Shqipëria pranoi edhe 100 mijë vaksina tjera kundër virusit Kovid-19

Ka mbërritur me një ditë vonesë sasia tjetër e dozave të vaksinave kineze. Mësohet se në aeroportin e Rinasit kanë ardhur 100 mijë vaksina të tjera antiCovid, raporton Klan. Për t’i pritur në aeroport ishte ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu; ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.

Kjo sasi dozash vjen me një ditë vonesë për shkak të bllokimit të fluturimeve që u bë në aeroportin e Rinasit ditën e enjte.

Ndërkohë në një video që kryeministri ka shpërndarë në rrjetet sociale ka shkruar se ardhja me vonesë ka ndodhur “për shkak të tentativës çmendurake për bllokimin e fushatës së vaksinimit dhe nxitjen e rrëmujës në prag të zgjedhjeve”.

“Më të vendosur se kurrë për të vazhduar me ritme të larta vaksinimin masiv dhe për të garantuar një sezon turistik të lehtësuar e me të ardhura të larta për Shqipërinë”, shkruan bashkangjitur videos Rama.

Ministri Arben Ahmetaj u shpreh se vijojnë negociatat për të sjellë në Shqipëri doza të tjera vaksinash. Ai shpreh se javën e ardhshme do të vijë një tjetër sasi e konsiderueshme vaksinash kineze, por po ashtu është marrë autorizimi për të sjellë 50 mijë vaksina Sputnik.

Ndërkohë ministrja Manastirliu u shpreh se Shqipëria i ka mundësitë që të përmbyllë vaksinimin e popullsisë pranverën e ardhshme. Kjo është sasia e dytë që merr Shqipëria në lidhje me vaksinat kineze. Më 25 Mars mbërritën 192 mijë vaksina Sinovac, ndërsa brenda 60 ditëve u njoftua se do të mbërrijnë gjithsej 500 mijë doza.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button