferencën e sotme për shtyp nga ndërtesa e Postës kryesore në Shkup, objekt që dje u shpall një nga shtatë monumentet më të rrezikuara në Evropë për vitin 2021.

Dhjetë mijë euro nuk janë të mjaftueshme për restaurimin e ndërtesës, por është bazë për të ndërmarrë masa të mëtejshme dhe qasje në fondet evropiane, tha drejtori i përgjithshëm i SHA “Posta”, Jani Makraduli.

“Po fillojmë me ndryshimet që qytetarët i presin. Shuma e fondeve mund të interpretohet si simbolike, por për ne është shumë e rëndësishme. Zgjedhja është aplikimi më i mirë për fondet evropiane. Hapi i parë u hodh, nuk duhet të lejojmë që neglizhenca jonë të jetë më e tmerrshme se zjarri. Le të jetë ky fillim nxitje për mobilizim të mbështetjes nevojshme publike, profesionale, ndërkombëtare, por edhe të sektorit privat. Nevojitet mbështetje institucionale, teknike dhe me personel nga Qeveria dhe institucionet e tjera përkatëse, si dhe i gjithë publiku profesional”, tha Jani Makraduli, drejtor i përgjithshëm i SHA “Posta”.

Për ambasadorin e BE Dejvid Gir, përfshirja e objektit në listën e trashëgimisë së rrezikuar është mesazh për qeverinë e vendit faktorin ndërkombëtar për veprim.

“Kjo dërgon një SOS alarm te të gjithë, te Qeveria, te shoqëria civile, te biznesi dhe te qytetarët e zakonshëm dhe te komuniteti ndërkombëtar – për të vepruar që të shpëtojnë këtë monument. Sot është bosh dhe i lënë pas dore, prandaj nevojitet veprim. Por, kjo varet nga të gjithë ne, çfarë veprimi do të ndërmarrim. Këtë ua kemi borxh edhe prindërve tanë edhe brezave të ardhshëm. BE mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Ajo është nxitës i rritjes sociale dhe ekonomike dhe është pjesë integrale e ndjenjës evropiane për përkatësi”, tha Dejvid Gir, ambasadori i BE-së.

Lista e shtatë objekteve më të rrezikuara në Evropë është bërë nga “Europa nostra – Zëri Evropian i shoqërisë civile kushtuar trashëgimisë kulturore dhe natyrore” dhe organizatës saj partnere, Instituti i Bankës evropiane të investimeve.

Në këtë listë gjenden edhe pompa hekurudhore me avull në Ahensi, Austri, Kompleksi i varrezave Mirogoj në Kroaci, pesë ishujt e Egjeut Jugor në Greqi, Kopshti Justi në Verona, Itali, manastiri në Deçan, Kosovë dhe kapela San huan de Sokueva dhe Hermitazh , Kantabria Spanjë.

Qëllimi i kësaj liste të 7 objekteve më të rrezikuara për 2021 është të paralajmërojë për kërcënimin serioz me të cilin përballen këto lokalitete – dëshmi të rëndësishme të të kaluarës së përbashkët, kujtesës dhe identitetit thonë nga “Europa Nostra”, bordi i së cilës bëri zgjedhjen për këtë vit.

Posta Qendrore është objekt me stil arkitektonik modernist dhe brutalist nga epoka e pasluftës, ndërtimi i të cilit përfundoi në vitin 1974. Është bërë prej betoni të armuar, në formën e një lule zambak uji për të simbolizuar rindërtimin e qytetit të Shkupit pas tërmetit të fortë në vitin 1963.

Në vitin 2013, ndërtesa u përfshi nga një zjarr i madh në të cilin u dëmtuan kupola dhe muralet e Borko Llazeskit, si dhe mobilet e ndriçimi  i dizajnuar posaçërisht.

This slideshow requires JavaScript.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button