LAJMËTARËT E MORTIT

Nuk është hera e parë që shkruaj për mënyrën se si është kujdesur dhe si kujdeset aktualisht shteti ynë i dashur për ruajtjen e shëndetit të popullatës në këtë kohë pandemie të tmerrshme, kur, në raport me numrin e njerëzve që jetojnë brenda kufijve të tij, ka thyer të gjitha rekordet e mundshme me numrat e të vdekurve, jo vetëm në siujdhesën ballkanike. Si është e mundur kjo vaki? A ka dikush që t’na i sqarojë shkaqet përse te ne vdesin dyfish më shumë të infektuar se në shtetet përreth? A është ky i njëjti virus, apo ndonjë mut a mutacion më i rrezikshëm se gjetiu? Një sqarim duhet ta kemi lidhur me këtë tmerr që po mbështjell në zi familje të tëra. Këtë duhet ta japë shteti nëpërmjet ministrave të tij të shndërruar në kasnecë të mortit, të cilët pozojnë për çdo ditë para kamerave televizive dhe lëvdohen me sasinë e vaksinave të dhuruara nga Serbia, Rusia e Kina, duke lënë për fund lajmin për numrin e të vdekurve, i cili rëndomësohet zakonisht me numrin disa herë më të lartë të të shëruarve nga Covid-19.

Dikush duhet t’i përgjigjet edhe pyetjes përse Evropa dhe SHBA është në dizavantazh në raport me ndihmën në vaksina që na i dhurojnë kundërshtarët e tyre të përbetuar? Është e vërtetë se në kohë krizash të këtilla bamirësia tejkalon kufijtë e politikave, po në rastin e një shteti pa burrështetas seriozë, të një shteti të korruptuar e të zhytur në afera si kjo e furnizimit me pasaporta false të pjesëtarëve të bandave të rrezikshme mafioze të shtrira gjithandej botës, nuk është i tepërt asnjë dyshim që lidhet me kursin e paqartë të rrugëtimit të tij, që herë duket sikur synon ankorimin në portet e Evropës dhe Amerikës, herë në ato të Rusisë dhe Kinës.

Por, ta lëmë për një herë tjetër temën e rrugëtimit politik të vendit të çudirave dhe t’i kthehemi asaj që ai duhet ta bëjë urgjentisht për zbutjen serioze të situatës alarmante, jo me vaksinimin gjoja masiv të popullatës me një numër simbolik ampulash të dhuruara për sevap, që me ritmin e tanishëm nuk do t’arrijë të imunizojë me vite dy milionë banorët që mendohet se jetojnë këtu.

Shi për këtë, është momenti kur shteti duhet të esëllohet dhe të blejë urgjentisht numrin e domosdoshëm të vaksinave, ashtu siç bëjnë të tjerët përreth nesh; t’u shpallë luftë teorive konspirative dhe budallenjëve të tebdilosur në virusologë që mohojnë ekzistimin e Covid-19; të ndëshkojë pa asnjë dallim gjithë shpërndarësit e lirë të virusit vrasës, për të cilët nuk vlen detyrimi për bartjen e maskave mbrojtëse dhe mbajtjen e distancës sociale, që mund të shëptojnë jetë njerëzish; të ndëshkojë në veçanti pronarët e dyqaneve, punëtorive, zyrave, objekteve të ndryshme…, që presin e përcjellin njerëz pa respektuar asnjë rekomandim për mbrojtje nga korinavirusi për shkak të frikës së humbjes së myshterinjëve dhe të kthejë besimin e humbur në popull me kujdesin e njëjtë për gjithë qytetarët, pavarësisht krahinave ku jetojnë ata.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button