Rrugët Ballkanike drejt BE-së: Bosnja e Hercegovina

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Mjaft për paqen, por jo edhe për funksionalitet

Malinka Ristevska Jordanova

Politika e BE-së ndaj të gjithë rajonit filloi të merr formë pas përfundimit të luftës civile në Bosnjë e Hercegovinë dhe në qasjen e re rajonale po merrte formë rajoni i ri i Ballkanit Perëndimor. Zgjidhja diplomatike e formuar nga Paqja e Dejtonit – e rikrijoi Bosnje e Hercegovinën si një shtet kompleks që nuk përcaktohet as si konfederatë as si federatë, por përbëhet nga dy entitete, njëri prej të cilave edhe është vetë federatë – Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Serpska, së bashku me ta, distrikti i vogël Brçko me status të veçantë.

Bosnja e Hercegovina para luftës (sipas regjistrimit të vitit 1991) kishte 4.377.033 banorë, sipas regjistrimit të fundit nga 2013 – 3.531.159, dhe sipas vlerësimeve, ky numër vazhdon të ulet.

Perspektiva evropiane për Bosnjë e Hercegovinën duhej të ishte motivi kryesor për reforma, por mbi të gjitha për krijimin e një shteti funksional. Siç ka treguar koha, Dejtoni ishte i mjaftueshëm për paqen, por jo edhe për krijimin e një shteti funksional, me perspektivë reale për anëtarësim në BE.

Bosnja e Hercegovina e nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në vitin 2008, pas tre vjet negociatash, ndërsa ajo hyri në fuqi në vitin 2015. Në ndërkohë, që nga viti 2010, qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës përfituan me liberalizimin e vizave për në vendet anëtare të BE-së. Shteti parashtroi kërkesë për anëtarësim në vitin 2016 dhe iu deshën më shumë se dy vjet për t’iu përgjigjur pyetësorit të BE (përfshirë edhe pyetjet shtesë). Në mendimin e Komisionit Evropian në vitin 2019, lidhur me kërkesën për anëtarësim, nuk u propozua fillimi i negociatave me BeH, e as Këshilli nuk vendosi t’i japë statusin e kandidatit. Vendi është ende kandidat i mundshëm për anëtarësim.

Vlerësimi kryesor i Komisionit në Mendimin e tij ishte që Bosnja e Hercegovina “duhet të harmonizojë kornizën e saj kushtetuese me standardet evropiane dhe të sigurojë funksionimin e institucioneve në mënyrë që ata të mund të marrin përsipër detyrimet e BE-së”. Nëse interpretohet më drejtpërdrejt, Komisioni konsideron se, kështu si funksionon sot, shteti nuk mund të marrë pjesë në mënyrë efikase në vendimmarrjen e BE-së dhe të zbatojë plotësisht legjislacionin e BE-së.

Në të njëjtën kohë me Mendimin, Komisioni Evropian i vendosi Bosnje e Hercegovinës edhe 14 prioritete të tjera kryesore dhe disa prej tyre përmbajnë nën-pika. Ato kategorizohen në katër grupe: demokracia / funksionaliteti, sundimi i ligjit, të drejtave themelore dhe reforma e administratës publike. Është e qartë se, ndryshe nga kushtëzimi në vendet e tjera të rajonit, kushti i ndryshëm dhe më i vështiri i referohet funksionalitetit të institucioneve në nivelin shtetëror. Shumë prej kushteve kërkojnë ndryshime kushtetuese, e për këtë ka vullnet nga ana e popujve konstitutiv, përkatësisht përfaqësuesve të tyre.

Një kohë të gjatë, përpara vendosjes së këtyre katërmbëdhjetë kushteve, kushti i vetëm që e kishte BE-ja në lidhje me reformën kushtetuese ishte zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut Sejdiq-Finci. Shkurt, Gjykata vendosi që përbënte diskrimini ajo që Ligji Kushtetues dhe Kodi Zgjedhor nuk lejonin që anëtarët e kombeve të tjerë përveç atyre “konstitutivë” (boshnjakët, serbët dhe kroatët) të kandidojnë për Presidencën e BeH dhe Dhomën e Popujve në Asamblenë parlamentare. Aktgjykimi i 22 dhjetorit 2009 nuk është zbatuar ende.

Sipas një analize të bërë rishtazi nga Grupi këshillëdhënës për Ballkanin në Evropë (BiPAG), rezistenca më e madhe është krijimi i Gjykatës Supreme të BeH, reforma e Kodit Zgjedhor, çështja e gjyqtarëve të huaj të Gjykatës Kushtetuese të BeH dhe kërkesa për të siguruar mekanizëm me të cilin Qeveria në nivel të BeH mund t’i garantojë para BE-së zbatimin e detyrimeve sipas legjislacionit të BE-së. Nga ana tjetër, ka pasur progres në realizimin (më në fund) të zgjedhjeve në Mostar, dhe fillimin e funksionimit të organeve të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, miratimin e një plani për reformë të administratës publike dhe disa raste në luftën kundër korrupsionit të lartë. Sidoqoftë, me këtë ritëm të zbatimit të kushteve të përcaktuara, është pikëpyetje e madhe se kur Bosnja e Hercegovina do të bëhet kandidate për anëtarësim, e edhe më shumë – për fillim të negociatave. Sidoqoftë, ajo që është edhe më shqetësuese është se në kushte të tilla, fuqia reale e BE-së për të ndikuar në reformat do të ulet.

Harmonizimi i Bosnje e Hercegovinës me pozicionet e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE është 61%. Misioni ushtarak i BE-së Altea është ende aktiv në vend dhe ka përfaqësues special të BE-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button